Sot publikohet Formulari A2, maturantët këshillohen të tregojnë kujdes

417
Sigal

Për të gjithë maturantët të cilët po presin procesin e radhës për garën në Universitet, bëhet me dije se formulari A2 do të publikohet sot. Specialistët e Agjencisë Kombëtare të Provimeve këshillojnë të gjithë maturantët se çelësi i suksesit të tyre, mbetet mënyra e plotësimit të formularit A2 nëpërmjet renditjes së 10 degëve, ku duan të vijojnë studimet e larta. Sikurse është konfirmuar edhe nga drejtues të lartë të Ministrisë së Arsimit, këtë vit nuk do të ketë formular A3 për të korrigjuar gabimet e formularit A2 ndaj apelohet dhe këshillohet që duhet të bëjnë kujdes në përzgjedhjen e degëve.

Ashtu si në vitet e shkuara, degët preferenciale vazhdojnë të mbeten Fakulteti i Drejtësisë dhe ai i Ekonomisë, gjë e cila dëshmohet edhe nga lëndët që maturantët vendosën që të jepnin si provim me zgjedhje, ku përqindjen më të madhe e zënë lëndët Qytetari, Histori, Ekonomi dhe Gjuhë e Huaj.

Specialisti i Agjencisë Kombëtare të Provimit, Arben Fagu këshillon studentët që të tregojnë shumë kujdes në përzgjedhjen e preferencave. “Preferenca e parë, e dytë dhe e tretë mund të tolerohen që të jenë më poshtë me pikët e fituesit të fundit të vitit të shkuar, me shpresën se do të ulen pikët. Dhe unë besoj që do të ketë ulje për shkak të forcimit të kontrollit gjatë administrimit të provimeve dhe rezultatet e ulëta të maturantëve, por në të katërtën pastaj duhet të kesh programe studimi që i kapërcen, je mbi to. Sepse nëse një kandidat e ka të rreshtuar një program studimi të 10-in në preferencë dhe dikush ka të parin, por ai që e ka të fundit ka 0,1 pikë më shumë se ai që e ka preferencë të parë, e fiton ai që e ka preferencë të 10, jo maturanti tjetër”, ka sqaruar specialisti Fagu.