Dr. Mikado Shakohoxha: Gjeneralët që përgatitën “Referatin e Mbrojtjes” dhe dënimet e 1974-ës në ushtri

1070
Sigal

Intervistë me Dr. Mikado Shakohoxha, “Kolonel në lirim”, kryetar i Shoqatës Kombëtare “Skënderbegasi”

 

Në vitet 1962 – 1963 u përpilua i ashtuquajturi “Referati i Ministrisë së Mbrojtjes” nga gjeneralët  Spiro Shalësi, Ernest Jakova e Thoma Xhixho

-Në vitin 1972 u krijua komisioni i ri i kryesuar nga Beqir Balluku, Rrahman Parllakun, Spiro Shalësin dhe Ernest Jakova

-“Grupi puçist” në Ushtri u sajua për të mbajtur nën fre sistemin dhe për të trembur të tjerët

Dënimet e vitit 1974 mbeten të pashembëllta për ushtrinë shqiptare

 Askush s’e besonte se nga ushtria u pushkatuan Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, Kadri Hazbiu

Albert Z. ZHOLI

U lind në Vranisht të Vlorës në janar të vitit 1943, në një vatër atdhetare nga gjiri i së cilës doli luftëtari legjendar Zenel Çelo, i njohur nga vargjet e këngës “Janino”  dhe e spikatur për nëntë  pjesëtarë e të afërm të familjes, midis të cilëve të rënë pesë Shakohoxhaj në tre breza, (4 vetë në një ditë ) si edhe vëllai i nënës, vëllai i gruas, etj gjatë pushtimit nazifashist, janë “Dëshmorë të Atdheut”. Pas mbarimit të 7-vjeçares në vendlindje, Mikado vijoi studimet në shkollën “Skënderbej”, në “Shkollën e Bashkuar të Oficerëve”, në “Akademinë e Shtabit të Pëgjithshëm”, në “Shkollën e Lartë të Partisë dhe në “Kursin e Lartë të Filozofisë”. Mban gradën shkencore  “Doktor” dhe titullin shkencor “Docent”. Ka qenë në Shtabin e Përgjithshëm në vitet e dënimit të grupit  armiqësor, madje në një Organizatë Bazë Partie me Petrit Dumen, Rrahman Parllakun, Muhamet Prodanin, etj. Deri në Vitet ’60, kur ishim me Rusët e Traktatin e Varshavës, ishte në përdorim Arti Ushtarak i tyre, i gërshetuar me përvojën e LANÇ – it.

Ka shërbyer si ushtarak në shumë rrethe të vendit nga Veriu në Jug duke kryer detyra të rëndësishme në “Shtabin e Përgjithshëm”, në “Grupimin VI Operativ”, (Korpusin)  e Tiranës  dhe në Divizionin e Elbasanit. Gjithashtu,  për vite me rradhë ka qenë pedagog në “Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm” dhe së fundi shefi i Sektorit Shkencor të Ushtrisë deri kur, në vitin 1992, e ashtuquajtura “Reformë” e nxori “Në lirim” në moshën 48 – vjeçare  me gradën “Kolonel”.

“Materialet e zeza” edhe sot kanë ngjallur shumë diskutime. Kush i hartoi dhe pse iu dha kaq shumë rëndësi “Materialeve të zeza”? Kush i shkroi ato dhe kush e pësoi prej tyre?

Është e vërtetë, edhe sot më pyesin shumë për to. Në vitet 1962 – 1963 u përpilua dhe u vu në përdorim në Ushtri i ashtuquajturi “Referati i Ministrisë së Mbrojtjes” nga gjeneralët  Spiro Shalësi, Ernest Jakova e Thoma Xhixho. Në vitin 1967, me porosi të Komandantit të Përgjithshëm, Mehmet Shehu paraqiti tezat e Këshillit të Mbrojtjes ku paraqiteshin idetë e kuadrove kryesore dhe Planifikimi, por ekzagjeroheshin Fortifikimi dhe mundësitë e Forcave Vullnetare, si edhe vihej për herë të parë si një kapitull më vete,“ Operacioni i kalimit nga lufta ne front të rregullt, në atë partizane”. Nga shkaku që vendimet e Pleniumit të 12 të K.Q. të P.P.SH – së për Ushtrinë nuk qenë të suksesshme, u krijuan disa Grupe Pune. Në vitin 1971 ai me Spiro Shalësin, Agron Çomon, Ilo Furxhinë dhe Hysen Burbën; ndërsa në janar të vitit 1972 u krijua komisioni i ri i kryesuar nga Beqir Balluku në përbërje të të cilit ishin Rrahman Parllaku, Spiro Shalësi dhe Ernest Jakova. Më përpara kishte punuar me këtë material shefi i Sektorit Shkencor të Ushtrisë Elami Hado, ish – atashe ushtarak në Kinë. Pastaj filloi “sherri’’ Petrit – Beqir. Për mua, Grupet e Punës kanë punuar me përkushtim e profesionalizëm, sipas porosive të Udhëheqjes Politike.

