Familja e Kasëm Koçerrit nga Vërmiku nderohet nga Presidenti i Republikës me dekoratën “Nderi i Kombit”

519
Nga Mustafa KOÇERRI

Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia babai im Kasëm Koçerri ose Gjysh Koçerri siç i thërrisnin largohet nga fshati Vermik i Kurveleshit dhe merr toka në sipërmarrje në fshatin Beshisht të Vlorës ku organizon punën për mbjelljen dhe kultivimin e bimëve që kishte interes. Po para çlirimit të Shqipërisë ai merr të gjithë familjen që e kishte lenë në Vermik dhe vendosen me shtëpi ne fshatin Babicë e Vogël në afërsi të qytetit të Vlorës. Deri në vitin 1944 ai kishte bler në këtë fshat disa bahçe me ullinj dhe sipër asaj toke arë e pyll që arrinin deri në 25 hektarë. Familjarisht ai si dhe babai i tij më parë, Jakupi kishin arritur të bënin njohje dhe lidhje të mira me respekt reciprok jo vetëm me familjet në Vermik por dhe në fshatra të tjera si në Tepelenë, Mallakastër, qytetin e Vlorës, Tiranë etj. Këto lidhje kishën bërë që ai të kishte edhe shumë miqësi ku bëheshin me njërin tjetrin, dhe në raste të veçantë kur kishën nevojë i gjendeshin njërit- tjetrit. Midis shumë miqve të familjes tonë do të përmendja disa prej tyre: Familja e Papajorgjëve në qytetin e Vlorës, ku lidhjet, miqësia dhe ndihma ndaj njërit- tjetrit kanë qenë pa interes. Babai ka pasur lidhje edhe kur djemtë e kësaj familje pas mbarimit të shkollave të larta u vendosën në Tiranë dhe kanë punuar me detyra të larta dhe me përkushtim. Ajo është një familje qytetare e dëgjuar dhe e rrespektuar. Familja e Veip Runës dhe djali i tij Limos Runa nga Nivica e Kurveleshit. Veip Runa në detyrën e nënprefektit në Gusmar ka ndihmuar e përkrahur jo vetëm familjen tonë por edhe shumë vërmikas të tjerë. Këto lidhje kanë vazhduar deri sa ata u larguan nga Shqipëria me çlirimin e saj. Me familjen e Derrajve nga Smokthina kemi pasur lidhje miqësore shumë vite para çlirimit, lidhjet të cilat kanë vazhduar edhe më pas me vizitat e vëllait tim Binos në kohën kur ai punonte ekonomist në kooperativën e këtyre fshatrave. Familja e Hysen Memushit nga Tërbaçi e që banonte në qytetin e Vlorës ishte ndër miqtë e rrallë që kishte shtëpia jonë. Ai së bashku me të shoqen kur vinin në shtëpinë tonë, jo vetëm të mëdhenjtë, por edhe ne fëmijët kënaqeshim, ata ishin tipikë, lebër dhe na donin e përqafonin të gjithëve. Miqësia me familjen e Faslli Xhelos nga Varibopi i Mallakastrës ka qenë një familje tjetër në rrethin e miqve të familjes Koçerri. Babai ishte njohur me të, në kohën kur ai punonte në dyqanin e kushëririt të tij, Qamil Tushit. Faslliu së bashku me të shoqen Meleqen nuk ishin të pasur por ishin me shpirt të madh, të dashur e të pastër. Në Llakatund të Vlorës banonte miku tjetër i familjes tonë, Miftar Hoxha, një shtëpi e dëgjuar dhe e respektuar. Miftari vinte shpesh tek ne dhe kur puqesh me disa nga miqtë e tjerë, në shtëpinë tonë kënaqësia dhe alegria e tyre pothuajse zgjaste deri mbas mesnatës. Po kështu janë të shumtë miqtë e tjerë ku familja jonë ka bërë krushqi me njëri-tjetrin. Të