Maksut Liçollari/ Krimet e përbindshme të nazistëve e ballistëve

1249
Sigal

Internimi i 104 vlonjatëve në kampet e shfarosjes naziste dhe vrasja e 12 prej tyre në Guvi të Strugës

Në këtë shkrim bëhet fjalë për internimin e 104 qytetarëve vlonjatë në tetor të vitit 1943 nga naziballistët, dërgimin në kampet naziste të shfarosjes si dhe për vrasjen e 12 burrave vlonjatë në fshatin Guvi të Strugës e ngjarjen e jashtëzakonshme të varrimit të tyre nga banorët e këtij fshati. Studenti, dëshmori i shkollës Tregtare të Vlorës, Xhuvel Xhemali, më kërkoi të shkoja te spitali i Ujit të Ftohtë e të merrja ilaçe, por më arrestuan rrugës dhe më çuan në burg. Aty ishin edhe 60 të tjerë midis tyre edhe bashkëfshatarët Çaush Sinani e Delo Brahimi. Në burg u miqësova me një moshatar nga Dukati. Çdo mëngjes vinin e kërkonin forca pune. Gardiani ua jepte me numër, firmosnin në një regjistër e largoheshin. Në kthim ishin të detyruar t’i dorëzonin aq sa morën. Më 6 tetor 1943 u vra me atentat Aziz Sharra njeri i bezdisur për familjet që ishin me luftën. Pushtuesit gjermanë e shfrytëzuan këtë atentat, megjithëse nuk i lidhte asgjë me të. Mezi prisnin që t’i jepnin Vlorës një mësim të mirë. U lidhën nazistë e ballistë e u morën vesh për t’i dhënë goditje familjeve të Luftës. Bënë listën e 104 vlonjatëve. Ndër ta, përveç atyre që ishin të lidhur me luftën, kishte edhe nga ata për larje hesapesh, tregtarë e njerëz të thjeshtë të pafajshëm siç ishin edhe dy vëllezërit Vidhi që i vunë në listë për t’i shfarosur. Eshtë me të vërtetë e pabesueshme që për katër ditë u gjetën personat që që do të arrestoheshin natën duke u gdhirë 11 tetori 1943.  Gjermanët, me ndihmën e vëllezërve të tyre ballistë, që i kishin informuar për gjithçka dhe ua kishin bërë listat gati, filluan arrestimet sipas grupeve e të dhënave që u kishin shkruar ballistët. Qysh më parë kishin prurë para burgut dy makina. Na nxorën nën masa të rrepta sigurie. Si asnjëherë tjetër nuk lanë në burg asnjeri. Sa kaluam burgun, në qoshen e tij, pamë shumë burra të ngjeshur me njëri tjetrin dhe përballë hitlerianë me helmeta dhe automatikë në gjoks gati për zjarr dhe ballistë të veshur me rroba gjermanësh. Roja e komandaturës nga me automatik që mbante zakonisht, atë ditë ishte me mitraloz sharrs. Makinat na çuan në një luginë afër shtëpive të kaninjotit, Isa Lamani në mesin e të cilës ishte një kodër që donin ta ktheni në vendstrehim. Drekën na e prunë aty…. Një bukë sa grushti, e zezë si bajgë lope, domate të ziera me sheqer… (Edhe tashti, mbas 70 e ca vjetëve kur i kujtoj me shtjellohet)…

