Fillon plotësimi i Formularit A1Z, për maturantët që vijnë nga jashtë, afatet dhe dokumentet

459
Sigal

Ka filluar afati për plotësimin e Formularit A1Z, për Maturantët që kanë kryer shkollën e mesme jashtë Shqipërisë dhe që duan që të fillojnë studimet e larta në Shqipëri. Burime pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve bëjnë të ditur për “Telegraf” se, do të jenë dhjetë ditë kohë në dispozicion të këtyre maturantëve që duan të plotësojnë Formularin A1Z, për të ndjekur studimet e larta. Sipas burimeve të AKP-së, formulari mund të plotësohet on-line nga data 1 maj deri në datën 10 maj. Ky afat është lënë në dispozicion të kësaj kategorie për arsye se u është dashur më shumë kohë për plotësimin e dokumenteve më konkretisht u është dashur kohë për njësimin e diplomave.

Njësimi i diplomave për maturantët që vijnë nga jashtë

Shtyrja e afatit për  plotësimin e Formularit A1Z, për maturantët që vijnë nga jashtë shtetit për në fillimin e muajit maj është bërë me qëllim që tu lihet kohë këtyre maturantëve për njësimin e diplomave. Çdo maturant që kryen studimet e mesme jashtë Shqipërisë dhe studimet e larta dëshiron që ti bëjë në Shqipëri duhet të ndjekë disa procedura për njohjen e diplomës/dëftesave. Po ashtu edhe personat e huaj që kanë mbaruar shkollën në një vend tjetër dhe duan të ndjekin studimet në Shqipëri, duhet të bëjnë njësimin e diplomës. Për të bërë njësimin e diplomës duhet që të ndiqen disa procedura që janë të parashikuara në rregulloren e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Për shqyrtimin e kërkesave të shtetasve shqiptarë dhe të huaj që kanë diplomën e shkollës së mesme të fituar jashtë shtetit, në lidhje me njehsimin e dokumenteve shkollore, ngrihet një komisioni i posaçëm në MASH me urdhër të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës.

Dokumentet që duhen për njësimin e diplomës

Për njehsimin e diplomave, shtetasit e mësipërm ose institucionet shtetërore/ private të interesuara të paraqesin në MASH kërkesën dhe dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Dëftesën/ diplomën, së bashku me listën e notave të gjitha viteve

të shkollës së mesme, të përkthyera në gjuhën shqipe dhe të noterizuara.

b) Fotokopje e dokumentit të identifikimit (kartë identiteti, pasaportë ose letërnjoftimit)

c) Shtetasit e huaj duhet të paraqesin lejen e qëndrimit në Shqipëri (kopje e noterizuar)

3. Shtetasit shqiptarë apo të huaj, që kanë fituar diplomë të shkollës së mesme jashtë shtetit, dhe duan të ndjekin programet e studimit universitare dhe jouniversitare në institucionet e arsimit të lartë (IAL) në vend, duhet të paraqesin dokumentet plotësuese të mëposhtme:

a) Kërkesën me shkrim për të vazhduar një program studimi në IAL.

b) Dokumentin zyrtar nga vendi që vijnë, i cili vërteton se cikli i studimeve të kryera, u jep të drejtën të vazhdojnë studimet universitare ose shkolla të larta jouniversitare në vendin ku kanë studiuar.

c) Certifikatën e njohjes së gjuhës shqipe. Zotërimi i gjuhës shqipe vërtetohet nëpërmjet dëshmisë së provimit që zhvillohet mbi bazën e programit për të huajt në Fakultetin e Histori-Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Nga detyrimi i dhënies së provimit të gjuhës shqipe përjashtohen të gjithë ata shtetas të cilët kanë vazhduar studimet në shkollën e mesme në institucione arsimore që kanë program mësimor në gjuhën shqipe, ose shtetasit që e japin gjuhën shqipe dhe letërsinë si provim të detyruar të Maturës Shtetërore.

Box

Procedura për plotësimin e A1Z nga maturantët që vijnë nga jashtë

Kandidatët që duan të plotësojnë formularin A1Z duhet të paraqesin te mbikëqyrësi një vërtetim, modeli i të cilit do të dërgohet nga MASH. Vërtetimi, veç gjeneraliteteve, do të ketë këto të dhëna:

a) Provimet e detyruara dhe vlerësimet e shkallëzuara të secilit provim, nëse ato rezultojnë të fituara nga maturanti/kandidati.

b) Provimet me zgjedhje dhe vlerësimet e shkallëzuara të secilit provim, nëse ato rezultojnë të fituara nga maturanti/kandidati.

Plotësimi  i Formularit A1Z fillon në Portalin Qeveritar dhe përfundon në shkollën që cakton DAR/ZA-ja. Procesi i plotësimit të Formularit A1Z ndiqet nga një person i ngarkuar nga drejtoria e shkollës, që do të quhet “mbikëqyrës”. Mbikëqyrësi pajiset me kodin përkatës të hyrjes në sistemi. Vetëm pasi mbikëqyrësi fut kodin në sistem, kandidati mund të përfundojë plotësimin e Formularit A1Z. Lista me të dhënat e marra nga plotësimi i formularëve printohet, nënshkruhet nga maturanti, mbikëqyrësi dhe vuloset nga drejtori i shkollës, ku plotësohen Formularët A1Z. Listat ruhen deri në përfundim të Maturës Shtetërore 2013.