Burgosja e Navalnyt përplas superfuqitë/ SHBA: Lirojeni urgjentisht, Rusia: Ju sugjerojmë të shihni punën tuaj

Një gjykatë ruse në Moskë urdhëroi sot dënim me burg prej më shumë se 2 vite e gjysmë për kritikun më të ashpër të Kremlimit, Alexei Navalny, nën akuzat e shkeljes së rregullave të një dënimi me kusht të vitit 2014, gjatë kohës sa po shërohej në Gjermani pas helmimit me një agjent nervor, për çka ai akuzon Kremlinin.

Shtetet e Bashkuara janë shprehur thellësisht të shqetësuara nga dënimi me burg i Navalny-t duke përsëritur thirrjen për lirimin e menjëhershëm të tij.

NOA

“Përsërisim thirrjen tonë për qeverinë ruse që menjëherë të lirojnë pa kushte zotin Navalny, si dhe qindra qytetarët rusë të arrestuar padrejtësisht javëve të fundit për ushtrimin e të drejtave të tyre, ku përfshihen liria e shprehjes dhe e drejta për tubim paqësor”, thuhet në reagimin e Departamentit amerikan të Shtetit.

“Ne do të koordinohemi ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për dështimin në respektimin e të drejtave të qytetarëve të saj”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme ruse refuzoi thirrjet e perëndimit për lirimin e kritikut të burgosur të Kremlinit duke i quajtur ato si reagime që nuk kanë lidhje me realitetin.

“Mos ndërhyni në punët e brendshme të një shteti sovran. Ne sugjerojmë që të gjithë të merren me problemet e tyre”, citohet të ketë thënë zëdhënësja e ministrisë së jashtme Maria Zakharova.