Udhëheqja Politike kërkonte “sebepe” për t’i dënuar dhe ato i sajoi. Ata kurrsesi nuk duhej të dënoheshin. Në asnjë mënyrë që jo. Unë mendoj se “Grupi puçist” në Ushtri u sajua për t’u goditur me paramendim. Udhëheqja Politike me atë Ushtarake përgjithësisht kudo në Botë, vijnë dhe evidentohen në një kohë që përplasen midis tyre për nivele, merita, aftësi, reputacione, besueshmëri, kontribute, etj. Atëherë Politika vendos t’u priten kokat disave që janë në krye të Ushtrisë, në mënyrë që të mbledhin mendjen të tjerët, (nëse u kanë mbetur pak mend). Kështu që ata ia futën pa përjashtim njëri – tjetrit, duke menduar se nga këto qëndrime personale nuk do t’u vinte rradha edhe vetë atyre. Sidoqoftë, ata pritën radhën.

Nga Udhëheqja Politike kërkohej që ne të fshihnim me “fshesë të hekurt” çdo ndikim të tyre. Ne perpiqeshim të pastronim bronket se akuzat nga lart ishin të rënda e kategorike. Ne u solidarizuam me vendimet e Partisë duke thënë e stërthënë, sa e sa gabime dhe faje të tyre, pavarësisht se ndoshta nuk kishim pasur kontakte direkte me ta. Vendimi i Gjykatës së Lartë, përgjigja e Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe pushkatimi në një ditë, me gjithë kërkesën për falje, flet shumë. Për vite të tëra atyre nuk u dihej varri. S’ka gjë më të rëndë se të jesh varrhumbur! Mallkimi “Të humbtë varri!” u qëlloi atyre burrave si Beqir Balluku, Petrit Dume dhe Hito Cako, me gjithë ato merita, por që u vunë para pushkatimit në buzën e një grope kolektive në Linz të Tiranës dhe u varrosën në Vranisht të Vlorës në fshehtësi të madhe, së bashku me rrobat e trupit edhe me hekura ndër duar. E ç’mund të ndodhte pastaj me ne?! Udhëheqja politike, kur iu deshën, i afroi, aktivizoi, shfrytëzoi dhe u mori maksimumin, ndërsa më pas, (se duheshin ndryshuar kuajt e karrocës), i flaku dhe i masakroi familjarisht barbarisht e padrejtësisht. Vërtet u zëvendësuan, por dhe sot nuk ka dalë asnjë Lidership që të mbulonte boshllëkun që lanë ata, sepse ekip i ngushtë frymëzues nuk erdhi e s’pamë më….

E vërteta është se për disa gjëra i kishim duart të lidhura, jashtë integritetit tonë moral e profesional.

-Cilat ngjarje mbeten më të rëndësishmet në jetën e ushtrisë shqiptare të regjimit komunsit? Si ka rrugëtuar karriera juaj deri në Shtabin e Përgjithshëm?

Për mua mbeten ngjarjet e vitit 1974. Ngjarjet e vitit 1974 qëndrojnë si një testament i madh për oficerët e ardhshëm, që të mbajnë baraspeshim, si me eprorët, ashtu edhe me vartësit.   

