Çfarë pritet nga takimi i Gjenevës Biden-Putin?

63
Sigal

Presidenti amerikan Joe Biden dhe udhëheqësi rus Vladimir Putin takohen të mërkurën në Gjenevë për herë të parë që kur zoti Biden mori detyrën në janar. Siç njofton korrespondenti i “Zërit të Amerikës” Charles Maynes nga Moska, të dy udhëheqësit pritet të diskutojnë rreth mënyrave për të normalizuar marrëdhëniet gjithnjë e më të tensionuara mes dy vendeve.

Gjatë dy dekadave në pushtet, Presidenti rus Vladimir Putin është përballur me premtimet e presidentëve amerikanë, demokratë apo republikanë, për të rindërtuar marrëdhëniet me Moskën, por në fakt mosmarrëveshjet janë shtuar.

“Axhenda është kaq shumë komplekse dhe e mbingarkuar me çështje të ndryshme… ndaj besoj se dialogu për hir të dialogut është i nevojshëm“, thotë Pavel Sharikov, i Institutit Amerikano-Kanadez.

Presidenti Biden nxiti këtë përpjekje më të fundit duke thënë se ai dëshiron t’i vendosë marrëdhëniet SHBA-Rusi në themele më “të qëndrueshme e të parashikueshme”.

Por ai e bëri një gjë të tillë pasi në muajin mars gjatë një intervistë televizive, e etiketoi zotin Putin “vrasës”, duke shkaktuar zemërim në Moskë si dhe ndërsa Kremlini po zhvendoste me dhjetëra mijëra trupa përgjatë kufirit me Ukrainën.

Vëzhguesit politikë thonë se zhvillimet vërtetojnë se Presidenti Putin nuk mund të injorohet nga Presidenti Biden.

“Pse duhet të takohesh me një “vrasës”?! Takimet bëhen me ata udhëheqës me të cilët nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të takohesh për hir të sigurisë globale. Pra Putini është i kënaqur pasi ka fituar këtë raund… dhe një takim, çfarëdo që të bëjnë apo pavarësisht atyre që nuk do t’i diskutojnë (në takim)“, thotë analisti politik Kirill Rogov.

Presidenti Putin shpreson që takimi i nivelit të lartë të ndihmojë në normalizimin e marrëdhënieve.

“Do të diskutojmë rreth marrëdhënieve dypalëshe dhe mendoj se duhet të përpiqemi të gjejmë gjuhën e përbashkët. Për momentin ato (marrëdhëniet) janë në një nivel jashtëzakonisht të ulët“, ka thënë Presidenti i Rusisë Vladimir Putin.

Pas armiqësisë mes dy vendeve qëndron zemërimi amerikan rreth dyshimeve për ndërhyrje të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, çka shkaktoi masa hakmarrëse nga palët me sanksione e dëbime diplomatësh.

Shtetet e Bashkuara akuzojnë gjithashtu Rusinë se qëndron pas sulmeve kibernetike të kohëve të fundit ndaj infrastrukturës amerikane, gjë që Moska e ka hedhur poshtë.

Ndërkohë Kremlini akuzon Uashingtonin për ndërhyrje, një akuzë që e ka përdorur për të justifikuar goditjen ndaj pakënaqësive në rritje brenda vendit si dhe protestave pro-perëndimore në shtetet fqinje, sikurse Bjellorusia.

“Ajo që unë kuptoj është se Putini ka nevojë ta ketë Amerikën si një armik për qëllime të brendshme, por në të njëjtën kohë ka nevojë për Amerikën si një partner ndërkombëtar“, thotë Ivan Kurilla, i Universitetit Evropian në Shën Petersburg.

Por realisht të dyja palët kanë treguar se mund t’i kapërcejnë dallimet kur bëhet fjala për çështje globale, të tilla si kontrolli i armëve bërthamore, duke zgjatur Traktatin e quajtur Fillimi i Ri në ditët e para të administratës Biden. Duke arritur kështu një marrëveshje të befasishme që shumë e shohin si mundësi për kthimin e diplomatëve të dëbuar dhe një mënyrë për të vazhduar bisedimet përtej Gjenevës e drejt një të ardhmeje më të mirë.