Varfëria është e stimuluar nga ligësia babëzia dhe inkopetenca administrative

310
Sigal

Agjencia për Azil e BE: Shqipëria rekord në rajon, edhe pse viti 2021 ishte nën izolimin e covid-19, mbi 10 mijë shqiptarë ikën për 11 muaj. Reagon Prof. Lush Susaj: Aty ku ka injorancë rriten dhe edukohen kriminelë. Shqipëria dhe shqiptarët ndihen të braktisur e të harruar nga administrata e tyre, ndihen të vjedhur, të fyer, të dhunuar dhe të përçarë

Nënë Tereza, thoshte: “Sëmundja më e rëndë e ditëve tona nuk është gërbula, as tuberkulozi. Njeriu e ndjen veten të sëmurë kur është i braktisur nga të gjithë, kur mbetet pa dashuri e pa mbrojtje. Sëmundja më e rëndë është mungesa e dashurisë dhe e mëshirës, indiferenca e tmerrshme e të gjithëve për të gjithë dhe në radhë të parë, për ata që janë viktima të shfrytëzimit, të korrupsionit, të mashtrimit, të varfërisë ….” Shqipëria dhe shqiptarët ndihen të braktisur e të harruar nga administrata e tyre, ndihen të vjedhur, fyer, dhunuar, përçarë, stresuar e dëshpëruar deri në ekstrem. Kjo ndikohet dhe favorizohet nga mungesa e profesionalizmit të administratës dhe nga mungesa e kulturës shtetërore të zyrtarëve tonë. Favorizohet nga mungesa e theksuar e njerëzillëkut dhe respektit ndaj punës, ndaj pronës dhe vetë jetës.
Shekspir shkruan
William Shekspir shkruan se: “Aty ku ka errësirë, rriten krimbat, sepse krimbat nuk kanë as sy as veshë. Aty ku ka injorancë, rritën dhe edukohen krimbat, sepse krimbat dinë të lexojnë vetëm librin e teknikave të zvarritjes Krimbat i urrejnë këmbët, flatrat dhe sytë”. Krimbat e përkëdhelur të kësaj periudhe (që vetëm tranzicion demokratik nuk mund të quhet), të katapultuar në institucione dhe vendimmarrje, nuk kanë asnjë aftësi tjetër përveç aftësisë për tu zvarritur në errësirën e injorancës dhe vulgaritetit të tyre, babëzisë dhe mungesës së identitetit dhe burrërisë intelektuale, nga ku burojnë sjellja e tyre antivlerë dhe antishoqërore, stresi dhe humbja e shpresës dhe e kohezionit social, ekonomik e kulturor të vendit. Në psikologji thuhet se: “Sadistët janë njerëz që lumturohen duke poshtëruar të tjerët”. Kjo me bën të dyshoj se një nga kriteret bazë të rekrutimit të këtyre viteve në administratën shtetërore, ka qenë ligësia dhe sadizmi i atyre që i zuri nata si injorantë, si barkthatë dhe si trafikantë e që i zbardhi drita si “talente”, “politikanë”, “drejtorë”, “shefa”, “intelektualë”. Ku takëm i kotësisë, haramit dhe vajmedetit, brenda një kohe të shkurtër u bën rriqnat vdekjeprurëse të ekonomisë dhe paqes shoqërore të këtij vendi. Ligësia dhe inkopetenca e administratës rëndon mbi çdo gjë e në çdo ditë, shkatërron ekonominë, karrierën dhe çdo mundësi tjetër për të jetuar e për tu punësuar sipas meritës dhe nevojës shtetërore e shoqërore. Ligësia dhe inkopetenca e administratës sonë janë tipare vetëdiskredituese që duken sheshit, e që nuk kanë të krahasuar me asnjë administratë e vend tjetër të botës. Mjafton të kujtojmë mënyrën se si vidhen dhe shpërdorohen donacionet, fondet dhe investimet publike, mënyrën se si vjedhja e shpërdorimi vishet me rregullore e fjalë të bukura, nga buron krimi, varfëria, korrupsioni dhe gjithë informaliteti. Mjafton të kujtojmë dhe analizojmë mënyrën se si paraja, shërbimet dhe pasuria jonë shoqërore, degradon në tendera, shpërblime e koncesione korruptive, përqendrohet në pak duar të klanit që e investojnë dhe nxjerrin jashtë, duke krijuar këtu një varfëri dhe mizerje të frikshme, një pellg mjerimi e krimi që stopon dhe vret të sotmen dhe të ardhmen tonë të përbashkët.