Diçka të vërtetë ka këtu, por jo  gjithçka. Me sa mbaj mend, në Aktivet e Durrësit që drejtoheshin nga Mehmet Shehu e Hysni Kapo (madje  pothuaj prej gjithë Byrosë Politike) nga Brigada e 5-të u dënuan: Hito ÇAKO; Rrahman PARLLAKU; Halim RAMAHITO e Andon SHETI. Por në këtë kuadër e pësuan edhe shumë të tjerë që nuk ishin të Brg.5S. si Beqir BALLUKU, Petrit DUME, Sadik BEKTESHI, Muhamet PRODANI, Todi NAÇI, Vaskë GJINO, Abaz FEJZO, Edip OHRI, Arif HASKO, Dilaver POÇI, etj. Historia e ushtarakëve të djeshëm dhe të sotëm, përsa u përket dënimeve, ka ngjashmëri. Udhëheqja politike mbas LANÇ – it fillimisht dënoi ata që kishin mbaruar studimet në Perëndim, e më vonë edhe gjeneralë që kishin mbaruar shkolla prestigjioze në Lindje. Edhe sot u gjetën parti që të lenë ushtarakët pa status, megjithëse ne i mbështetëm proceset demokratike. Mesa duket oficerët i duan për kohë lufte, për të shtrirë hapin para tribunave, që të duartrokasin në Pallatin e Kongreseve, që të marrin pjesë në votime, të ruajnë qendrat e votimit, etj. Fakti që disa komandantë brigadash, divizionesh e koparmatash të Luftës u dënuan, apo u pushkatuan, flet shumë. Ndërsa sot për ta fjala armik, agjent, poliagjent, tradhëtar, ka përftuar një inflacion të madh. Në jetë, në punë dhe në dosjen e memories shumë nga ne kanë një ngjarje që e veçojnë. Një ngjarje që u reziston viteve përballon çdo lloj pastrimi “general ”(lavazh) të trurit që të mundon e s’të ndahet për tërë jetën. Ato lloj ngjarjesh të dalin në gjumë, në ëndërr, në kujtime e përkujtime, në sa e sa variante stërvitërore si edukatorë të mrekullueshëm, si luftëtarë lengjendarë, si eprorë të mëdhenj, në reforma të ndryshme të edukimit e të përgatitjes së kuadrove, komandave, shtabeve dhe të trupës në të gjitha nivelet. Por të traumatizon kujtimi i atyre analizave të shumta në Organizatat – Bazë të Partisë, Ministrise  në Durrës e kudo ku kuadrot e Ushtrisë u denigruan dhe u poshtëruan deri në jetën intime. Shpesh këto të bëjnë të ndjehesh fajtor pa qenë i tillë. Duke u nisur kryesisht nga këto raste, mendoj se njerëzit në Diktaturë, nuk mund të jenë gjithmonë vetvetja. Aty u pa një “fluks” i pafre akuzash, denoncimesh, kritikash, autokritikash deri në marrëzi, dëshmi e një epoke të dhimbshme për Lidershipin Ushtarak të cilat nuk ka kush m’i kundërshton, sepse në mjaft analiza kam qenë vete i pranishëm. Tellallëve të veçantë, “të palodhur”, daullja iu ça shpejt, ndërsa të regjurit në lagështinë e tradhëtisë dhe tymin e servilizmit, s’ngelen pa rrugëdalje.

Sidoqoftë, me ankesa e me lot s’bëhet kurrëgjë. Të gjithë kanë të drejtë të shkruajnë për ngjarjet, për Aparatin e Ministrisë së Mbrojtjes në ato vite, por më të besueshëm janë ata që e pësuan dhe ata qi i jetuan direkt ata muaj e periudhën e mëvonshme. Vërtet na kanë ngelur gjëra të pathëna. Jo se nuk deshëm, por nuk mundëm, ndërsa sot është vonë, ose biem ndesh me keqkuptime. Historia e atyre viteve na mëson: Nuk gjykohet vetëm ai që flet, por edhe ai që hesht; jo vetëm ai që vepron, por edhe ai që duron. Këto janë disa nga mësimet e shumta të dramës së madhe të Ushtrisë në vitet 1973 – 1974. Ndrësa përsa i përket karrierës,nga batalioni i Lekbibajt të Tropojës, pas një inspektimi vjetor të suksesshëm në rang Ushtrie, më transferuan në Shtabin e Korpusit të Shkodrës.