cilat janë familje të nderuara, punëtore, patriote e të respektuara. Aktiviteti dhe lidhja me njerëzit në qytetin e Vlorës, kishin bërë që babai të njihej dhe lidhte miqësi me familjen e hebrenjve Sollomoni, ata ishin tregtarë manifature. Megjithse ishin hebrejn ata jetonin dhe shkonin me banorët e qytetit të Vlorës si kur të ishin me origjinë vlojnate. Pas pushtimit Gjerman në shtator 1943 si për gjithë Hebrenjtë e tjerë, po i kanosej një rrezik, i madh edhe kësaj familje. Për këtë Jakov Solomoni një natë mblodhi disa nga miqtë e tij midis tyre edhe babanë tim Kasëm Koçerri dhe ushtroi nevojën për ta ndihmuar familjen e tij për rrezikun që po u kanosej me pushtimin Gjerman. Babai ishte treguar i gatshëm për të marrë njërin djalë së bashku me nusen dhe ti strehonte në një vend të fshehtë e të sigurt. Edhe dy djemtë e tjerë u treguan të gatshëm për të marrë disa miq të tjerë. Mbas atij takimi natën tjetër më ka treguar babai, duke shfrytëzuar errësirën e natës së bashku me një person tjetër që kishte marrë për ta shoqëruar me dy kuaj, iu afruan qytetit dhe nëpër rrugica shkon në shtëpinë e Jakov Salomoni. Personi që e shoqëronte e kishte lënë në kodrat me ullinj, afër spitalit të qytetit. Pastaj i kishte shkuar në shtëpi e merr Moisen dhe Zhanetën, Djalin dhe nusen (pa marrë as edhe një çantë me vete). Për të mos u diktuar, shkojnë te vendi ku i priste personi tjetër dhe të katër së bashku nisen për në fshatin e Beshishtit ku banonte babai. Rruga zgjati për afro 3 orë. Për të lehtësuar e ndihmuan gjatë udhëtimit Moisen dhe Zhanetën, i hypën në kuaj pasi rruga ishte e gjatë. Atë natë pasi arritën në shtëpinë ku banonte babai ndenjën së bashku. Më pas u sistemuan në një vend të fshehtë, në një kasolle në pyll, për të mos u diktuar e parë nga ndonjë banorë. Gjatë kësaj kohe babai mbante lidhje me babain e tyre, Jakovin ku i tregonte për gjendjen e djalit dhe nuses së tij. Ai mundohej që ata të kënaqeshin me ushqimin e kushtet e mundshme për atë vend. Ata ishin njerëz të thjeshtë, të mirë dhe nuk kishin pretendime, mjafton t’iu sigurohej jeta. Mbas largimit të gjermanëve nga qyteti i Vlorës, babai organizoi përsëri çuarjen e tyre në familjen që i priste gjithë mall e dashuri. Në momentin para se të largoheshin nga Bishishti, nusja e Moises, Zhaneta kishte hequr nga dora orën e çmuar dhe ia zgjat për t’ia dhënë babait në shenjë falënderimi për këtë sakrificë disa mujore që kishte bërë për t’i shpëtuar. Babai i ishte përgjigjur, ne nuk iu ndihmuam për interes, ne jemi miq të përjetshëm. Pasi mbledh fëmijët Jakovi ftoi të gjithë miqtë që iu gjendën dhe e ndihmuan dhe kalojnë së bashku një darkë të gëzuar. Më pas lidhjet miqësore me këtë familje kanë vazhduar normalisht, jo vetëm prindërit, por edhe ne fëmijët kemi shkuar në shtëpinë e Moises dhe Zhanetës. Me ndërrimin e sistemit ata u larguan nga Shqipëria. Para dy vjetësh djali i tyre Sami Solomoni vjen në shtëpi te vëllai im Binua, për vizitë ku aty rastisa edhe unë dhe u takova me të. Ai kishte ardhur në familjen