Dorëhiqet Ministrja e Drejtësisë në Francë, Christiane Taubira

432
Dorëhiqet Ministrja franceze e Drejtësisë, Christiane Taubira. Mediat franceze raportojnë se Taubira i ka paraqitur sot dorëheqjen presidentit François Hollande, ndërsa mësohet se shkak është bërë mosmarrëveshja me ekzekutivin mbi një projetligj të privimit të shtetësisë së autorëve të akteve terroriste.
Dorëheqja e Ministres 63-vjeçare, garancia e së majtës në qeverinë e Manuel Valls dhe e përbuzura nga e djathta e cila e akuzon për tolerancë të tepruar, vjen ndërsa Kryeministri pritet të paraqesë sot para deputetëve tekstin përfundimtar të projektit për reformën kushtetuese mbi gjendjen e jashtëzakonshme dhe heqjes së statusit të shtetësisë.
“Shpeshherë të rezistosh është të qëndrosh, shpeshherë të rezistosh është të largohesh. Për fjalën e fundit mbi etikën dhe ligjin”, komentoi Christiane Taubira në Twitter.
“François Hollande dhe Christiane Taubira ranë dakort për shkak të domosdoshmërisë për të lënë postin e saj, në një moment kur debati mbi rishikimin kushtetues do të nisë sot në Asamblenë Kombëtare në komisionin për ligjet”, shkruan Elysee në një deklaratë.
Sigal