Disa nga vllehët, që ishin fqinj me qelinë e Teme Sejkos, panë Mehmet Shehun , që u fut dhe qëndroi 4 orë në qelinë e tij
Teatri dhe pabesia e Kadri Hazbiut me vllenjtë e dënuar dhe kënga labe kushtuar vllahes së bukur
- – Gruas së Nikolla Bashos, Sotirës, i bie të fikët në malin e Gramozit kur pas pushkatimit të burrit e shikon atë afër vijës së kufirit me Greqinë
- -Regjimi i Enverit për çudi nuk i interrnoi këto familje
- – Dhimitër Basho në kërkim të magnetofonit ku janë të regjistuar zërat e Jorgji Cukalit, Nikolla Bashos dhe Nikolla Goçit
- – Presion në hetuesi dhe në gjyq me figurën e vllahut Ndina Janos, i cili për martesën e Mbretit Zog shpuri si dhuratë 40 desh dhe 40 dema.
-20 gusht të vitit 1962 në Xarrë të Sarandës luhet një shfaqje hamletiane
Gazeta Telegraf
- Po Kadri Hazbiu çfarë roli kishte në këtë ngjarje?
Pas vendimit për pushkatimin e Jorgji Cukalit, të Nikolla Bashos dhe Nikolla Goçit në Burgun e Armiqve të Popullit vllenjtë nëpër qelira flisnin hapur. “Më qafë na pastë Kadri Hazbiu!”. Kadriu kishte shkuar me dhjetra herë në “qytezat” e vllenjëve, që nga Vithkuqi e deri në Qafën e Botës në Sarandë. Pilua, vëllai i Nikolla Goçit, që i shpëtoi plumbit ka treguar se ka qenë dëshmitar në një festë në Kozel, ku mori pjesë dhe Kadri Hazbiu, i cili erdhi nga malet e Greqisë. Në një përrua të egër, i cili vjen nga Greqia, u vu në mes të vllenjëve dhe një bast. Kush do ta kalonte “Përroin e Ujkut” i hipur në kal nga njëri breg në tjetrin. Gjersia ishte rreth pesë metra. Gjyqtar ishte Kadri Hazbiu. Aventurën e mori përsipër Nikolla Basho. Kadri Hazbiu i dha porosi doktorit që e kishte me vete. Ai ta bënte gati çantën e ndihmës së shpejtë. Për të kaluar nga njëri breg në tjetrin nuk ishte e lehtë. Përroi ishte me hon të thellë. Nikolla Basho i hipi kalit dhe mori fuqi që nga cepi i livadhit. Dhe kali me kalorsin Nikolla Bashon fluturoi nga njëri breg në tjetrin. Por kali theu këmbën dhe në Livadhet e Kozelit hingëllinte i çal. E shqyen tufat me ujqër. Niklla Basho priti pas gjyqit që në burg të vinte Kadri Hazbiu dhe t’i kujtonte një sekret. Vëllai i Nikolla Bashos, Andrea, i kishte çuar Kadri Hazbiut një vllakë të bukur. E kishte marë në Mexhide. Thuhet se Kadri Hazbiu e mbante vllakën e bukur si dashnore në Klubin e Gjuetarvë në Lezhë. Vet Kadri Hazbiu këndonte labçe këngën për vllakën e bukur: /Vllakë e bukur vllakë/ / Ti u bëfsh thëngjill e flakë/ /Ç’faj moj të kanë gratë/ /Që ua le jorganët thatë/.
-Si kanë reaguar familjarët e të pushkatuarve? Konkretisht gratë si vepruan pas vendimit?
Gruaja e Nikolla Bashos, Sotirës, i bie të fikët në malin e Gramozit kur pas pushkatimit të burrit e shikon atë afër vijës së kufirit me Greqinë.
