Akademik Kopi Kyçyku/ Terrorizmi: sëmundje pa shërim?

600
Sigal

 

Terrorizmi, i përhapur kudo në botë, po shqetëson përherë e më shumë bashkësinë botërore

Terrorizmi, i përhapur kudo në botë, po shqetëson përherë e më shumë bashkësinë botërore. Makina-kurth që shpërthejnë, avionë apo anije që devijohen, pengje që mbahen për një kohë të pacaktuar në robëri, bomba që shkatërrojnë ndërtesa dhe vrasin njerëz të pafajshëm dhe sa e sa forma të tjera të terrorizmit! Mjetet e mënyrat e veprimit të këtij të fundit, të vështira për t’u parandaluar, synojnë në radhë të parë të krijojnë një gjendje paniku, pasigurie dhe paqëndrueshmërie. Terrorizmi dallohet nga vrasjet politike tradicionale, të cilat, që nga Jul Qezari deri tek Xhon Kenedi e që nga Anvar Sadati deri tek Jitzhak Rabini, kanë vënë në shënjestër asgjësimin e udhëheqësve politikë.  Terrorizmi zbaton vrasje kolektive dhe kaotike dhe përpiqet të krijojë përshtypjen se shteti është i pazoti ta frenojë. Motivet që qëndrojnë në themel të veprimeve terroriste janë të ndryshme. Dikur ato ishin të lidhura me interesa financiare. Të tilla kanë qenë përleshjet e përgjakshme ndërmjet gangsterëve në periudhën e ndalimit të pijeve alkoolike në SHBA; kacafytjet midis klaneve rivale të mafies siçiliane, si dhe të kësaj të fundit me policinë dhe drejtësinë italiane; konfliktet e pareshtura të trafikantëve të drogës në Kolumbi e gjetkë me organet e rendit. Por ka edhe terrorizëm për arsye politike, ideologjike dhe sociale. Ndër më të spikaturat e kësaj kategorie janë lëvizjet separatiste: ETA në Spanjë dhe IRA në Irlandën e Veriut; “Brigadat e Kuqe” në Itali, “Shtegu i ndritshëm” në Peru, njësitet e armatosura të hakmarrjes armene që kanë vrarë shumë diplomatë turq të akredituar në vende të ndryshme të botës, apo grupimet neonaziste dhe neofashiste në disa vende të Europës Perëndimore.  Por shembulli më tipik i terrorizmit, me rrënjë politike dhe ideologjike, gjendet në Lindjen e Mesme, i cili zuri fill me konfliktin arabo-izraelit të vitit 1967. Lëvizja e quajtur Intifada u ngjiz dhe mori përmasa gjithnjë e më të mëdha në territoret arabe të pushtuara nga Izraeli, duke shkaktuar përplasje të pareshtura të luftëtarëve të saj me forcat e rendit të qeverisë izraelite. Por agresivitetin më të madh terrorizmi e ka pasur në aksionet e ndërmarra nga lëvizjet “Hamas” dhe “Xhihadi islamik”, të frymëzuara tradicionalisht e të përkrahura nga Irani, duke i sjellë dëme serioze procesit të paqes, që zuri fill në shtator 1993 ndërmjet Izraelit dhe Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OÇP). Konflikti i Lindjes së Mesme nuk ka vetëm karakter territorial, por, siç e vumë në dukje më lart, edhe ideologjik e shpirtëror-fetar, midis Islamit e Judaizmit. Rol jo më pak negativ kanë luajtur në këtë aspekt aksionet e ndërmarra nga ekstremistët e djathtë izraelitë, si masakrat në Hebron e në Gaza, apo vrasja e Kryeministrit izraelit Jitzhak Rabin. Kësisoj terrorizmi është bërë faktori kryesor turbullues, destabilizues dhe minues i procesit të paqes në Lindjen e Mesme. Në bllokimin e procesit të paqes në këtë zonë të nxehtë kanë ndikuar negativisht, si qëndrimi intransigjent i qeverisë së djathtë të Benjiamin Netanjahut, ashtu edhe paaftësia e qeverisë palestineze jo vetëm për t’u distancuar nga lëvizjet ekstremiste, por edhe për t’i frenuar ato. Por terrorizmi nuk duhet këqyrur si një sëmundje e pashërueshme. Kuptimi i saktë i shkaqeve të terrorizmit është thelbësor për përcaktimin e strategjive të efektshme për luftimin e kësaj dukurie, si dhe për pakësimin e numrit të viktimave e të pasojave negative në rrafsh social, politik dhe ekonomik. Pra së gjithash duhet mbajtur shumë mirë parasysh fakti që nuk mund të ekzistojë asnjë lloj përligjjeje morale për veprimet terroriste, pavarësisht nga përpjekjet që bëjnë autorët e tyre për ta nxjerrë veten të larë. Gjithashtu, kuptimi i shkaqeve të terrorizmit nuk ka të bëjë aspak me qëndrimin kapitullues apo me përmbushjen e kërkesave trysnyese të grupeve terroriste. Meqenëse terrorizmi përfaqëson një kërcënim për sigurinë, lirinë dhe vlerat e qytetarëve të Bashkimit Europian, masat e ndërmarra nga Bashkimi Europian synojnë të japin në përgjigje të efektshme për ta luftuar këtë dukuri të rrezikshme. Parandalimi, mbrojtja, ndjekja dhe përgjigja përkatëse janë katër boshtet e trajtimit global të formuluar nga Bashkimi Europian. Duke parandaluar dhe asgjësuar aktet terroriste, Bashkimi Europian mbron njëherazi infrastrukturat dhe qytetarët. Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe bashkërendimi i veprimeve të organeve që janë përgjegjëse për zbatimin e ligjeve, si dhe ndërmjet autoritetet gjyqësore në kuadrin e Bashkimit Europian, janë thelbësore për të garantuar frytshmërinë e luftës kundër terrorizmit, kësaj dukurie transnacionale. Traktati i Amsterdamit hodhi themelet e aksioneve të mësipërme, të cilat u thelluan sidomos pas sulmeve terroriste në SHBA (2001) dhe në Europë (Madrid, 2004 dhe Londër, 2005). Në plan të parë dolën futja e elementëve biometrikë në pasaportat dhe në dokumentet e udhëtimit; shkëmbimi i të dhënave të dobishme për të luftuar terrorizmin; përmirësimi i shkallës së sigurisë së lëndëve shpërthyese; bashkëpunimi me Qendrën Afrikane të Studimit dhe Hulumtimit të Terrorizmit etj..

