Votohen ndryshimet në Kodin Penal, 88 deputetë pro dënimeve

522
Sigal

Parlamenti ka votuar sot ndryshimet në Kodin Penal ku parashikohen masa të ashpra për ata që thyejnë rregullat e karantimit. 88 deputetë të mzhorancës dhe disa deputetë të opozitës fiktive votuan pro burgosjes së qytetarëve.

Para votimit të Kodit, Komisioni i Ligjeve zhvilloi një mbledhje me deputetët ku, sipas kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi, u diskutua për letrën e Presidentit Ilir Meta lidhur me zbutjen e masave ndëshkuese.

Sipas ndryshimeve të reja të Kodit Penal, mos zbatimi i karantinimit nga mbartësit e sëmundjes ose jo dënohet me  2-3 vjet burg. Përhapja e sëmundjes infektiveve nga personi që është diagnostikuar, por nuk pranon të izolohet dënohet me 2-5 vjet burg.

Kur përhapja e sëmundjes shkakton pasoja me humbjen e jetës së të tjerëve ose përhapet qëllimisht dënohet me 3-8 vjet burg. Masat e votuara në seancë janë më të buta sesa varianti paraprak i Partisë Socialiste që parashikonte deri në  15 vjet burg.

Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi tha para votimit se në variantin final të ndryshimeve të Kodit Penal janë marrë parasysh rekomandimet e Presidentit të Republikës dhe organizatave që kanë shprehur kritika.

“Dje është zhvilluar një mbledhje e dytë e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, një nga pikat ishin ndryshimet në Kod. Presidenti dhe Këshilli i Sigurisë, duke filluar nga kryeministri dhe ministrat që asistuan në mbledhje, dhe unë në emër tuaj, e njoftova këtë mbledhje lidhur me adresimin e shqetësimeve të 14 institucioneve të shtetit shqiptar dhe 30 organizatave të shoqërisë civile, dhe presidenti në fund kërkoi nga ekzekutivi dhe nga mua si kryetar parlamenti ta njihja me përfundimet e arritura nga mbledhja e komisionit të ligjeve. Unë i vura në dispozicion produktin final të komisionit të ligjeve, me relacionin dhe adresimin e shqetësimeve. Sot gjatë seancës presidenti duke shprehur kënaqësinë për bashkëpunimin mes institucioneve përkatëse president-parlament ka shprehur vullnetin e tij ashtu si dhe disa rekomandime të cilat u pasqyruan qartë dhe saktë në ato që parashtroi kryetari i mazhorancës, që i konsultoi edhe me grupet e tjera”, sqaroi kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, duke hedhur në votim riformulimet në ndryshimin e Kodit Penal, sipas propozimeve të Presidentit Meta.

(Lajmi në përditësim)