Tragjedia e tre vllenjëve të pushkatuar, paçka se nuk thuhet gjë në dosje, ajo ka shumë kulme. Ishte marë vendimi i gjyqit për pushkatimin e tre vllenjëve Jorgji Cukali, Nikolla Basho dhe Nikolla Goëi. 12 vllenjtë e tjerë u dënuan me nga 25 vjet. Për ta takuar për herë të fundit i ati i Nikolla Bashos, Naqja, ngarkohet me ushqime në stan në Gramoz dhe niset për tek i biri në burgun e Tiranës. Naqja u nis, por askush nuk di se çfarë ndodhi në burgun e Tiranës. Familja i kishte dhënë porosi Naqes që ai të mos vonohej se të gjithë ishin në hall të madh. Ata kishin merak nëse do ta takonte të birin Nikolla Bashon. Shpresonin që ai të mos ishte pushkatuar. I ati Naqja ta gjente të gjallë. E shoqja e Naqes, Parashqevia, i thotë burrit se ajo po e priste në majë të shkëmbit të Bletës. Nëse Naqja vonohej shumë ajo do të hidhej nga shkëmbi. Por për habi Naqja nuk u kthye në stan në Gramoz as të nesërmen dhe as pas 25 vjetësh. Fillun hamendjet në stan në Gramoz dhe në Mursi të Sarandës. Shumë vllenj e kishin parë Naqen së bashku me të birin në pazarin e gjësë së gjallë në Janinë. Pas këtij lajmi jeta në familjen e Nikolla Bashos bëhet edhe më e çuditëshme. Shteti i Enver Hoxhës nuk e internoi familjen e tij. Të tjerët përfunduan në Thumanë e në Grabian të Lushnjes. Sigurimi i Shtetit sillej mirë me njerëzit e famijles. E shoqja e Nikolla Bashos, Sotira, tregon dhe një ngjarje që ta bën mishin kokrra. Sotira ishte në kullot me bagëtitë në cep të Gramozit. Pak më tutje ishte një stan i barinjëve vllenj që ndarja e kufirit i kishte lënë në anën e grekut. Stani i grekut ishte mbi një shkëmb në formën e një sofre të madhe. Një nga vllenjtë me gunë në kokë, që nuk donte të shfaqej merte një formë djathi dhe e rrokulliste në greminë. Forma e djathit nuk shkërmoqej. Vllahu e përsëriti disa herë këtë skenë. Rrrota e djathit nuk coptohej. O zot thotë Sotira vllahisht. Ç’po më shohin sytë? Provat me rrotën e djathit i bënte burri i saj Nikolla Basho në malin e Lenies. Nikolla e zinte aq mirë farën e djathit sa kur ai e rrokulliste në honin e Lenies rrota e dajthit si të qe top futbolli hidhej shkëmb mbi shkëmb dhe nuk ndahej as në dysh. Sotira që po shikonte shfaqjen e vllaut me gunë në kokë i thotë vetes se ky është buri im Nikolla Basho. Ai më njeh dhe po më cingëris mendjen e kokës. Sotira nuk dinte se ç’të bënte. Donte t’i fliste. Por erdhi njësiti i kufirit nga Shqipëria. Dhe vllahu jo shumë larg vazhdonte të lozte me rrotën e djathit. Qënkat të vërteta ato që thuhen thotë Sotira se i shoqi Nikolla Basho është gjallë. Sigurimi e ka nisur me detyra. Dhe Sotira pati shpresë që një ditë ajo ta takonte të shoqin Nikolla Bashon. Por ajo ditë nuk erdhi.
-Ju thatë se fëmijët po i këkrojnë eshtrat e baballarëve. Diccka më konkrete?
Dhimitër Basho është në kërkim të magnetofonit ku janë të regjistuar zërat e Jorgji Cukalit, Nikolla Bashos dhe Nikolla Goçit.
Dhimitër Basho ka vite që endet me kazma e lopata nëpër varret e fshehta të diktaturës në pyllin e Dajtit, ku gjenden kufomat e të pushkatuarve. Më shpesh Dhimitri gjendet tek Drejtoria e Radio Tiranës. Ai ka informacion se gjyqi i grupit të vllehëve është i inçizuar. Ka qenë urdhër i Mehmet Shehut. Që gjyqi është inçizuar kjo as që vihet në dyshim. Pjesë nga gjyqi i inçizuar i ka transmentuar ato ditë dhe Radio Tirana. Dhe Dhimitër Basho pyet se ku mund të jetë shiriti me zërat e të akuzuarve. Ka kaluar një jetë. Dhimtër Basho është futur dhe në Arkivin e Ministrisë së Brendshme. Mirë që nuk gjenden eshtrat e të pushkatuarve Jorgj Cukali, Nikolla Basho dhe Nikolla Goçi, por së paku të gjendet shiriti me zërat e tyre. Do të ishte një ngushëllim i madh. Në festat familjare do të dëgjohet dhe zëri i Nikolla Bashos. Pilua, i vëllai i Nikolla Goçit, i cili nuk u pushkatua ka thënë se ai e ka parë me sytë e tij magnetofonin sa një dash stani. Ishte magnetofon i prodhimit rus. Po ku mund të jetë ky magnetofon? Dhe Dhimitër Bashos nëpër arkiva i japin shpresë. Ai do ta dëgjojë një ditë zërin e atit të tij Nikolla Bashos. Pilo Goçi ka thënë se të 15 vllehët janë mbrojtur si shqipe mali. As që u kishte shkuar ndër mend që të organizonin ndonjë kryengritje të armatosur. E gjitha ishte një inskenim dhe intrigë.