Evoluimi i dukurisë terroriste gjatë viteve të fundit ka nxjerrë në pah të tjera prirje përsa u përket mënyrave se si vepron dhe pikërisht: prirja për të organizuar sulme kundër grumbullimeve të mëdha të njerëzve; prirja për të organizuar sulme me substanca vdekjeprurëse; prirja për të organizuar sulme që rrezikojnë ekonomitë kombëtare me anën e shpërthimit të bombave në qendra financiare dhe tregtare me peshë të madhe; shkallëzimi i sulmeve që shoqërohen me marrje pengjesh për të siguruar fonde monetare nga familjarë apo qeveri; fuqizimi i bashkëpunimit midis grupeve terroriste dhe grupimeve të krimit të organizuar; shtimi i akteve të terrorizmit me vetëvrasje, që e kanë burimin në faktorë psiko-socialë dhe fanatikë. Mikrobi vdekjeprurës me emrin terrorizëm mund të asgjësohet me veprime sistematike të bashkërenduara e të mirëmenduara të bashkësisë ndërkombëtare. Përçapjet diplomatike kanë peshë të veçantë. Hap përpara ishte nënshkrimi më 26 tetor 1993 i traktatit të paqes izraelito-jordanez, që duhet të ndiqet nga negociata dhe nënshkrim marrëveshjesh të ngjashme midis Izraelit dhe Libanit, Sirisë e vendeve të tjera arabe. Nga ana tjetër në normalizimin e marrëdhënieve në Lindjen e Mesme përmasa ekonomike është me rëndësi të veçantë, çka u vërejt qysh në Mbledhjen Ekonomike të nivelit të lartë në Kazblanka të Marokut (30 tetor-1 nëntor 1994). Përfaqësues të 61 vendeve dhe mbi një mijë afaristë, të ardhur nga të katër anët e botës, u shprehën atje  për vendosjen e një paqeje gjithëpërfshirëse dhe për një partneritet biznesi dhe ndërqeveritar, që do të ndikonte konkretisht në çuarjen përpara, drejt suksesit, të procesit të paqes në rajon. Deklarata e Kazablankës evidentoi potencialin ekonomik të Lindjes së Mesme dhe të Afrikës së Veriut, zbërtheu mënyrat dhe përcaktoi mjetet për shpejtimin e zhvillimit ekonomik të vendeve të rajonit, si dhe kapërcimin e pengesave që bllokojnë shkëmbimet tregtare dhe politikat e investimeve. Ndër të tjera, theksi u vu në hapjen e kufijve të territoreve palestineze për fuqinë punëtore, turizëm dhe tregti; hedhjen e bazave për një Bashkësi Ekonomike për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut; krijimin e një komiteti rajonal për turizmin dhe të një Dhome Rajonale të Tregtisë, të një këshilli biznesi për sektorin privat, si dhe ngritjen e disa strukturave logjistike për zbatimin në jetë të projekteve të lartpërmendur.