tonë edhe herë të tjera, një shenjë e mirë kjo për vazhdimin e miqësisë. Në vlerësim të aktit human e të pashembullt njerëzor për shpëtimin e jetës së Hebrenjve nga përndjekja naziste, shteti i Izraelit para disa vitesh e ka dekorur babain. Po kështu edhe Presidenti i Republikës z. Bujar Nishani, më 27 janar 2017 e ka dekoruar duke e shpallur “Nderi i Kombit”. Por këto ndjenja miqësie dhe ndihme ndaj njerëzve në nevojë janë shfaqur shumë vite më parë që me gjyshin tonë Jakupin. Në një familje të fisit të Alimuçajve në fshatin Vërnik vdes i zoti i shtëpisë Sejdin Alimuça dhe lë gruan e tij me gjashtë fëmijë të vegjël, tri djem dhe tri vajza. Në këto kushte të vështira ekonomike të kësaj shtëpie, gjyshi im Jakupi, në mirëkuptim e marrëveshje me njerëzit e kësaj familje për të ndihmuar merr njërën prej vajzave, Haxhirenë dhe e mban në shtëpi për ta rritur, duke u kujdesur për të njësoj si për vajzën e tij Miron. Vitet ikën shpejtë dhe vajza e vogël rritet, përsëri gjyshi im në marrëveshje me njerëzit e saj kërkon që ajo të ajo të martohet me djalin e tij, Kasëm Koçerri. Dhe ashtu ndodh, ajo martohet në shtëpinë e Koçerrajve. Një nga të afërmit e familjes Koçerri, nipi i saj Demir Rudi në moshë të vogël mbetet jetim dhe në këto kushte, gjysh Jakupi së bashku me babanë vendosin dhe e marrin në shtëpinë tonë për ta rritur. Ai trajtohej dhe ishte i barabartë me tetë fëmijët e tjerë që ishim ne në shtëpi. Edhe pas vdekjes së gjyshit 1957 ai vazhdoi në familjen tonë edhe pasi kreu ushtrinë u martua dhe u ndihmua deri sa u bë me shtëpinë e tij. Dihet se kushtet e terrenit të vështirë në fshatin e Vërnikut e kanë bërë jetën e banorëve të vështirë, ndaj këto kanë qenë një nga arsyet e largimit të gjyshit dhe babait tim nga ky fshat. Me ngritjen e kooperativës në Babicë duke shfrytëzuar edhe detyrën e kryetarit që kishte babai ka ndihmuar e përkrahur ardhjen jo vetëm të njerëzve të afër më tij në këtë fshat por edhe të bashkëfshatarëve të tjerë të cilët u vendosën aty dhe bënin një jetë më të mirë. Në afërsi të shtëpisë tonë në Babicë kalon rruga kryesore që lidh shumë fshatra me qytetin e Vlorës. Në këtë rrugë nuk kishte ditë të mos kalonin njerëz dhe ishin të shpeshta rastet kur hallexhinjtë, njerëz të lodhur e të uritur flisnin e kërkonin diçka për të ngrënë. Ashtu si nëna edhe babai por edhe ne fëmijët i ndihmonin me çka kishte shtëpia, duke marrë prej tyre falënderime. Nga emri i mirë që ka lënë gjyshi dhe babai edhe sot kur bie fjala me banorë të ndryshëm të thonë: ja ajo atje është shtëpia e Gjysh Koçerrit, dhe kështu do thonë me siguri edhe në të ardhmen. Me këtë rast doja të shprehja përsëri ato ndjenja miqësie të gjyshit dhe babait tim për popullin e hebrenjve, të cilëve u dëshirojmë vetëm të mirën, dhe se jemi të gatshëm tu gjendemi pranë në rast nevoje e të ndajmë kafshatën e bukës bashkë me ta. Po kështu u shprehim pasardhësve të të gjithë miqve të familjes tonë, mirënjohjen dhe ndjenjat më të larta të respektit ndaj tyre për këto lidhje të pastra me familjen Koçerri.