Servet TARTARI/ Njeriu me 6 plagë, Kadri Aliu “Pisha”

988
Sigal

AI QË NGRITI FLAMURIN MË 28 NËNTOR 1944. (1914-1983)

Kadri Ali Birçe u lind në Bolenë të Kurveleshit më 1915, në një familje me tradita të hershme patriotike. Gjyshi i tij Lesko Duka me të vëllain Sadikun luftuan përkrah Zenel Gjolekës kundër osmanlinjve në vitet 1847. I ati i Kadriut, Aliu me të vëllain Zenelin luftuan kundër shovinistëve grekë në vitet 1912-1914 dhe kundër Italisë më1920

Kadriu ishte entuziast, trim e guximtar, ai luftoi me heroizëm përkrah Asim Zenelit, Hero i Popullit në Grykën e Këlcyrës në Mezhgoran në korrik 1943. Pushka e tij oshtiu dhe bëri kërdinë kundër pushtuesve dhe tradhtarëve të vendit në shtatorin e atij viti në Ujin e Ftohtë të Tepelenës, ku spikat trimëria e rrallë, iniciativa, zgjuarsia dhe aftësia organizuese e drejtuese si komandant i çetës “Hajredin Tremishti”.

Në dhjetor 1943 “Pisha” kalon në grupin e IV partizan “Çamëria”, fillimisht komandant batalioni, duke zhvilluar luftime për çlirimin e vendit në zonë Delvinë-Saranda-Konispol. Më pas Kadriu emërohet zv. Komandant i Brigadës 16 Sulmuese duke zhvilluar luftime në zonën Berat-Fier-Lushnjë dhe deri në çlirimin e vendit.

Kadri Aliu caktohet të ngrejë flamurin kombëtar në atdheun e çliruar më 28 Nëntor 1944 në Tiranë. Flamurin e Skënderbeut e të Ismail Qemalit, flamurin e heroizmit partizan, duke kurorëzuar fitoren përfundimtare të popullit shqiptar përkrah aleatëve të mëdhenj SHBA, BS dhe Anglisë në luftën kundër bishës nazi-fashiste. Aktin e ngritjes së flamurit nga Kadriu, e përjetësoi e motra Esma Derri, një grua labe e cila, kur ai ndërroi jetë midis të tjerash plot dhembje dhe krenari e vajton::

… “Ku kish lindur ai nur,

Në Bolenë fshati gur,

Bëri luftë për vatan,

Ngriti flamurin në Tiranë,

Nuk e lypi po ia dhanë,

Se qe nga trimat e parë,

Të Kurveleshit me famë,

Më Birçe Guxhen 1) kish ngjarë”…

Gjatë luftës u plagos 7 herë, dy plumba i mbajti në trup deri sa vdiq në moshën 69-vjeçare në vitin 1983. Është dekoruar me 16 urdhra e medalje të ndryshme të luftës dhe të punës

  Tregime për Kadri Aliun, bashkëluftëtarët dhe bashkëpunëtorët

 Sofo Papavasili:- Në kohën që unë isha komisar i Grupit të dytë të Kurveleshit dhe Kadri Aliu ishte komandant i grupit të Dytë të Kurveleshit (Qershor-Gusht 1944). Më vonë në Brigadën e 16-të Sulmuese unë isha komisar në batalionin e tretë, Kadri Aliu ishte komandant i batalionit të dytë. Gjatë luftës kemi pasur edhe veprime të përbashkëta, të koordinuara në luftimet partizane. Kjo vazhdoi deri në çlirimin e Shqipërisë. E kam pasur edhe koleg kur unë isha komisar i Brigadës së 16-të, kurse Kadri Aliu ishte zv/Komandant i Brigadës së 16-të Sulmuese.

 Xhafer Peçi, ish -kuadro dhe bashkëluftëtar me Kadri Aliun. Ai jeton edhe sot.

 Kadri Aliun e kam njohur me pseudonimin “Pisha”. Këtë pseudonim e vuri “Heroi i Popullit” Mustafa Matohiti, sepse Kadri Aliu i ngjante pishave shekullore të Bolenës, që u kanë rezistuar stuhive shekullore dhe qëndrojnë edhe sot, që vazhdimisht zgjaten për të treguar kohën e gjatë të tyre dhe qëndrojnë bashkë me shkëmbin. Kështu edhe Kadri Aliu ishte i pamposhtur dhe në krye të luftës ashtu si Çipini i Bolenës qëndrojnë edhe pishat. Ka luftuar krah për krah me Mustafa Matohitin “Hero i Popullit”, Xheladin Beqirin (karadaku) “Hero i Popullit”, Ago Çelin, Ali Lalën, Hasim Zenelin “Hero i Popullit”

Në atë kohë quheshin malet e vetëtimave nga fluturonin gjylet dhe flaka e tytave të pushkëve, por kurrë nuk u rrëzuan, i qëndruan rrebesheve e plumbave. Ato pisha e shpella u bënë mbroje të popullit të Bolenës nga okupatori nazifashist.

Me krijimin e çetës në Çamëri, Kadri Aliu u emërua komandant i çetës “Çamëria”, dhe në vend të tij si komandant i çetës “Hajredin Tremishti” u emërua “Karadaku” (Xheladin Beqiri) bir nga Kosova. Çeta “Çamëria” vepronte në Delvinë, Konispol. Edhe këtu Kadri Aliu u shqua për trimëri dhe një komandant tashmë me përvojë. Në luftimet që ka kryer si në çetën “Hajredin Tremishti” dhe në çetën “Çamëria” është plagosur disa herë. Ajo që dua të theksoj për Kadri Aliun është aftësia, guximi, trimëria dhe zgjuarsia. Në drejtimin e çdo detyre që ju ngarkua u vlerësua nga udhëheqja e krahinës, gëzonte respekt absolut të luftëtarëve që udhëhiqte, por edhe nga populli kudo që luftonte, në luftë ishte pishë, ashtu siç e kishte edhe pseudonimin “Pisha”. Në këto luftime është plagosur disa herë. Për meritat dhe trimërinë e tij Presidiumi Kuvendit Popullor i ka akorduar 16 urdhra dhe medalje në luftë dhe në punë.

Kam qenë dëshmitar okular, kur u njoftuam të mblidheshim tek hotel “Dajti” të rreshtuar. Në këto moment u thirr Kadri Aliu për të ngritur flamurin. Në tribunë tek “Dajti” doli qeveria partizane dhe misioni anglo-amerikan nën tingujt e bandës dhe himnit të flamurit. Gëzimi më i madh ka qenë ngritja e flamurit për çlirimin e Shqipërisë. Kadri Aliu ngriti flamurin më 28 nëntor 1944. Kjo për Kadri Aliun ishte një nder dhe vlerësim për trimëritë e tij, si dhe një kuadër drejtues me aftësi komanduese, drejtuese që kudo korri fitore mbi armiqtë, dhe shtatë plagë që i kishte marrë gjatë luftës ishin ende të pashëruara. Dy plumba mbetën brenda trupit deri sa ndërroi jetë në vitin 1983.

Dikush përpiqet të mohojë luftën më heroike të popullit dhe kombit shqiptar. Sa e pabesueshme apo edhe absurde. Dielli nuk zihet me dorë madje, as shikohet drejtpërsëdrejti se të qorron. Çdo sistem ka historinë e vet, por rrënjët e historisë së Shqipërisë i ka po aty tek Pellazgët, Ilirët, Kaonet, tek Arbrit e Shqipërisë, tek gjaku i derdhur për mbrojtjen e këtyre trojeve.