Intervistë me zotin Fejzi Murati, “Nderi i qytetit” të Kuçovës, mësues dhe shkrimtar: Tekstet mësimore duhet të jenë të unifikuar
Prej vitesh ai jep lëndën e gjuhës dhe letërsisë në gjimnaz. Sipas tij, ajo çka po përpiqemi të zbatojmë në këta 20 vjet nuk ka dhënë atë çka pritej. Ka shumë dobësi, të cilat dalin, kur nxënësit shkojnë në shkollat e larta. Shumica e studentëve rezultojnë me lëndë të mbartura vit pas viti. Testet japin shifra skandaloze, ku nuk arrijnë të kalojnë as 50% e tyre. Mbizotëron nota e ulët dhe pas kësaj note nxjerr krye një dukuri shumë negative, mitmarrja, ndërhyrjet, miqësitë… Dhe të mendosh se këta studentë do duhet të drejtojnë shkencën, ekonominë, jetën e vendit në të ardhmen, kur vet ata e kanë nisur mësimin për jetën me konceptin e korrupsionit?! Çdo u përcjellin ata brezave të ardhshëm apo bijve të tyre.
– Mendoni se ka probleme me mësimdhënien, me kualifikimin e mësuesve?
Mësimdhënia është një problem kompleks, ku ndërthuren kushtet për bazë materiale, laboratorët, kualifikimi i mësuesve etj.. Mendoj se, në të gjitha ka mangësi. Kualifikimi i mësuesve, mendoj se këta vite bëhet më shumë për të qenë brenda me udhëzimet se sa për të siguruar vërtet nivel cilësor. Po të shohim statistikat, të gjithë ata që futen në provime kualifikuese për master, i marrin ato lehtësisht, sepse të drejtën për master e kanë të gjitha universitetet pa përjashtim. Vetvetiu del se formalizmi zotëron edhe këtu. Nga ana tjetër, po këta mësues të kualifikuar me “master”, zhvillojnë mësimdhënie jo me në qendër nxënësin, por më shumë dominon niveli didaskalik, çka nënkupton një të mësuar të përciptë dhe përmendsh. Për mendimin tim, mësuesit para se të fitojnë të drejtën për mësimdhënie, të kalojnë në filtra kualifikimi shumë të rreptë.
– A ka rënë niveli i kërkesës së llogarisë nga stafet pedagogjike?
Ka, sepse mësuesit janë nën presionin e vazhdueshëm të komunitetit të nxënësve dhe prindërve për notë të lartë dhe fiktive, e cila siguron mesataren dhe pikët për të fituar një të drejtë studimi që dëshirojnë..
-Është bërë shqetësues fakti që numri i analfabetëve është rritur shumë në këto vite.
Të gjitha qeveritë në këta 22 vjet e dinë shkakun, por nuk duan ta shohin në sy. Dy janë faktorët: Ngujimi për gjakmarrje dhe mjerimi ekonomik. Fëmijët lënë shkollën për të bërë shitësin, lypësin, punën e krahut. Mjafton të rikujtojmë Gërdecin, ku punonin dhe madje u vranë fëmijë 7, 8 apo 10- vjeçarë…Edhe kërkesa nga ana e pushtetit për zbatimin e ligjit për arsimin e detyrueshëm nëntëvjeçar nuk është në lartësinë e duhur.
-Si do ta komentonit fenomenin e mitmarrjes nga disa mësues nëpër shkollat e mesme dhe sidomos në shkollat e larta?
– Mitmarrja është pjesë e korrupsionit tërësor tek ne. Presioni për rritjen fiktive të notës e nxit dhe u krijon kushte mësuesve që ndoshta nuk e meritojnë emrin mësues, të marrin lekë. Në shkollat e larta ai është rrjedhojë e dobësive në arsimin parauniversitar. Një student që ka patur mesatare të merituar në shkollën e mesme, nuk i shkon kurrë në mendje të japë lekë, euro apo dollarë për një notë. As pedagogu nuk guxon t’i bëjë presion. Të gjithë e dimë këtë. Ka edhe pedagogë që bëjnë presion me notë për përfitime. Ligji për të gjithë mësimdhënësit duhet të jetë tepër i rreptë. Heqja e të drejtës së mësimdhënies. Ashtu si për mjekun, për nëpunësin e kudo.
-A është në interes të shkollave, arsimit dhe nxënësve, Alterteksti apo është një zgjidhje që ka interesa komerciale?
