BE i heq Le Penit imunitetin parlamentar

476
Ligjvënësit e Bashkimit Evropian i hoqën imunitetin parlamentar të BE-së kandidates për presidente të Francës, Marine Le Pen, për shkak të postimit në Twitter të fotografive të akteve të dhunës, të kryera nga grupi militant Shteti Islamik.

Le Pen, e cila udhëheq partinë e ekstremit të djathtë “Fronti Kombëtar” në Parlamentin e BE-së, po hetohet në Francë për postimin e tri fotografive të ekzekutimeve nga Shteti Islamik, në dhjetor të vitit 2015.

Fotografitë përfshijnë prerjen e kokës së gazetarit amerikan, James Foley.

Postimi ka qenë në përgjigje të një interviste në transmetuesin francez, në të cilën është bërë krahasim midis rritjes së “Frontit Kombëtar” të Le Penit dhe Shtetit Islamik.

Imuniteti parlamentar e mbron Le Penin nga ndjekja penale. Me heqjen e tij, legjislatura e BE-së lejon veprime ligjore kundër saj.

Le Pen po udhëheq sondazhet në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Francë, por parashihet të humbë në balotazh.
Sigal