A u krijua koronavirusi në laborator? SHBA po heton mbi këtë skenar

356
Sigal

Teoritë konspirative e kanë sugjeruar qysh në janar, kur fjala COVID-19 nuk ishte ende në qendër të përditshmërisë së gjithë botës. Virusi SARS-CoV-2, i njohur nga opinioni publik thjesht me emrin e përgjithshëm koronavirus, për mbështetësit e këtyre teorive nuk ka origjinë natyrore dhe nuk është shfaqur për herë të parë në një treg peshku në Wuhan, por në të vërtetë është krijuar në një laborator të rëndësishëm që ndodhet po në atë qytet të Kinës.

Përgjatë muajve, komuniteti shkencor ka qenë skeptik nga ky skenar, duke pohuar se laboratori i specializuar në studimin e viruseve ekziston në Wuhan, por nuk ka asnjë provë që koronavirusi i ri të jetë gjeneruar aty, madje është identifikuar në disa lakuriqë natë gjeneza e virusit të shndërruar në pandemi.

Instituti i Virologjisë në Wuhan

Por administrata e Shteteve të Bashkuara nuk duket e bindur me këtë skenar. Burime nga shërbimet sekrete kanë treguar për CNN dhe mediat e tjera amerikane se autoritetet po shikojnë seriozisht mundësinë një skenari laboratorik për koronavirusin.

Edhe pse, sipas burimeve, nuk mendohet që virusi të jetë pjesë e një projekti lufte ku COVID-19 përfaqëson një armë biologjike, siç teorizon një pjesë e komplotistëve, skenari i gabimit njerëzor në laboratorin e Wuhan po merret në konsideratë, madje po fillohet të hetohet seriozisht.

Hetimet, sipas këtyre burimeve, po përqendrohen më së shumti tek mundësia që një mungesë në protokollin e sigurisë së lartë që ka laboratori i Wuhanit mund të ketë patur si pasojë infektimin e një personi, që më pas ka shpërndarë virusin në qytet, dhe nga aty në çdo cep të botës.

Dyshime për sigurinë e Institutit të Virologjisë në Wuhan nga ana e Departamentit të Shtetit kanë filluar që në 2018, sipas disa dokumenteve të siguruara nga Washington Post

Institucionet amerikane që po hetojnë, sipas burimeve, janë të qartë që nuk do të kenë bashkëpunimin e qeverisë kineze, dhe që shumë elementë mund të mbeten përgjithmonë të panjohur.

Vetë sekretari i Shtetit Mike Pompeo nuk e ka fshehur këtë. “Partia Komuniste kineze nuk i dha akses amerikanëve kur kishim nevojë, në fillim të përhapjes. E dimë të gjithë që virusi ka lindur në Wuhan, dhe se ka një laborator aty. Ka shumë që nuk dimë ende, por duam përgjigje”, deklaroi ai javën e kaluar.

Sipas analistëve politikë, administrata Trump është vendosur të fajësojë gjithsesi Pekinin për përhapjen e koronavirusit, por për momentin ka zbutur disi tonet deri sa pandemia të jetë nën kontroll, dhe të kenë mbledhur më shumë prova.