Hyn në fuqi armëpushimi i përkohshëm Izrael-Hamas

44
Sigal

Një armëpushim katër-ditor në luftën Izrael-Hamas hyri në fuqi në mëngjesin e të premtes. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar mori në dorëzim 24 pengjet e parë izraelitë që mbaheshin në Rripin e Gazës, tha të premten zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit. Ai konfirmoi gjithashtu se 39 gra dhe fëmijë palestinezë janë liruar nga burgjet izraelite.

Menjëherë pas fillimit të armëpushimit të përkohshëm filluan të hyjnë në Gazë kamionë me ndihma në pjesën jugore të enklavës që udhëhiqet nga Hamasi, ndërsa Izraeli njoftoi për planin e detajuar për pritjen e pengjeve të para që do të lirohen nga Hamasi.

Pak para hyrjes në fuqi të armëpushimit të përkohshëm në mëngjes, forcat izraelite bombarduan disa zona që thonë se shfytëzohen nga krahu ushtarak i Hamasit.

Në orën 7 të mëngjesit, qielli mbi Gazën më në fund qetësohet, ndërsa tanket dhe pajisjet e tjera ushtarake izraelite fillojnë të largohen nga pjesa veriore e enklavës.

Pak më vonë, një automjet që besohet se mbartte të burgosur palestinezë nga burgjet izraelite që pritet të shkëmbehen me pengjet e marrë nga Hamasi më 7 tetor, u pa duke hyrë në burgun ushtarak izraelit Ofer pranë Ramallahut në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli të premten.

39 të burgosur palestinezë do të lirohen sot , ndërsa 13 pengje izraelite lirohen nga Rripi i Gazës sipas marrëveshjes. Marrëveshja parashikon lirimin e 50 grave dhe fëmijëve të mbajtur nga militantët e Hamasit, në këmbim të 150 grave palestinezëve dhe adoleshentëve që mbahen në burgjet izraelite.

Këshilltari i Drejtorisë së Diplomacisë Publike izraelite, Ziv Agmon u tha gazetarëve në Tel Aviv se vendi ka hartuar një plan të detajuar se si do t’i presë pengjet e liruara nga Hamasi.

Sipas tij, pengjet fillimisht identifikohen nëse vërtet janë izraelitët që duhej të liroheshin dhe më pas marrin një kontroll fillestar nga personeli mjekësor. Më pas ata flasin me familjet e tyre me video-telefonatë dhe dërgohen në një nga pesë qendrat kryesore mjekësore rreth Izraelit, në varësi të gjendjes mjekësore.

Por pjesa më e rëndë sipas zyrtarit izraelit do të jetë nevoja për t’iu sqaruar disa prej të liruarve se fëmijët e tyre apo anëtarë të tjerë të familjes nuk i kanë mbijetuar sulmit terrorist të 7 tetorit.

“Për shkak se nuk ka pasur asnjë komunikim me pengjet, ne nuk e dimë nëse ata janë në dijeni se ndonjë prej fëmijëve të tyre apo familjarë të tjerë janë vrarë gjatë 7 tetorit. Është shumë e rëndësishme që lidhja e parë me familjen është me një telefonatë dhe ato telefonata të drejtohen nga profesionistë që të ruajnë gjendjen e tyre shëndetësore, mendore dhe të bëjnë gjënë e duhur”, thotë zoti Agmon.

Ndërkohë kamionë të ngarkuar me ndihma hynë në Rripin e Gazës nga Egjipti përmes vendkalimit Rafah.

Ndalja e luftimeve mundëson ardhjen e ndihmave për 2.3 milionë banorët e Gazës, të cilët kanë përjetuar javë të tëra bombardimesh izraelite.

Katari që ka ndërmjetësuar armëpushimin e përkohshëm nuk dha detaje se çfarë saktë do të përmbajnë ndihmat, por organizatat humanitare me javë të tëra i kanë rënë kambanës së alarmit për mungesën e madhe të ushqimit, ujit, ilaçeve dhe energjisë elektrike./VOA