Në 13 shtator shpallen fituesit për universitetet, risitë e këtij viti për fazën e regjistrimit

666
Sigal

INTERVISTA/Flet Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj për risitë e regjistrimit të fituesve për në universitete

Data e saktë për shpalljen e fituesve në universitete është 13 shtatori. Këtë e bën të ditur në një intervistë të dhënë për “Telegraf”, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, zoti Alfons Harizaj. Sipas zotit Harizaj këtë vit në ndryshim nga vitet e kaluara ka një risi, e cila duhet që të marrë vëmendjen e duhur nga fituesit në fazën e regjistrimit. E reja është se fituesi që në fazën e regjistrimit duhet të përcaktojë se nëse dëshiron që të rrijë në atë degë që është shpallur fitues. Ndërkohë që, regjistrimi do të zgjasë nga data 14-20 shtator.

 -Zoti Harizaj, kur do të shpallen fituesit që do të ndjekin studimet për vitin e ri akademik?

Listat e fituesve do të dalin në datën 13 shtator. Po punohet intensivisht nga grupet e punës për nxjerrjen e emrave fitues. Data për daljen e emrave fitues është vendosur tashmë dhe pak ditë kanë ngelur dhe të rinjtë do të njihen me degën që kanë fituar për të fituar shkollën e lartë. Listat do të publikohen on-line në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit  dhe Shkencës. Po ashtu listat do të publikohen edhe në shkollat përkatëse. Por deri në daljen e tyre do të ketë sërish informacione më të detajuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, po ashtu do të ketë informacione edhe nga Agjencia Kombëtare e Provimeve.

 -Po regjistrimet kur fillojnë dhe sa është afati kohor që kanë në dispozicion fituesit?

-Menjëherë pas daljes së listës së fituesve do të fillojnë regjistrimet. Fituesit ashtu siç e thamë edhe më lart do të dalin në datën 13 dhe regjistrimet do të fillojnë një ditë më pas në datën 14. Këto regjistrime do të zgjasin një javë duke filluar nga data 14-20. Maturantët do të kenë mundësi të regjistrohen në degët ku janë shpallur fitues.

 -Çfarë duhet të kenë parasysh maturantët në fazën e regjistrimit?

-Po, pas daljes së rezultateve do të fillojë faza e regjistrimit dhe që është shumë e rëndësishme për çdo maturant. Duhet të kenë kujdes maturantët në këtë fazë, pasi asnjë maturant nuk duhet të neglizhojë në regjistrim. Sepse nëse një maturanti i ka dalë alternativë e tretë dhe atij nuk i pëlqen dhe për këtë nuk pranon të regjistrohet dhe kështu atij i digjen të tëra mundësitë për të shkuar në alternativën e dytë e kështu më radhë. Nëse kemi 250 studentë që kanë fituar mjekësinë, nga këto është e padiskutueshme që një pjesë kanë aplikuar paralelisht edhe jashtë shtetit, kështu që është e sigurt që do të ketë lirime të vendeve tek mjekësia. Regjistrimi është i domosdoshëm sikur të jetë edhe në alternativën e dhjetë ky regjistrim duhet bërë me patjetër nga maturanti. Në të kundërt, atij i digjet çdo mundësi për të vazhduar studimet këtë vit akademik, nëse nuk do të bëjë regjistrimin ai nuk do të ketë më asnjë shans. Por këtë vit ndryshe nga vitet e tjera do të ketë një risi në fazën e regjistrimit që maturanti fitues duhet ta ketë kujdes.

 -Cila është kjo risi dhe çfarë rregullash duhet të ndjekë maturanti për të mos gabuar?

-Maturantët duhet të kenë kujdes që të bëjnë regjistrimin paraprak dhe po ashtu të bëjnë dhe regjistrimin përfundimtar. Çfarë nënkupton kjo? Një maturant që është shpallur fitues duhet të përcaktojë që do të qëndrojë në degën që po regjistrohet. Ai nuk mund të përzgjidhet më për tu ngjitur në preferencën tjetër nëse ai nuk e ka përcaktuar qartë që do të rrijë tek ajo preferencë apo nuk do të rrijë. Për të qenë më të thjeshtë, nëse një maturant është shpallur fitues në preferencën e dytë dhe aty i pëlqen që të rrijë, ai duhet që ta përcaktojë që kur të regjistrohet që do të rrijë në atë degë që ai ka fituar. Në të kundërt nëse nuk do e përcaktojë atëherë do të lëvizë nëpër preferencën tjetër. Por nëse atij i pëlqen preferenca që ka fituar ai duhet ta përcaktojë që në fazën e regjistrimit. Ashtu siç e thashë edhe më lart kjo po aplikohet për herë të parë këtë vit. Dhe kjo bëhet për të qenë edhe fituesit më të vendosur për atë që pëlqejnë.

 -Po studentët që do të studiojnë jashtë sa janë, largimi i tyre jashtë shtetit a shton shanset për studentët që janë këtu?

Nëse do të mbeten vende bosh nga ikja e këtyre të rinjve jashtë, këto kuota do të shpallen vakante dhe do të jenë një mundësi e mirë për ata që nuk kanë fituar dhe duan të studiojnë në një nga universitetet publike në vend. Sipas statistikave të grumbulluara, pjesa më e madhe e maturantëve që duan të studiojnë në një nga universitetet evropiane, janë nga Tirana. Ne po raportojmë shifrat që kanë kërkuar me anë të formularit A1 ose A1Z të studiojnë jashtë shtetit. Këta kanë qenë rreth 3 mijë. Një pjesë e tyre nuk aplikojnë me anë të formularit A2 për studime në universitetet tona. Një pjesë aplikojnë edhe në universitetet tona, pavarësisht se kanë bërë aplikime në universitete jashtë. Në rastet kur shpallen fitues është momenti i regjistrimit që ata vendosin të mos marrin pjesë dhe këto janë kuota bosh.

 Rezultatet e konkurseve të Arkitektura

Krahas fituesve që do të shpallen në datë 13 shtator, pritet që të dalin edhe rezultatet e konkurseve që janë zhvilluar nga 3-5 shtator. Këto fitues duke qenë se janë në degë më konkurs do të dalin më shpejt. Pas konkursit që u mbyll në datë 5 menjëherë pas 24 orësh do të shpallen fituesit. Sipas informacioneve të marra nga këto universitet procesi ka ecur normalisht. Risia këtë vit është që ka një rritje të ndjeshme të kuotave të pranimit në degët që janë me konkurs. Nga 120 që kanë qenë vitin e kaluar, sivjet janë 220 kuota. 100 prej tyre janë në degën e Arkitekturës dhe 120 janë në degën e Urbanistikës. Ndërkohë që konkurrojnë 294 konkurrentë. Raporti midis atyre që konkurrojnë dhe atyre që do të fitojnë është ndryshe nga vitet e kaluara. Ashtu dhe si vitet e tjera pas 24 orësh do të jenë gati për t’u publikuar emrat e fituesve. Meqenëse vlerësimi është elektronik e lehtëson pak punën kjo. Votimi elektronik ka 4 vjet që është aplikuar dhe ka rezultuar mjaft i suksesshëm.