Më pas kam qenë më afër Hito Çakos e familjes se tij si adjutant. Më vonë natyrisht kam qenë më rrallë pranë tij, por lidhjet nuk i ndërpreva, madje edhe tani. Kam qenë në Shtabin e Përgjithshëm në vitet 1972 – 1974, i pranishëm në shumë analiza e detyra që shtronte Petrit Dumja. Në muajt e fundit të jetës  së tij kam qenë shumë pranë në të gjitha mbledhjet në Tiranë e Durrës që bëheshin për dënimin e tij me  shokët e mënxyrës. Kam mbështetur orientimin e buletinit Nr. 5 të K.Q për dënimet në Organizatën e Partisë, në Komitet dhe në dy Aktivet e Durrësit. Ata kanë mbajtur qëndrim dinjitoz dhe nuk doli asgjë armiqësore e tyre. Mbaj mend që ditët e fundit ai erdhi e më takoi atje ku bëja “Punën  Fizike” me Xhelon e Çumanin, dy shokët e mi  të vjetër, si edhe me Luto Haxhiu e Xhevat Alibalin dhe më porositi të takoja e të falenderoja Sul Domin për qëndrimin që mbajti në Aktivin e Durrësit. Petrit Dumja dhe Hito Çako janë simboli dhe inkona e Ushtrisë Shqiptare. Me qëndrimin e vet Hito Çako e mori vetë hakun e tij në Aktivin e Durrësit.

Eksperienca e shumë ushtrive dhe fitoret, apo humbjet e betejave, kanë vërtetuar pa kundërshtim nevojën e përqëndrimit të drejtimit ushtarak në një dorë. Ndryshe, në mënyrë të pashmangshme, katastrofa, kaosi, paniku dhe krijimi i shumë pushteteve do të ndodhin duke mos e kuptuar, apo pranuar, shkakun e humbjes. E them këtë, sepse kjo ka qenë një nga kritikat e forta ndaj të ashtuquajturit Grup Puçist. Udhëheqja Politike mbajti në dorë armën e shkatërrimit, ndërsa shkrepjen e bëmë ne. Arti Ushtarak është shkencë dhe s’ka të bëjë me ideologji, qofshin ato borgjeze, qofshin komuniste. Kuadrot kryesore të Ushtrisë, Beqiri, Petriti, Hitua, Rrahmani, Vehbiu, Arifi, etj, u ngjitën aty, jo thjesht se i ngjiti koha, por koha i zgjodhi dhe Ushtria i pranoi në udhëheqje.

Me Mehmet Shehun kam pasur mbi 10 – 15 takime, a më shumë; nga këto edhe me ditë të tëra në një orar të zgjatur; madje edhe në makinë e në salla mbledhjesh. Në të gjitha ato raste, unë gjithmonë me Metodikën e Stërvitjes, harta, dylbi, busull, bllok e laps në dorë. Është xhiruar edhe një film dokumentar kushtuar stërvitjes “Semani” (rreth 2 orë) ku në adresen time thuhen fjalë të mira. Ishte shumë konfidencial dhe unë e ndjeja veten shumë mirë pranë tij. Dy herë i ndërhyra për të ndihmuar një gjeneral të dënuar, që është gjallë edhe sot dhe më tha: “Paska gjetur  mik të fortë. Por do t’ia gjejmë një punë edhe atij. Dhe në fakt “ia gjeti”. E futi në burg.

Me Beqir Ballukun rrallë herë kam pasur lidhje. Nuk e pruri rasti që mua, me detyrat që kryeja, të më lidhte puna me të. Vetëm disa herë kam pasur kontakte të shkurtra, (thuajse më këmbë) në çastet kur i kam dorëzuar ndonjë hartë të Drejtorisë Operative, a për diçka tjetër kësaj natyre. Di që gëzonte simpati të madhe në Ushtri, jo vetëm se kombinonte bukur kompetencat si minister me aspektin human e social të raporteve me oficerët, por falë edhe përvojës së tij graduale,(si komandant  i Njësiteve Guerrile të Tiranës; të batalionit  Krujë – Ishëm, të Br.II Sulmuese, të Divizionit të Korçës; si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrise, si anëtar i Byrosë Politike qysh nga Kongresi i Parë  i PPSH – së dhe si zëvendëskryetar i parë i Këshillit të Ministrave. Kontakti me të ishte frymëzues e mësimdhënës. Terminologjia ushtarake, diksioni dhe paraqitja e jashtme e tij në analizat vjetore dhe ato festive ishin të papërsëritshme.

