Prof. Dr. Bilal Shkurtaj/ Mangësi dhe  mundësi  në  kërkimin  shkencor

597
Sigal

NUK MUND TË KETË UNIVERSITET PA KËRKIM SHKENCOR

Sot, në shoqërinë e dijes, kur bota karakterizohet nga një zhvillim shumë i lartë shoqëror dhe teknologjik, puna kërkimore shkencore në universitete duhet të marrë një impuls shumë të fuqishëm, prandaj, kur flitet për misionin e universiteteve dhe parimet themelore të punës së tyre, kërkimi shkencor vlerësohet po aq i rëndësishëm sa edhe procesi i mësimdhënies dhe lidhja e bashkëveprimi i ngushtë midis tyre është domosdoshmëri.

Në të gjitha dokumentet e procesit të Bolonjës, si dhe në Ligjin e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë, lidhja e punës shkencore me mësimdhënien konsiderohet si parim themelor për punën dhe misionin e universiteteve. Universiteti është institucion autonom, që prodhon, vlerëson dhe transmeton kulturë nëpërmjet punës kërkimore e mësimdhënies, se puna kërkimore shkencore dhe mësimdhënia duhet të jenë të pandara.

Ligji i Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë  (Ligji Nr. 9741, dt. 21. 05. 2007) si mision të arsimit të lartë përcakton: “të krijojë, të transmetojë, të zhvillojë e të mbrojë dijet me anë të mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor … të formojë specialistë të lartë dhe të përgatisë shkencëtarë të rinj (neni 2/a), të realizojë kërkimin shkencor dhe të aplikuar në përputhje me misionin e tij dhe të sigurojë raportin e përshtatshëm ndërmjet mësimdhënies , kërkimit shkencor dhe shërbimeve që ofron (neni5/3).

 Sot mbizotëron mendimi se universitetet mund të kryejnë një rol shumë të madh për zhvillimin e shkencës, sepse janë ato që transmetojnë dijet shkencore brezave të rinj dhe që edukojnë studentët si shkencëtarë të ardhshëm me frymën e kërkimit të mirëfilltë shkencor. Pra nuk mund të ketë universitet pa kërkim shkencor.

Por realiteti i deritanishëm është akoma larg nga çfarë kërkohet, çfarë thuhet, çfarë shkruhet dhe çfarë pranohet nga të gjithë, lidhur me kërkimin shkencor. Aktiviteti kërkimor i stafit pedagogjik është i kufizuar dhe kjo vazhdon të përbëjë një dobësi në arsimin e lartë. Misioni i universiteteve, aktiviteti kryesor i tyre është i përqendruar kryesisht në aspektin pedagogjik, në mësimdhënie, ku çdo gjë është mjaft e planifikuar, e normuar dhe e kontrolluar. Rrjedhimisht, universitetet akoma nuk po funksionojnë si duhet, njëkohësisht edhe si qendra mësimi, edhe si qendra kërkimi shkencor. Megjithëse në udhëzimet e MASH (Udhëzim Nr. 20, dt. 09. 05. 2008 për veprimtarinë e personelit akademik) klasifikohet veprimtaria e personelit akademik në mësimdhënie, kërkim dhe mbështetje për institucionin, duke i shprehur këto veprimtari edhe në orë pune, nuk ka tregues të përshtatshëm për ngarkesën e punës kërkimore të stafit përmes ekuivalentëve të përshtatshëm me ngarkesën mësimore, të matshme, të kontrollueshme dhe të pagueshme. Kështu që akoma kërkimi shkencor në universitet zhvillohet në kushtet e spontanitetit dhe më tepër i dedikohet nismave personale të pedagogëve të veçantë, të apasionuar se sa detyrimit institucional që rrjedh nga strategjia dhe misioni i universitetit .