– Alterteksti në këta vitet e fundit, kur u “shpik” si gjoja novacion, ka sjellë vetëm fitime për grupet klanore pranë ish qeverisë, se sa për cilësi dhe alternative, nuk ka ndikuar fare (neve nuk na kanë pyetur). Përkundrazi, krijon një kakofoni të panevojshme dhe shumë formale. Mësuesit lëndorë nëpër shkolla, bëjnë sikur i studiojnë tekstet dhe miratojnë herë hapur e herë jo, ato botime që janë më pranë ministrit apo dikujt që ka pushtet , të rekomanduar nën zë nga shefat… Lënda mësimore ngelet po ajo. Një ligj në fizikë nuk mund të ndryshohet, atëherë përse duhet të punojnë dhjetë grupe autorësh nga dhjetë shtëpi botuese dhe të na servirin dhjetë tekste gati të njëllojta, por vetëm me ndryshime formale? Kam mendimin se tekstet mësimore duhet të jenë të unifikuar. Të hartohen nga specialistët më të mirë dhe nën kontrollin e rreptë të Akademisë apo të Ministrisë së arsimit. Mbi këtë bazë hartohen edhe testet kombëtare për maturat shtetërore. Ka ardhur koha që për këtë problem qeveria të angazhohet seriozisht.
– A tregojnë interes për të studiuar sistematikisht nxënësit e shkollave të mesme, apo luftojnë thjesht për mesatare fiktive?
Padyshim ka shumë nxënës që janë seriozë dhe punojnë shumë , duke e merituar notën e lartë. Por këta janë vetëm 30 deri 40% e të tërë nxënësve të shkollave parauniversitare. Të tjerët vijnë në shkolla dhe shtyhen me një notë 5 të mjerueshme. Janë pikërisht këta që bëjnë presion për fiktivitet note. Negativisht ndikojnë, edhe hapja pa kriter e shkollave të larta private, padyshim me interes fitimin, që mbledhin të gjithë nxënësit e dobët. Përfundojnë maturën çdo vit 40 mijë nxënës dhe futen në shkolla të larta po kaq. Nuk ka seleksion, nuk ka cilësi, nuk ka të ardhme. Jam i mendimit që sistemi ynë i vlerësimit me notë nuk funksionon mirë. Notat e përdorshme janë vetëm 7, nga 10 që thuhet se janë pasi nota 1, 2 dhe 3 nuk vihen kurrë në regjistra. Mund të vendoset kriteri me 20 nota si në Francë e gjetkë. Mësuesi ka diapazon për të bërë diferencë më të mirë mes nxënësve. Por të ketë edhe një kriter tjetër. Nxënësit që nuk arrijnë notën 10 të mos lejohen të aplikojnë në shkolla të larta. Të mos u lejohet as universiteteve private të mbledhin ngelësit, siç po ndodh aktualisht.
-Ç’mendoni për marrjen e godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve nga shteti kur ajo ishte pronë e kësaj lidhjeje?
Mendoj se ishte një veprim që dëmtoi shumë letërsinë dhe artet, pasi jo thjesht godina, por institucioni LSHA, mblidhte, organizonte dhe nxiste krijimet, diskutimet, konkurrimet dhe promovimet e krijuesve, sidomos të talenteve të reja. Në se qeveria Berisha mendonte se, kjo godinë mund të shërbente për një institucion më të madh si Ministri kulture, fare mirë mund t’i jepte LSHA- së një godinë tjetër dhe ta ndihmonte të mbijetonte në kushtet e krijuara rishtas. Letërsia dhe artet, padyshim janë një tregues i nivelit të kulturës së një shteti, të një shoqërie, pavarësisht sistemit politik që është instaluar.
-Për kuriozitet, cili është shkrimtari juaj i preferuar?
Nuk mund të them një emër konkret, pasi shkrimtarët janë krejtësisht të veçantë në krijimtarinë e tyre dhe unë do i krahasoja me frutat, secili frut ka shijen e vet. Ajo që mund të them me siguri është se jam adhurues i letërsisë që tradicionalisht vlerësohet botërisht, që nga klasikët francezë, rusë, anglezë apo amerikanë e deri te letërsia moderne bashkëkohore. Nga shkrimtarët shqiptarë vlerësoj shume Migjenin e paarritshëm, por edhe Kadarenë, Agollin , Spahiun dhe të mrekullueshmin Petro Marko.
– Një pyetje për botimet tuaja dhe planet krijuese.
Kam botuar dy vëllime me tregime. “Letërprurësi është miku im”, me tregime satirike dhe “Mesazhe në kohë”, po me tregime. Kam të gatshëm për botim vëllimin e tretë me tregime si dhe një novelë satirike. Në përfundim kam edhe një vëllim me poezi, por ende nuk jam gati për ta hedhur për botim, pasi kam ende pretendime dhe ngurime që kanë të bëjnë me disa kërkesa më të larta artistike.