Kurse me Mehmet Shehun më ka njohur puna në stërvitje të mëdha, të organizuara në atë kohë. Ai ishte një ushtarak i lindur, i pajisur me cilësitë e një strategu. Ishte përvoja e gjatë ushtarake, por edhe shkollimi i tij, që e bënin të pakonkurrueshëm. Ka qenë padyshim, njohësi më i thellë i vendit, i të gjithë hartës. Të gjithë vendin e kishte shkelur me këmbë dhe, për pasojë, e dinte shumë mirë se ç’duhej bërë, kur duhej bërë  dhe si duhej bërë. Por ai, si shumë bashkëpunëtorë të tjerë, hëngri frytet e politikës së vet. Të çudit fakti se ata shikonin se çfarë po bëhej dhe prisnin radhën “për t’u graduar” si Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu e të tjerë më parë. Mendoj se në jetë e në punë kam mbajtur pjesën më të rëndë mbi supet e mia. Mbas titullimit oficer më emëruan në Brigadën e Tropojës së bashku me ish -skënderbegasit Azis Bulica, Bardhosh Llani, Tomor Hila dhe ata të  Brigadës më emëruan në Lekbibaj. Më larg nuk kishte më në Ushtrine Shqiptare. Isha me fat që Nikajt e Mërturasit ishin shumë të përkushtuar ndaj  zborit. Krenarë dhe dinjitozë, si edhe bujarë, nderuan veten edhe mua. Me kompaninë time të Lekbibajve në inspektimin vjetor të Ushtrisë, zumë vendin e parë në Qitje Luftarake me të gjitha armët e këmbësorisë dhe efektivi u propozoi gjeneralëve të pranishëm gradim jashtë radhe. Mehmet Rama, kryetari i Komitetit më dhuroi një orë, Ali Kruja, Sekretari i Parë, një sitlograf, ndërsa gjeneral – leitnant Hito Çako më mori adjutant në Shkodër. Të gjitha këto veprime u kryen direkt, përballë kolektivit, në poligonet e qitjes e fushat e stërvitjes. Edhe Gaqo Jankulla, “Njëshi” i këtyre qitjeve, deri edhe individuale, u surprizua. Shokët e kursit e dinë mirë se në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm më mbajtën pedagog Gjitharmësh, nisur nga rezultatet e larta, pa asnjë mbështetje familjare, miqësore, apo financiare. Shto këtu edhe propozimet e shokëve Mujo Sokoli (shef katedre), Dalip Zhaboli, Ilmi Brati, Pandeli Noti, Kutel Çino, Shyqyri Balla, Petraq Kolonjari, Qani Abazi, Haxhi Kamberi, Mehmet Allushi, Vladimir Xhafa etj.

Në paradën ushtarake të vitit 1964 kam qenë me kuadratin e Tropojës dhe zumë vendin e parë.

Në Shtabin e Përgjthshëm qëndrova pak deri te dalja e të ashtuquajturit “Grup armiqësor” dhe për largimin tim është një vendim i Byrosë Politike ku thuhet shprehimisht: “Të largohen nga Ministria e Mbrojtjes Rrahman Parllaku, Mikado Shakohoxha, Ernest Jakova dhe Spiro Shalësi”. Këta tre të tjerët ishin nga gjeneralët më me emër në Ushtri. Në Grupimin (Korpusin) e Tiranës, ku vajta nga Ministria, qëndrova rreth 10 vjet. Nuk besoj të ketë qëndruar kaq shumë dikush në një funksion të tillë si shef Shtabi Grupimi. Në Elbasan familjen e mora brenda dy javësh. Sikur të ndodhte ajo që nuk mund të ndodhte, po të filloja prapë punë, do të kërkoja të punoja në Elbasan. Elbasani i ka dhënë historisë një pjesë të lavdishme dhe mban një emër historik, sidomos për Arsimin, Kulturën dhe Shkencën. Qytet i bukur me emër të madh; njerëz të mrekullueshëm që e kanë nderuar gjithmonë. Thonë që “X” – it i eci fati në shkollë, në punë e në jetë, në familje e në miqësi. Jo! Zakonisht fati u ecën njerëzve të fortë e të mençur, të aftë, solidarë e vizionarë. Mendoj se kam qenë një epror i pranueshëm, por një vartës i vështirë, jo i pëlqyer për dikë për opinionet e kundërta që jepja, të cilat i vërtetoi jeta. Shpesh bëja përpjekje për  të kontrolluar  zemërimin  kur  revoltohesha.