Gjendja mjaft shqetësuese

Pa mohuar përpjekjet, niveli i punës shkencore jo vetëm që është larg kërkesave të kohës, por ka pësuar rënie, në krahasim edhe me të kaluarën. Pavarësisht përmasave apo statistikave, duke mos e përgjithësuar gjendjen, me konstatimet dhe njohjen që kam, e konsideroj gjendjen mjaft shqetësuese. Konkretisht, nuk ka aktivitet të dukshëm shkencor brenda ambienteve të universitetit si në departamente, laboratorë, qendra kërkimore apo institute shkencore. Vetë  pedagogët nuk janë të kualifikuar sa duhet si kërkues e të kryejnë një aktivitet shkencor të vazhdueshëm në drejtime të përcaktuara të veprimtarisë së tyre, që të jetë e orientuar dhe e integruar me problemet konkrete të zhvillimit të rajoneve ku ndodhet universiteti. Pra, mungon kërkimi shkencor i mirëfilltë. Si rrjedhim i kësaj, mungojnë hapësirat që studentët të mund të pajisen me elementë fillestarë të kërkimit shkencor, nëpërmjet detyrave të kursit, temave të diplomave, praktikave dhe ekspeditave mësimore. Puna kërkimore e studentëve nuk mund të planifikohet si pjesë e punës kërkimore të pedagogëve udhëheqës, në mënyrë që ata të pajisen  me aftësi metodologjike në kërkim. Po kështu, disertacionet, marrja e titujve dhe gradave nuk mund të arrijnë të prekin probleme të rëndësishme nëpërmjet kërkimit origjinal e punës së pavarur kërkimore shkencore, duke u bazuar në të dhëna konkrete. Mungon vlerësimi dhe motivimi institucional për ata që merren me kërkim. Nuk është normale që, ndërsa studentët e masterit shkencor punojnë rreth një semestër për temën e diplomës, pedagogëve udhëheqës nuk u njihet asnjë orë ngarkesë e paguar. Kjo bën që emrat e pedagogëve të jenë formalisht udhëheqës, vetëm për të mos penguar studentët.

Por, ndërsa ka shumë botime, artikuj, veprimtari, dosjet për tituj dhe grada të mbushura më së miri, nuk duket ndonjë punë shkencore konkrete, me përmasa të tilla, në nivel universiteti, rajoni ose vendi  dhe puna shkencore për pedagogët akoma nuk po bëhet një natyrë e dytë ashtu siç shihet kjo në universitetet europiane. Pedagogët janë akoma të mbërthyer vetëm mbas traditës rutinë të mësimdhënies. Bile departamentet nuk kanë njohjen  e duhur për aktivitetin konkret të pedagogëve të tyre, veç kur shikojnë emrat e tyre në ndonjë konferencë apo buletin.

 Misioni i universiteteve

 Sot në shoqërinë e dijes, kur volumi i dijeve është shumë i madh është e vështirë që universitetet t’i pajisin të rinjtë me të gjitha dijet e mundshme Në këto kushte, misioni i universiteteve është që të mësojë të rinjtë se si “të notojnë” në detin e madh të dijeve. Në këtë drejtim, merr një rol të veçantë kërkimi shkencor, shkrirja e kërkimit shkencor me mësimdhënien dhe, në veçanti, metoda e kërkimit shkencor të përbëjë thelbin e mësimdhënies.

Janë jo të pakta rastet që konstatoj, se jo vetëm që nuk po ju përgjigjen kërkesave të kohës, por ka mangësi shumë të mëdha, (edhe në krahasim me të kaluarën). Mjetet mësimore të vrojtimit, demonstrimit, eksperimentimit laboratorik pothuajse nuk përdoren si në arsimin universitar ashtu edhe në atë parauniversitar, përfshi masterat profesionalë të mësuesisë. Është shumë e vërtetë që ka studentë që nuk njohin asnjë mjet laboratorik apo të kenë kryer ndonjë punë laboratori që nga lënda e diturisë së natyrës, në arsimin 9 vjeçar, në arsimin e mesëm, në ciklin e parë universitar, në masterin profesional dhe do të shkojnë  t’u mësojnë fëmijëve diturinë e natyrës dhe rrezik që cikli të përsëritet nga e para. Sado të pakta të jenë këto raste, duhet të merren masa të menjëhershme. Është krijuar një gjendje përgjumjeje, indiferentizmi,  pajtueshmërie me situatën e krijuar e rehatie, pa telashe as me veten, as me të tjerët. “Delikatesa” akademike dhe “pseudoetika”, sidomos me autoritetet drejtuese, janë të papranueshme për situatën e krijuar. Duhet folur troç dhe të vihet gishti mbi plagë.