****

“Çetnikët serbë” në lindje të Ukrainës, krah separatistëve rusë

 Një grup vullnetarësh nga Serbia të regjistruar si “Lëvizja çetnike”, aktualisht gjenden në lindje të Ukrainës, duke u rreshtuar me separatistët pro-rusë, ose me siç e quajnë veten “Ushtrinë e Rusisë së Re”. Edhe pse Serbia nuk parasheh sanksionimin e atyre që luftojnë jashtë kufijve të shtetit, mungon distancimi i qartë i Beogradit zyrtar nga grupet e tilla. Pas luftimeve në Krime, ky grup ishte kthyer në Serbi, për t’u rikthyer më pas në lindje të Ukrainës, me qëllimin që siç kanë thënë, “të shpërndajnë ndihmat e mbledhura humanitare”. Zoran Andrejiç prezantohet si pjesëtar i departamentit të Logjistikës në kuadër të Lëvizjes Çetnike në Serbi. Sipas tij, në lindje të Ukrainës gjenden rreth 15 pjesëtarë të këtij grupacioni. “Disa vullnetarë kanë shkuar me shpenzime vetanake për në Moskë dhe kanë ndihmuar shpërndarjen e ndihmave humanitare deri në kufi me Ukrainën. Pushteti i ri kishte propozuar që ndihma të dërgohet në rajonin Lugansk. Nga pjesëtarët e milicisë së atjeshme, çetnikët janë furnizuar me uniforma me shenja të dukshme dhe armatim për mbrojtje personale dhe mbrojtje konvojësh”. “Me rastin e dërgimit të ndihmave, në rrethinën e aeroportit në Lugansk, konvoji është sulmuar. Tre pjesëtarët tanë dhe një rus janë plagosur me armatim artilerie. Pas kësaj ngjarjeje, pjesëtarët e Lëvizjes vendosën të mbeten në Lugansk. Nuk kanë kurrfarë komande zyrtare atje, dhe tani thjesht janë në dispozicion të ushtrisë së Rusisë së Re”, ka thënë Andrejiç, për shërbimin për Ballkanin të Radios Evropa e Lirë. Nga ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk kanë reaguar me rastin e veprimtarisë së këtij grupi në Ukrainë. Aleksandar Radiç, ekspert i Çështjeve të Sigurisë, thotë se ligjërisht, Serbia nuk parasheh ndjekje penale për ata që luftojnë jashtë kufijve të shtetit. Në fakt, ky formacion që prej fillimit të krizës në Ukrainë kishte zbarkuar atje. Atje janë për të ofruar përvojat e tyre, ka thënë komandanti i tyre, Bratislav Zhivkoviç. “Rusët kanë ardhur gjithmonë si vullnetarë në luftërat e serbëve. Në këto të fundit,  në Republikën Srpska ka pasur shumë vullnetarë rusë, kurse ne këtu kemi ardhur të ndajmë përvojat tona që kemi pasur në vendosjen e barrikadave në Kosovë dhe situata të ngjashme”, ka thënë Zhivkoviç. Vetë ata nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe për betejat që po zhvillohen në Ukrainë, por fotografitë dhe porositë që dërgojnë prej andej, nuk është se do t’i ndihmojnë shumë Beogradit zyrtar për të mbajtur një qëndrim neutral ndaj krizës në Ukrainë. Analisti i politikës së jashtme, Boshko Jakshiç, thotë se, zyrtarët serbë do të duhej të përcaktoheshin karshi  aktiviteteve të tilla. “Nëse (Serbia) nuk mund ta ndalojë angazhimin e tyre, atëherë duhet të distancohet nga veprimet e tilla dhe të thotë qartë se shteti nuk qëndron prapa tyre, në mënyrë që të mos lejohet hapësirë interpretimi se Serbia po mbështet kryengritësit në Ukrainë”, ka thënë Jakshiç. Analistët në Serbi megjithatë pajtohen se numri i atyre që janë të rreshtuar nga ana e kryengritësve pro-rusë nuk është shumë i madh, por dëmin që, siç thonë, mund t’ia bëjnë shtetit të Serbisë karshi Perëndimit, nuk duhet lënë mënjanë /

Radio Europa e Lirë/