Sigal

Temperatura rekord janë regjistruar në Australi, duke bërë që pjesë të vendit të jenë në alarm për shkak të rrezikut nga zjarret.

“Marble Bar” në Australinë veriperëndimore theu rekordin e të gjithë kohërave, të enjten, duke shënuar 49.3 gradë Celsius.

Në North Victoria u shënuan temperatura prej 44 gradë Celsius, ndërsa në New South Wales, mërkuri u ngrit në 45 gradë.

Buroja e Meteorologjisë, të premten parashikoi vijimin e këtyre temperaturave, ndërkohë që rajoni i Sidneit nuk do të përjetojë temperatura nën 30 gradë Celsius, të paktën deri në mesin e javës së ardhshme.

“Rekordi i mëparshëm i dhjetorit është 47 gradë Celsius, që u regjistrua 3 vite më parë. Ndaj mund të themi se kemi parë një shembje të rekordeve”, tha Diana Eadie, meteorologe.

Sipas ekspertëve, kushtet për zjarre katastrofike janë tashmë konkrete në pjesë të ndryshme të Australisë së jugut, pasi erërat e forta jugore kanë nisur të fryjnë në këtë zonë.