Pamje satelitore të detit që u shndërrua në shkretëtirë

538
Ndërsa je duke ecur në mes të shkretëtirës, papritmas ndesh në anije të ndryshkura nga koha, të cilat dergjen mbi rërën e nxehtë. Nuk është një skenar katastrofash biblike dhe as ndonjë film i Hollivudit, por pamja që ofron Deti Aral në Uzbekistan, dikur një prej zonave më të pasura me peshkim dhe më tërheqëse për turizëm në Bashkimin Sovjetik.
Megjithatë, sot nuk ka mbetur më pothuajse asgjë që të të kujtojë atë shkëlqim që kishte dikur liqeni, që për nga madhësia e tij fitoi titullin “det” në hartat e gjeografisë. Dikur 66 mijë kilometra katrorë, sa Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova marrë bashkë Arali është katandisur në 3 mijë kilometra katrorë, të shpërndarë në katër liqene më të vegjël.
Kozmonauti rus Anton Skaplerov publikoi fotografinë e detit nga gjithësia, në të cilën shihet fati katastrofal i këtij deti ku të gjitha sipërfaqet e tij janë zvogëluar drastikisht vitet e fundit.


Sigal