Në bazë të këtyre dukurive
Në bazë të këtyre dukurive, në radhë të parë qëndron ligësia, babëzia dhe inkopetenca e administratës. Janë ata që në vend që të qeverisin, mendojnë vetëm për vetën e tyre, mendojnë si të vjedhin dhe abuzojnë me ekonominë, shëndetësinë, komunikacionin, industrinë nxjerrëse e përpunuese, bujqësinë, arsimin, kulturën, financat, etj. Janë ata që pasi ngjitën në kolltukun e pushtetit, fyejnë duke i kujtuar njerëzit lopë e dele. Janë ata që na shfaqën pa frikë e marre nëpër ekranet televizive duke lexuar shkresa dhe rregullore idiote për të na mbushur mendjen se po lodhën aq shumë për të dhënë pasuritë dhe shërbimet për të mirë të shtetit dhe të popullatës. Shkatërrimi i taksave, kontributeve, shërbimeve publike dhe resurseve prodhuese të vendit, është bërë një traditë me pasoja shkatërruese për të sotmen dhe të ardhmen. Të tilla veprimtari, ndonëse të shumta, as nuk u hetuan dhe as nuk u ndëshkuan ndonjëherë. Është e lehtë për të kuptuar faktin se si në këto 103 vjet, nga kali ynë i shtetit dhe pushtetit, gjithnjë ka zbritur një hajdutëri sa për tu çlodhur e sistemuar arkat dhe është ngjitur mbi fron apo samar një hajdutëri tjetër për të sunduar e mbushur torbat e klanit dhe të mëhallës së tij. Kjo ndodh kudo ku administrata, nuk ka në fokus mirëqenien, shërbimet as lehtësirat për punësimin dhe jetën e qytetarëve. Ndodh kudo ku shteti dhe administrata shpikin lloj- lloj frazash dhe arsyetimesh idiote për të ligjëruar vjedhjen e shërbimeve dhe investimeve si dhe për të arsyetuar rritjen e taksave të tërthorta e të drejtpërdrejta ndaj biznesit, punës dhe gjithë popullsisë. Ndodh kudo, që ligjet dhe rregulloret demokratike mbytën nga lloj-lloj yçklash të sajuara e të shkruara për të stopuar prodhimin, për të përmbytur qytetet dhe tokën bujqësore, për të shkatërruar mjedisin dhe bregdetin.
Doza e inkopetencës
Të gjitha këto dukuri të shëmtuara e me pasoja shkatërruese, në asnjë rast nuk duhen konsideruar si natyrore e as si pjesë e një mallkimi dhe fati të merituar. Përkundrazi, kanë buruar dhe burojnë nga inkopetenca, ligësia dhe hajnia e administratave idiote, nepotike e krahinore që mbahen dhe ushqehet nga individualizmi, nga heshtja dhe nga mosndëshkimi. Doza e inkopetencës, vulgaritetit, ligësisë dhe injorancës administrative, ka arritur nivele alarmante, dekurajuese dhe kriminalizuese. Njëri nga funksionarët e lartë të administratës shtetërore, në enjë emision të mbrëmshëm televiziv, duke u përpjekur të justifikojë tenderat abuziv dhe rregulloret e shkruara pa shpirt dhe pa ndjesi shoqërore e kombëtare, përdori disa herë shprehjen “Pi-Pi-Pi”, dhe në fund, për dëgjuesit që kuptuan shumë pak ose asgjë, nxori emërtimin e plotë: “Partneritet Publik Privat”. Për mbi një orë, publiku dëgjoj atë që nuk i interesonte askujt, pi-pi-pi dhe përr-përr-përr, janë shprehje që përdorën për të mbuluar dëmin e vërtetë dhe paaftësinë e njerëzve të pa shpirt e që fatkeqësisht janë ngjitur shumë lartë e që me pa shpirtësinë dhe veprimet e tyre, ua vështirësojnë jetën dhe punën njerëzve të vendit të tyre. Një psikolog gjerman thotë se: “Aty ku shteti udhëhiqet nga parimi përçaj e sundo, njerëzit dhunohen, të tilla vende, vuajnë për edukim dhe jo për politizim. Në të tilla vende, raporti ndërmjet njerëzve me pushtet dhe njerëzve të thjeshtë, është pasqyrë e tipit të shtetit”. Është fjala për marrëdhënie të deformuara, të ngritura mbi sjellje hipokrite, fiktive, dhunuese e varfëruese. Nuk ka një arsyetim tjetër për gjithë atë mënyrën se si u shpikën të tilla rregullore, koncesione dhe tenderime që shkatërruan sistemin shëndetësor dhe arsimor, jetik për fatet banorëve të këtij vendi. Është e ligë dhe perverse mënyra se si u sajuan ligje, drejtori dhe rregullore korruptive që shkatërruan gjithë sistemin e ujitjes dhe kullimit të vendit duke abuzuar me tenderat, investimet, donacionet e projektet, nga ku nuk u zhvillua as puna e as mirëqenia e banorëve, përkundrazi u