Presion në hetuesi dhe në gjyq me figurën e vllahut Ndina Janos, i cili për martesën e Mbretit Zog shpuri si dhuratë 40 desh dhe 40 dema.
Në komunitetin arumun në Shqipëri ka lënë emër të madh vllahu Ndina Jano, që në ato mote mbante gradën e “çelnikut”. Ai kishte si pronë 20. 000 dhen dhe mijëra hektarë kullotash në male të pambarimta. Me ardhjen e komunistëve në pushtet Ndina Janos ju mor e gjithë pasuria. Atij nuk ju bë asnjë lloj gjyqi dhe e zhdukën pa lënë gjurmë, Thonë se pasi e vranë dhe ia dogjën trupin: hirin ja hodhën në det në Ujin e Ftohtë në Vlorë. Vllahu Ndina Jano mbahet mend për bëmat e tij si bamirës. E ftoi mbreti Zog në dasëm dhe ai i çoi tek obori mbretëror 40 desh e dyzet dema. Për të stolisur deshët dhe demat që do t’i shikonte mbreti punuan mbi njëqind gra vllahe. Ato punuan gjashtë muaj dhe i stolisën deshët dhe demat sa mbetën pa mend dasmorët e mbretit Zog. Mbretëresha Geraldinë bëri shumë fotografi në mes të deshëve të stolisur për dasmën e madhe. Mbreti Zog kur e shikonte në mes të deshëve e ngacmonte mbretëreshën.
Në hetuesi dhe në gjyq të akuzuarit Jorgji Cukali, Niklla Basho dhe Nikolla Goçi u bënin presion me figurën e Ndina Janos. Flisni për “kryengritjen e armatosur” ose do t’ju zhdukim njëlloj si Ndina Janon. Dhe hetuesit e mbajtën fjalën. Të tre vllehët me emër u zhdukën pa nam e pa nishan. Po bëhen 60 vjet dhe të afërmit i kërkojnë dhe nuk i gjejnë dot. Së paku një shenjë.
Në Xarrë të Sarandës luhet një shfaqje hamletiane
Më datën 20 gusht të vitit 1962 në fushën e Xarrës në Sarandë, rreth njëqind metra larg nga vahu i Butrintit, Sigurimi i Shtetit mblodhi të gjithë vllehët e jugut. I gjetën dhe i morën me makina, me mushka, me kuaj, në këmbë, pleq të sëmurë e vllaka shtatzëna. Qindra vllehë. Të gjithë ngrinin supet. Ishin grumbulluar përfaqësues të familjeve të vllehëve që nga Vithkuqi, Gramozi, Gërmenji, Leskoviku, Durrësi, Vlora e Gjirokastra. Vllehët i flisnin njëri – tjetrit vllahisht e vështronin të çorientuar. Fusha e Xarrës ishte zbukuruar me flamuj e banderola. Në qendër të fushës së qëndisur ishin vendosur disa qendra zëri në madhësinë e deshëve të rracës. Altoporlantët qenë lidhur në të katër anët e Fushës së Xarrës të gjerë sa një aeroport. Në orën dhjetë tek mikrofoni në qendër të vllehëve të ulur këmbëkryq e mori fjalën Mihallaq Ziçishti. Ai i vuri në dijeni të gjithë vllehët se Radio Tirana do të transmetonte direkt që nga salla e gjyqit procesin ndaj armiqve të popullit Jorgji Cukali, Nikolla Basho dhe Nikolla Goçi. Nuk vonoi dhe u hapën altoporlantët. Spikeri i Radio Tiranës tha me zë të tingëllueshëm se po transmetojmë nga salla e gjyqit ato që do të thonë për popullin shqiptar armiqtë Jorgji Cukali, Nikolla Basho dhe Nikolla Goçi. Gjëmuan altoporlantët. Kryetari i trupit gjykues tha: – I pandehuri Nikolla Goçi! Tregoi popullit se sa herë je takuar në malin e Gramozit dhe në Qafën e Botës me Drejtorin e Asfalisë greke të Athinës? Nuk jam takuar asnjëherë tha me zë të lartë Nikolla Goçi. Në rradhën e parë rrinte gruaja e Nikolla Goçit, Theodhora. Ajo sa dëgjoi zërin në Radio Tirana të burrit të saj, Nikollës, i shpërtheu gjaku nga hundët. Dhe i ra të fikët. E ngriti në krahë Sigurimi i Shtetit. Zbulimi i Jashtëm i Shqipërisë e dinte se në ndonjë cep mes qindra vllehëve do të ishte dhe Asfalia Greke, që filmonte për llogari të saj. Asfalia e dinte se akuza që u bëhej vllehëve për “kryengritje të armatosur” ishte një flluckë sapuni. Grekërit e dinin se Sigurimi i Shqipërisë synonte të shtinte në duar lidhjet e Asfalisë me vllehët e Shqipërisë, që banonin afër vijës së kufirit me Greqinë.
