Qytetarët duhet të mbajnë 70 euro për të rritur dhe 30 euro për fëmijë në para të gatshme në rast se sistemet elektronike të pagesave dalin jashtë funksionit, tha Banka Qendrore e Holandës.
Banka Qendrore e Holandës (DNB) u ka rekomanduar qytetarëve të mbajnë mjaftueshëm para’ të gatshme për t’u mjaftuar për tri ditë në rast katastrofe apo emergjence, duke përmendur tensionet gjeopolitike në rritje dhe kërcënimet kibernetike që mund të vënë në rrezik sistemin e pagesave në vend.
Qytetarët duhet të mbajnë 70 euro për çdo të rritur dhe 30 euro për çdo fëmijë si masë paraprake, paralajmëroi banka këtë javë.
Këto para duhet të jenë të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e nevojshme për 72 orë “si për ujë, ushqim, ilaçe dhe transport”, thuhet në deklaratë.
“Mendoni për një ndërprerje të energjisë elektrike, një problem teknik në bankën tuaj ose rënien e lidhjes Wi-Fi. Atëherë mund të mos jeni në gjendje të paguani si zakonisht. Por pagesa me para në dorë është pothuajse gjithmonë e mundur,” thuhet në njoftimin e DNB-së.
Rekomandimi “erdhi si pasojë e tensioneve gjeopolitike në rritje dhe kërcënimeve kibernetike që mund të sfidojnë sistemin tonë të pagesave”, shtoi ajo.
Përveç mbajtjes së parasë së gatshme, DNB sugjeroi që njerëzit të kenë gjithashtu një kartë debiti dhe të përdorin pagesa pa kontakt përmes telefonit ose orës inteligjente.
Paralajmërimi i bankës vjen pas një ndërprerjeje masive të energjisë që goditi Spanjën dhe Portugalinë më 28 prill. Shkaqet e errësirës së plotë janë ende në hetim.
Sistemet e pagesave me kartë dolën jashtë funksioni dhe bankomatet nuk punonin, që do të thoshte se shumë njerëz në të dy vendet u detyruan të mbështeteshin te paraja fizike për të blerë ujë, ushqim, elektrik dore dhe radio me bateri për të qëndruar të informuar.
Komisioni Evropian publikoi në mars një plan përgatitor që inkurajonte publikun të mbante furnizime të mjaftueshme për të paktën 72 orë në rast emergjencash si fatkeqësi natyrore apo konflikte.
Plani listonte artikuj si para’ cash, ilaçe, karikues portativ (power bank) dhe një radio.