Presidenti amerikan Donald Trump ka shtruar për herë të parë në Shtëpinë e Bardhë, një darkë iftari me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Trump e ka cilësuar këtë darkë, si një moment për të vlerësuar idealet me të larta.
Me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit, presidenti amerikan Donald Trump ka shtruar një darkë iftari mbrëmjen e së mërkurës në Shtëpinë e Bardhë.
“Për myslimanët anembanë botës. Duke u mbledhur së bashku këtë darkë, ne nderojmë një traditë të Shenjtë të një prej feve më të mëdha në botë, “ është shprehur Trump.
Në iftarin e parë që shtron në Shtëpinë e Bardhë që nga zgjedhja e tij President, Trump falenderoi partnerët nga Lindja e Mesme.
“Sonte ne falenderojmë për lidhjet e ripërtëritshme të miqësisë dhe bashkëpunimit që kemi krijur me partnerët tanë të vyer nga mbarë Lindja e Mesme. Sonte ndërsa shijojmë një darkë madhështore në Shtëpinë e Bardhë, le të përpiqemi të mishërojmë mirësinë dhe vullnetin e mirë që karakterizon muajin e Ramazanit. Le të lutemi për paqe dhe drejtësi dhe le të vendosim që këto vlera do të na udhëheqin ndërsa punojmë së bashku për të ndërtuar një të ardhme të ndritshme dhe të begatë që i bën nder dhe lavdi Perëndisë. Paçi një Ramazan të bekuar.”
Në mesin e të ftuarve në darkën e shtruar në Shtëpinë e Bardhë ishte edhe Ambasadorja shqiptare në SHBA, Floreta Luli Faber, e cila ishte ulur në një tavolinë me presidentin Trump.
Darka e shtruar në Shtëpinë e Bardhë në kuadër të Muajit të Shenjtë të Ramazanit, vjen pak kohë pasi administrata Trump e njohu Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit, duke zhvendosur aty edhe Ambasadën amerikane, veprim që tronditi botën arabe dhe aleatët perëndimorë.