Në një letër urgjente, të nënshkruar bashkërisht nga përfaqësues të disa grupeve parlamentare në Parlamentin Evropian, të vënë në dispozicion të ARD-Studio në Bruksel, europarlamentarët kërkojnë që të gjitha fondet e BE-së për Hungarinë të tërhiqen përgjithmonë. Sanksionet e mëparshme, siç deklarojnë ata, nuk kanë sjellë rezultate.
Kjo është një thirrje shumë e qartë nga Parlamenti Evropian drejtuar Komisionit Europian për të rritur presionin ndaj Hungarisë. Deputetët kristiandemokratë, socialdemokratë, liberalë dhe të gjelbër duan që më në fund t’ia mbyllin rubinetin qeverisë së Viktor Orbánit, thotë Moritz Körner, i cili vjen nga Partia Liberale Gjermane (FDP).
“Kushdo që nuk interesohet fare për respektimin e vlerave të BE-së, nuk meriton asnjë euro nga buxheti i BE-së”, tha ai.
Eurodeputeti i Gjelbër Daniel Freund thotë, se kjo ka të bëjë me mbrojtjen e interesave financiare të BE-së dhe rrjedhimisht të taksapaguesve evropianë, në përputhje me rregulloret ligjore në fuqi.
“Sulme javë pas jave”
Freund e nisi këtë letër dhe konsiderohet si një nga mbështetësit më të zjarrtë të sundimit të ligjit në Parlamentin Evropian. Për shkak të korrupsionit të përhapur në Hungari dhe mungesës së një gjyqësori të pavarur, miliarda euro fonde që supozohej të transferoheshin në Hungari nga Brukseli janë ngrirë vitet e fundit.
“Megjithatë, ne shohim se në dy vite e gjysmë që nga vendosja e sanksioneve, situata në terren nuk është përmirësuar”, thotë Freund. Përkundrazi, siç thotë ai, “sulme të reja ndaj gjyqësorit të pavarur, shoqërisë civile, medias së lirë dhe lirisë së shprehjes po regjistrohen javë pas jave. Dhe kjo është arsyeja pse ne po dërgojmë tani një mesazh shumë, shumë të qartë: kjo duhet të marrë fund”.