Jorgji Cukali, Nikolla Basho dhe Nikolla Goçi e thanë troç në gjyq se ishin tolstojan. Vllehët nuk e kundërshtojnë të keqen me dhunë. Gjermanët i pritëm me tufa me lule dhe ata na vranë.
Në sallën e gjyqit Jorgji Cukali, Nikolla Basho dhe Nikolla Goçi deklaruan se prindërit e tyre në kohën e luftës: forcave gjermane u therën dhe u poqën mishra në hell. Për vllehët gjermanët ishin një karvan udhëtarësh. E megjithatë gjermanët u treguan të pabesë. I qëlluan dhe i vranë prindërit tanë thanë të akuzuarit. Jorgji Cukali i vë në tavolinë trupit gjykues një kasetë me këngë në gjuhën vllahe. Është një këngë e kënduar me klarinetë. Teksti bën fjalë për një ngjarje në Qafën e Botës në Sarandë. Trupat gjermane erdhën nga Greqia. Vllehët u dolën përpara me tufa me lule dhe me këngë. Bënë dhe kurban. Por komandanti gjerman hapi zjarr. Refreni i këngës thotë në vllahisht. Ne ju pritëm me lule e me mish të pjekur dhe ju na vratë. Përse?
Ky gjykim i ka habitur gjyqtarët. Të akuzuarit thanë se në stanet e Kozelit ka ardhur Kadri Hazbiu dhe oficerë grekë. Ne s’kishim punë me njeri. Ruanim bagëtitë dhe pronat tona. Me oficerët grek takohej dhe Kadri Hazbiu. Ç’kryengritje përgatitëm ne në Kozel? Si mund të na vrisni kot së koti? Kallashnikovi ynë është kërraba.
Mehmet Shehu në qelinë e burgut të Teme Sejkos
Gjykata e Armiqve të Popullit e kishte marrë vendimin për pushkatimin e Jorgji Cukalit, të Nikolla Bashos dhe të Nikolla Goçit. 13 vllehët e tjerë ishin dënuar me nga 25 vjet burg. Pati dhe dënime më të lehta.
Disa nga vllehët që ishin fqinj me qelinë e Teme Sejkos e pikasën Mehmet Shehun, që u fut dhe qëndroi katër orë në qelinë e Teme Sejkos. Vëllai i Nikolla Goçit, Pali, ka treguar se Mehmet Shehu i bërtiste Teme Sejkos. Nuk dihet se përse! Gjatë orarit të ajrimit Pilo Goçi i tregon Nikollës të gjitha skenat që kishte parë midis Mehmet Shehut dhe Teme Sejkos. Nikolla Goçi kishte vënë duart në kokë. Si në hetuesi dhe në gjyq çfarë nuk u kishte thënë Sigurimi i Shtetit për takimet e fshehta, që kishin bërë me Teme Sejkon. Takimet i paskeshin bërë në tokën e Shqipërisë në Konispol dhe në Filat të Çamërisë. Të gjithë të akuzarve u kërkohej të tregonin se çfarë u kishte thënë Teme Sejkua për “organizimin e kryengritjes së armatosur”. Tmerr i kishte thënë të vëllait, Pilos, Nikolla Goçi që kishte qenë drejtor i Fermës së Vrinës. As ai, as Jorgji Cukali dhe as Nikolla Basho nuk ishin takuar ndonjëherë në jetë me Teme Sejkon. As që e dinin që ai ishte admiral i Flotës Detare. Vllehët që mbetën gjallë mësuan nëpër burgje se Teme Sejkon e kishin torturuar në qeli në Durrës dhe pasi e kishin mbytur e kishin varrosur në kodrat e Sukthit. Trupi i tij nuk gjet kurrë.