përgatitën kushtet për përmbytjen dhe rrënimin e plotë të tyre. Edhe kjo megavjedhje dhe krim i pashembullt, duket se do të kalojë pa fajtor dhe pa të dënuar. Kështu është vepruar me të gjithë sektorët e ekonomisë. Shtetarët tonë, në asnjë ditë të qeverisjes së tyre nuk punuan për punësimin, ndërtimin as mirëqenien e taksapaguesve dhe votuesve të tyre. Përkundrazi, përmes mashtrimit dhe vjedhjes, rritën dhe zhvilluan pasuritë e tyre. Janë e njëjta specie për të cilët Ali Asllani thoshte se i zbardhi drita pa bukë dhe i erri nata milionerë. Njëri nga shokët e mi, tashmë i mbetur pa punë, me tregoj për mënyrën se si i kishin sekuestruar 7 kg duhan që do ti shiste në qytet për të bërë një vizitë tek okulisti. Administrata jonë nuk është kursyer as për duhanin dhe sherbelën që mbante gjysmën e popullsisë së Shkodrës dhe rretheve të tjera. Kjo ligësi dhe inkopetencë, po i degradon tokat e mbjella me bimë medicionale, po e shkatërron edhe atë traditën shekullore në kultivimin e duhanit. Po shkatërrohen mundësi të pazëvendësueshme të njerëzve për të punuar e jetuar në trojet dhe vatrat e tyre. Fermerët dhe banorët e Shqipërisë, nuk kuptojnë aq shumë nga rregulloret dhe shkresat korruptive të tipit pi-pi-pi e përr-përr-përr, por kuptojnë atë që po humbin çdo ditë, durimin dhe mundësinë për të jetuar në këtë vënd. Po sjell një shembull shumë të thjeshtë. Dihet se si banorët e Malit të Zi, kultivojnë gjashtëfishin e sipërfaqes me duhan dhe të gjithë prodhimin e dorëzojnë në agrokombinatin e tyre. Ndërsa fermerët e Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë, jo vetëm që nuk subvencionohen e mbështetën për duhanin, përkundrazi pengohen për ta shitur. Këto janë disa nga ato pasojat e strategjive, shkresave dhe rregulloreve diskriminuese që po shkatërrojnë prodhimin dhe shërbimet publike, po ushqejnë varfërinë dhe korrupsionin, etj. Në lidhje me duhanin, vlen të përmendet një arritje shumë të madhe, sipërfaqja e mbjellë po pakësohet dhe pleqtë dhe plakat e fshatrave, ata konsumatorët tradicional të duhanit me llullë, po detyrohen të blejnë dhe të konsumojnë Malboro, Rithmans dhe Slims. Volker Sommer shkruan: “Me konceptin kulturë, kuptojmë sjelljet sociale të trashëguara”, kjo shprehje tregon më shumë mbi shkaqet e kësaj gjendje. Shprehja e mësipërme na fton për të analizuar më shumë mbi atë çfarë trashëguam nga shekujt e ngatërresat mes veti. Na bën të ulemi me këmbë në tokë e të kuptojmë se trashëguam aq shumë hajni, përçarje, dhunë dhe mungesë shtetformimi, trashëguam stonjacion politik, ekonomik, kulturor e shoqëror. Duhet një analizë e tillë dhe ballafaqim i sinqertë me vetveten për të kuptuar faktin se përveç ligësisë, hajdutërisë, nënshtrimit dhe heshtjes sonë të gjatë, asnjë pushtim apo katastrofë natyrore, nuk mund të shkaktonte një shkatërrim dhe varfëri të tillë të popullsisë së një vendi mesdhetar me plotë resurse natyrore, si fusha, ullishta, vreshta, agrume, pyje, naftë, lumenj, krom, hekur nikel, flori, zink, bakër e deri dhe uranium. Si asnjë popull tjetër i rajonit dhe botës, kemi heshtur e duruar, jemi përkulur përpara ligësisë, antivlerës, injorancës, dhunës dhe korrupsionit të ngritur deri në sistem.
Ismail Kadare (14.4.2013) shkruan se: “Gjeografia, gjëja më kokëfortë në botë, dëshmon e para evropianitetin shqiptar. Zelli i atyre që me çdo kusht duan ta zbehin disi edhe këtë fakt kokëfortë, arrin disa herë të krijojë përshtypjen se Shqipëria është në skaj të Evropës dhe fill pas saj nis Turqia ose Azia. Ndërkaq, kur hedh sytë në hartë vëren se gjer në atë kufi shtrihen së paku tri shtete të tjera: Maqedonia, Greqia dhe Bullgaria…”. Me 103 vite pavarësi, kemi të drejtë minimale të kërkojmë nga administrata dhe institucionet tona ligjshmëri, mirëqenie, siguri, punësim, rregulla, strategji dhe sjellje shtetërore të krahasueshme më fqinjët, përfshirë edhe Turqinë. Shqipëria nuk ka kohë potenciale, as pasuri për të falur, as për të humbur e as për të shpërdoruar.