Na kthyen kur kishte filluar errësira. Sheshi para bregut qe mbushur me burra e gra. I prapsën të gjithë derisa na futen ne brenda. Këto familje kishin prure rroba për fjetje dhe ushqime për të afërmit që ishin arrestuar. Gjermanët nga frika e një revolte mbarëqytetare pranuan të merrnin çdo gjë. Në mesnatën e 11 duke u gdhirë 12 tetori dëgjuam  zhurmë makinash që qëndruan para burgut. Brenda u fut një grup i madh ushtarësh duke krijuar një gardh. Na shtynë më tutje për të mos parë gjë… Për fat të keq me ta ishte edhe shoku im… Menjëherë i ulën poshtë dhe i hipën nëpër makina duke i nisur nëpër kampet hitleriane të shfarosjes. Në pranverën e vitit 1945, më caktuan përgjegjës të një autokolone me 10 makina që ngarkonim fuçi me vajguri tek ura e Hasan Beut dhe i çonim në Strugë. Në Qershor 1945 komanda e Brigadës III Sulmuese Partizane që ende nuk qe kthyer në Atdhe më kërkoi që njërën nga makinat të mos e ngarkoja. Në makinë do të ngarkoheshin arkivolet e 12 dëshmorëve vlonjatë të internuar në tetorin e 1943.  U trondita… Me ta mund të ishte edhe arkivoli im, se atë natë kam qenë edhe unë në burg… U kërkova drejtuesve të këtij misioni të shkoja me ta, se aty do të gjeja shokun e paharruar që atë natë gjermanët na e rrëmbyen. U nisëm nga Struga për në fshatin Guvi rrethi i Ohërit. Shkuam te vendi. Aty ishin 12 arkivolet me dëshmorët. Arkivolet ishin të vegjël sa për eshtrat, por të përgatitur me shumë kujdes. Në secilin arkivol ishin vendosur emrat. Ishin mbledhur jo vetëm gjithë banorët e këtij fshati, por edhe nga fshatrat përreth, edhe nga qyteti. Dikush foli për ngjarjen e veprën e tyre. Një goxha burrë vendas më tregoi se kishin parë autokolonën e madhe me makina të mbyllura. “Nuk e dinin ç’kishin brenda, por dyshuam, nis tregimin ai. Përpara dhe mbrapa autokolonës lëviznin autoblinda e makina plot me nazistë. Qëndruan diku. Vendi nuk na lejonte të shikonim se çfarë po bënin… Por dëgjuam krisma të shumta. Mbas largimit të tyre shkuam atje. U tronditëm shumë kur pamë 12 burra të mbytur në gjak… Nazistët i vranë e u larguan. Edhe përse nuk i njihnim e se dinim nga ishin nuk mund t’i linim aty. Kryetari i Këshillit Nacionalçlirimtar të fshatit na tha t’i largonim menjëherë me se të mundim.  I morëm e i çuam në fshat, i pastruam dhe pasi shtruam e rregulluam një hangar, i vumë  përbri njëri-tjetrit  të 12 –të dhe i mbuluam me çarçafë. Atë natë nuk fjeti kush në fshat. Fshati ishte në zi. Qanin gratë e fëmijët, sepse  vdekjet gjithnjë shkaktojnë lot e pikëllime. Aq më tepër që kishin 12 xhenaze edhe pse nuk i njihnin e nuk i dinin ç’ishin… Ne dimë t’i respektojmë të vdekurit e mortjen. Ajo që na dhembte më shumë qe se këta fatkeq nuk kishin pranë asnjë të afërm që t’i qante dhe për më tepër se të afërmit e tyre nuk e dinin ku ishin e ç’kishte ndodhur me ta. Ne ishim të bindur se ata ishin njerëz të mirë përderisa vranë nazistët. Na takoi neve t’u bënim shërbimin e fundit dhe ua bëmë atë me të gjitha rregullat e ritet. E kemi burrë të mençur kryetarin e këshillit. Si qeveri e vendit dha udhëzime e ndau detyra. Varrimi nuk do të bëhet fshatçe, por nga 12 familje, tha kryetari. Nuk duhet të mungojë ndihma e bashkëfshatarëve, se për ta do të bëhen shpenzime. Ti çoni te varrezat e familjes ose aty afër tyre, të kujdeseni të mos humbasin se nuk i dihet kur do të mbarojë lufta… Arkivolet do t’i bëjmë këtu në fshat, jo në qytet, që të mos na zbulojnë çetnikët (ballistët), do t’i veshim me rroba të reja. Përse do t’ua themi ne në fund. Sipas zakonit duhet të bëni drekën e mortit… Në banesën e fundit nuk do t’i nisim nga këtu, se është turp, por nga familjet që do të marrin përsipër varrimin e tyre… Tani po u pyes: kush do ta marrë përsipër këtë barrë? Ne këshilltarët do të marrim 7, se aq jemi. Po 5 të tjerët kush do t’i marrë? Dolën shumë vullnetarë që shprehën gatishmërinë për t’i marrë xhenazet…. U caktuan aq sa duheshin. Ne që i morëm përsipër tashti duhet të largohemi se kemi punë. Ju të tjerët rrini këtu deri mbas mesnate dhe të tjerët mbas mesnate deri në mëngjes. Kryetari ynë, që di se çfarë bën, jo pa qëllim na kërkoi t’i vishnim me rroba të reja. Këtë nuk e bëri vetëm në shenjë respekti për ta, por për një problem tjetër, më të rëndësishëm. Na porositi që veshmbathjet e tyre t’i fusnin nëpër thasë e t’i ruanin me kujdes, se të afërmit, mbas çlirimit, do ti kërkojnë, na tha. Do të jemi ne që do t’i sqarojmë ata. Nga koha e ngjarjes e deri tashti kanë kaluar afro 21 muaj. Që ishin shqiptarë nuk u vu në dyshim.  Mbas çlirimit nga ne duhej gjetur qyteti nga ishin, të njoftohej pushteti i atjeshëm  dhe familjet e tyre. Këshilli ynë u vu në lëvizje u lidh me shtetin shqiptar apo me kë nuk e di. Sidoqoftë ai e gjeti, se ata ishin nga Vlora. Porosia për ruajtjen e teshave qe punë me mend se nëpërmjet tyre do të njihnin të afërmit njerëzit e tyre familjet ishin shumë ato nuk mund të vinin të gjitha tek ne për 12 veta. U gjend zgjidhja. Por për të ardhur deri këtu u deshën 6 muaj Janar – Qershor 1945. Nga Vlora erdhën disa dhe morën thasët me veshmbathjen. Në secilin thes u vendos nga një letër me emrat e atyre që kishin bërë varrimin. Mbas një kohe u kthyen vetëm letrat me shkrimin që kishte emrat e mbiemrat e të vrarëve. Unë me familjen time kishim varrosur Miço Jeminin”. Kaq ishte tregimi i atij burri shqiptar të jashtëzakonshëm që edhe pse mezi e merrja vesh dialektin e tij, ishte dëshmia më interesante dhe më humane që nuk e ka as arkivi i shtetit e as arkivi i Vlorës. Nga të gjithë emrat mu ngulitën në mendje 2 prej tyre:  i Miços dhe një mbiemër Peja. Ngaqë nuk e njihja qytetin thashë me vete po ky ç’deshi në Vlorë? Më vonë e mora vesh se qenkësh Sami Imami…