Nuk më ka brejtur krimi i ambicies personale për vend, gradë, apo pozitë, pasi kam qenë i shtytur gjithmonë nga motoja e veprimit  dhe jo e shpërblimit. Jo gradat e titujt, por puna do të më jepte vendin. Asnjëherë s’më ka shkuar mendja të bëhem i famshëm, apo i pasur, veç të isha  oficer Skënderbegas si edhe të tjerë, me formim të gjithanshëm, shok e mik i mirë në çdo kohë; veç të isha aktivist shoqëror, bashkëshort e prind shembullor. Veçori Skëndebegasish.

Për vete boll. Të tjerët dinë më shumë, sepse janë më afër së vërtetës. Ndërsa provimet pasuniversitare dhe graden shkencore “Kanditat i Shkencave Ushtarake” e kam marrë nga të parët në Ushtri. Mendoj se nuk më ka privilegjuar kush. Nuk mund të harroj elbasanasit e mrekullueshëm Bashkim Paeshti, Bardhyl Çullhaj, Sami Gjini, Syrja Hasani, Petrit Qazolli, Rifat Marsela Veri Lumshi, Demir Hyskja, Milianov Kallupi, Vehap Xhindoli, Skenderin , Thanasin, Mondin, Ymerin, Demirin, Haxhiun, Shabanin, Edin, Bajramin, Cenin, etj. Vendin tim e kam menduar në rresht dhe nuk i kam lejuar vetes atje ku të tjerët mund të pyesin: “Kush është ai dhe pse ndodhet atje?”.

Kam qëndruar më afër përgatitjes së kuadrove, komandave e shtabeve dhe më larg “Stërvitjes së Vogël”; pra, asaj “ushtar, skuadër, togë, kompani”; si edhe larg postblloqeve, dyerve të zyrave të eprorëve ku trokitej për halle; larg ftesave për funksionarët për gëzime familjare, apo ceremoni shtetërore, etj. Kjo sepse kisha krijuar përshtypjen se nëpër zyra kishte plot funksionarë të cilët kishin mend  më pak se karrigia e vet.

Ku e ndjeni veten në kohën e puçistëve madhorë ushtarakë?       Ç’përfaqësojnë ata?

Kam qenë në Shtabin e Përgjithshëm ku në atë periudhë funksionet ndryshonin shpesh. Vendimin për drejtor, firmosur nga Komandanti i Përgjthshëm, ma ka treguar për herë të parë miku e kuadri kryesor i Ushtrisë Hysen Burba. Kam qenë në një Organizatë – Bazë Partie me Petrit Dumen, Rrahman Parllakun, Muamet Prodanin, etj dhe i pranishëm në të gjitha analizat në rrugë partie, organizate, komiteti, aktivi, etj. Drejtuesit kryesorë në drejtori të vogël, po me përgjegjësi të madhe, ishin gjeneralët Rrahman, Vehbi, Muhamet dhe Ernest, me nga dy akademi prestigjioze. Mbi të gjithë qëndronte Petrit Dumja. Ai nuk imitonte njeri, prandaj ishte i paimitueshëm. Me një formim të gjithanshëm, kryesisht ushtarak; i kudondodhur, me ndikim të jashtëzakonshëm. Memoria e tij vizuale, e paparë; kujtesa fenomenale. Kudo i suksesshëm në gjithë ngritjen e tij vertikale: nga komandant çete partizane, komandant i batalionit “Hakmarrja”, i Br.4S., Br. 18S., i divizionit të Korçës, si drejtor operativ dhe për vite të tëra si Shef i Shtabit të Përgjthshëm të Ushtrisë, me akademinë “Frunze” e “Voroshillov”. Ikona e Ushtrisë Shqiptare. Rast i rrallë dhe i papërsëritshëm, deri në kufijtë e të pabesueshmes.

Nuk kam mbajtur ndonjëherë ditar, nuk kam arkiv personal, nuk ruaj asnjë dorëshkrim. Sigurisht që janë mangësi këto, sepse kujtesa edhe të tradhëton, sidomos kur flet për “meritat”  personale, të farefisit, apo të klanit tënd.

Në këto shkrime të mia, përsa u përket ngjarjeve, kam siguri të plotë se kujtimet janë plotësisht autentike, të përjetuara, të ngulitura në kujtesë, të riprodhuara me besnikëri absolute.