Së pari unë vlerësoj shumë përvojën, traditën e mrekullueshme që kemi për kërkimin e mirëfilltë shkencor. E shoh plotësisht të mundshme riciklimin e kësaj tradite. Kërkimi shkencor e ka çarë me sukses të plotë izolimin në sistemin monist. Kam punuar në laboratorët e Institutit të Naftës dhe të Gazit në Fier. Të gjitha metodat që duheshin për kërkimin dhe studimin e naftës dhe të gazit ishin aplikuar në këtë institut. Ndiqnim hap pas hapi Institutin Francez të Naftës (IFP). Vetëm me të dhënat e literaturës kishim arritur të bënim gjithçka. Për të qenë më bindës, po sjell një shembull shumë domethënës. Mbas viteve ’90, kur Shqipëria u hap, të huajt ishin shumë kuriozë, se çfarë do të shikonin në këtë kuti të mbyllur. Një i huaj, që vizitoi laboratorët e Institutit, midis të tjerash pyeti se çfarë bëni në laborator. Mbasi ne i prezantuam gjendjen, ai përsëri pyeti: Pse, edhe këto i bëni? (për disa metoda). Po, i thamë. – Zor se gjen ndonjë laborator që të bëjë gjithçka, tha, por unë po kuptoj se izolimi juaj paska patur një të mirë, që ju ka detyruar që të bëni gjithçka vet. Është shumë e vërtetë.

 Një temë shkencore për metodat gjeo-kimike

 Vite më vonë, rreth para një viti, një kolegu im i vjetër i institutit, prezantoi  një temë shkencore për metodat gjeo-kimike të studimit dhe kërkimit të naftës dhe të gazit në kuadrin e promovimit për marrjen e titullit profesor në Fakultetin e Gjeologjisë. Ishte një prezantim i plotë dhe i shkëlqyer për këto metoda. Por pyetja jonë, se si është gjendja e këtyre metodave sot, e vuri pak në vështirësi, sepse këto metoda aktualisht nuk janë në punë. Dhe më tej: si do të vazhdojnë studentët e tu, z. prof., të kryejnë kërkime shkencore në fushat përkatëse dhe të marrin edhe ata normalisht tituj dhe gradat që u kërkohen. Kjo pyetje e gjeti përgjigjen në një bisedë me profesorë të shquar të këtij fakulteti. Ishte sinqerisht një kënaqësi e madhe e tyre,  kur ne arritëm në konkluzionin se Qendra Kërkimore Shkencore e Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, së bashku me profesorin në fjalë të Fakultetit të Gjeologjisë, brenda 6 muajve mund të ngremë rreth 70% të të gjitha metodave gjeo-kimike të studimit për naftë dhe gaz dhe për jo më shumë se dy vjet të realizojmë të gjithë metodat bashkëkohore në këtë fushë. Dhe shumë shpejt pati një konkretizim: Iu përgjigjëm kërkesës së një kompanie të huaj prestigjioze, që kryen kërkime për naftë e gaz në vendin tonë, për kryerjen e analizave të përbërjes hidrokarbure të shfaqjeve të gazit gjatë shpimit të pusit dhe për vlerësimin e naftë gazmbajtjes së shtresave që kalon pusi. E rëndësishme, në radhë të pare, ishte që ne u prezantuam denjësisht me aparatura e metoda bashkëkohore e me specialistë të aftë dhe nga ana tjetër kompania nuk i çonte më jashtë vendit  kampionet për të kryer analizat dhe studimet e pusit të kërkimit. Për më tepër u zbulua naftë në përputhje me interpretimet tona dhe universiteti siguroi edhe të ardhura.

Shembuj të tillë ka në të gjitha drejtimet e punë shkencore. Riaktivizimi i këtyre potencialeve të mëdha njerëzore por edhe materiale, atje ku pajisjet dhe aparaturat janë ruajtur do të përbënte hapin e parë drejt vizionit të misionit të universiteteve.

Transmetimi i kësaj përvoje brezave të rinj të pedagogëve të aftë, të apasionuar dhe të dëshiruar, krijimi i kushteve të domosdoshme, do ta çojë kërkimin shkencor përpara shumë më shpejt se ç’mund të mendohet.

-vijon në numrat e ardhshëm-