Fermerët grekë thonë se janë të vendosur të mbyllin të gjitha autostradat kryesore të vendit në shenjë proteste ndaj rritjes së kostove të energjisë.
Në një miting në qytetin e Larisës në Greqi, ata vendosën të dielën të kërkojnë një takim me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis.
Ndërsa e gjithë Evropa po përballet me rritjen e kostove të energjisë, fermerët grekë po kërkojnë subvencione për të ulur kostot e karburantit dhe për t’i dhënë fund kostos së rregullimit të çmimit të energjisë elektrike, e cila reflekton ndryshimet në çmimin e importeve të naftës dhe gazit natyror.
Greqia ka ndër taksat më të larta për karburantin në 27 vendet e Bashkimit Evropian, duke llogaritur rreth dy të tretat e çmimit.
“Nafta kushton rreth 1.60 euro (për litër), ndërsa në vendet e tjera evropiane është 70 cent,” tha për Associated Press Asterios Tsikritsis, president i sindikatës së fermerëve në qytetin e Tirnavos, në veri të Larisës.
Fermerët grekë tashmë prej rreth dhjetë ditësh kanë bllokuar rrugën kryesore që lidh Larisën me qytetin e Kozanit në veriperëndim. Të dielën ata kanë derdhur qumësht në rrugë në kuadër të protestës së tyre.
“Aktualisht, është e diskutueshme nëse ne dhe kopetë tona do të mbijetojmë,” tha Argiris Bairachtaris, president i sindikatës së fermerëve të kafshëve Tirnavos.




















