Studentët denoncojnë: Zgjedhja e degëve në universitete po bëhet në këmbim të votës për “Rilindjen“ 

1151
Sigal

Skandali/ Ja si po ndërhyhet në sistemin e aplikimit të degëve të maturantëve „u-albania“, duke plagosur shpresat e rinisë. Fillimi i fushatës elektorale, qëllimi për të larguar të rinjtë nga vendi, si po privilegjohen fëmijët e kastës në pushtet, përgatitja për protesta dhe pse‚ „Sulltani dhe Kabineti“ i Nolit  është më aktual se kurrë

 

 Zgjedhja e degëve në universitete si shpërblim për të votuar rilindjen  në  2021

“Unë tashmë kam njoftuar dhe kryeministrin Rama dhe kam marrë një vendim se nuk do të vazhdoj të qëndroj në Shqipëri përtej këtij mandati. Jeta ime është e paqëndrueshme në Shqipëri, pasi familja ime jeton në Kosovë. Në këto momente kur ka probleme nga këto siç jemi ballafaquar, është pak e vështirë. Por, i kam thënë se jam në dispozicion që të shërbej, por nuk do të përfshihem në fushatë elektorale”, -tha ministrja e Arsimit ditën e djeshme. Me sa duket kjo deklaratë e ministres së Arsimit Shahini i parapriu lojës së madhe që po bëhet me listat e degëve në universitetet shqiptare duke zhgënjyer shpresat e të rinjve dhe duke i detyruar ata të largohen. Fakti që ministrja e MASR-së,  Besa Shahini,  deklaron që “nuk do përfshihem në fushatë elektorale”,  tregon  se ajo e mbyll misionin e saj dhe sipas denoncimeve në portalin “studentëtdenoncojnë” , qokat me zgjedhjen e degëve janë edhe “paradhënie” për votat e prillit 2021. Por ata që janë të zhgënjyer nga kjo situatë janë shumë më shumë, madje shumëfish në krahasim me ata që po favorizojnë “analfabetët e rilindjes”. Rrumpallën në arsimin shqiptar të bëra  publike nëpërmjet sondazheve të “qëndresës studentore”  që nisi   me mësuesit, portalet për arsimin , emërimet klienteliste dhe nepotike, blerjet e diplomave, korrupsionin në arsim, pagesat në këmbim të votës, ngacmimet seksuale në këmbim të notës e shumë maskarallëqe përbëjnë kazanin e “rilindjes” në arsim dhe tashmë deklarata e ministres Shahini është kapaku që i shkon përshtat kësaj maskarade, me të cilat po tentohet të mbulohet era e qelbur e kazanit rilindas të arsimit shqiptar. Sigurisht ne nuk do të merremi në shkrimin e sotëm me gjëmat dhe bëmat që i janë bërë arsimit shqiptar në këtë mandat të drejtuar nga një ministri që është në fund të fundit pasqyra e vërtetë e kabinetit qeveritar, pasi në ditët në vijim do të kemi edhe analiza nga ekspertë dhe profesorë  të Shkollës Shqipe. Ndërsa për ministren Shahini,  ndoshta fragmentet nga poema “Sulltani dhe Kabineti” të F.S.Nolit, të cilin Rama ka kohë që e imiton në maksimumin e mundshëm do t’i shkonin më për shtat:

Ti Selim që s’di këndim
Je vezir për Arsim
Mbylli shkollat se na nxinë
Me kalemn e tradhësinë.

Edhe ministrja Besa Shahini nuk rri dot më në Shqipëri, por zgjedh emigrimin “si shembull për të rinjtë.”

Arsimi këtë vit ka kaluar peripeci që në fillim të tij, njëherë me tërmetin e më pas me pandeminë  Covid-19. Është 1 në 100 gjasat që dijet të jenë përcjellë në mënyrën adekuade tek nxënësit dhe studentët. Ministrja e Arsimit Besa Shahini, e cila mban postin e ministres së Arsimit që prej dhjetorit të vitit 2018,  nuk ka ambicie për të vijuar më tej karrierën e saj politike në Shqipëri. A vlen të shtrohet pyetja që mos vallë dhe Shahini është i po të njëjtit mendimi me të rinjtë të cilët kumbojnë vazhdimisht  në  vesh të shurdhër me largimet masive se: KËTU NUK BËHET MË?

Denoncimit –studentor pë rmaskaradën e zgjedhjes së degëve në universitete

Maturantët pikërisht ditën e djeshme u përballën me një tronditje emocionale sikur të mos mjaftonin të gjitha peripecitë që kaluan gjatë këtij viti. Në portalin “U-Albania”, ditën e djeshme ka pasur ndërhyrje. Maturantëve u janë shtuar vende në renditje siç tregohen edhe nga fotot e mëposhtme.

Një maturante  nga renditja në vendin 214 ka kaluar në renditje ne atë të 247. Ja në këtë mënyrë vriten shpresat e një brezi  të të  rinjve për të arritur degën dhe ëndrrën që do.

Maturantët kërkojnë shpjegime, një prej tyre shkruan:  “Gjatë të gjithë ditës isha i 287-ti  në financë dhe tani që kuotat po ikin jam në renditje i 326-ti, gati 50 vende  më larg seç isha. Si po shkon kështu,  ndërkohë që kemi degë të tjera  që po na ikin kot?”

E gjithë kjo situatë ka nxitur mllef dhe pakënaqësi jo vetëm tek maturantët që janë të prekurit e vijës së parë por dhe nga prindërit. Të cilët shprehen:  “Po na çmendin fëmijët. Nga vendi i 121 në vend të 175!!”

Nga burime të pakonfirmuara, mësojmë që maturantët kanë dalë përgjithësisht  me rezultate shumë të mira duke plotësuar kështu dhe një nga objektivat e Ministrisë së Arsimit. Çfarë po ndodh, Ministria e Arsimit po kundërshton vetveten ?!

Mos është kjo një marrëveshje e fshehtë mes Ministrisë dhe Universiteteve  që po presin rradhën për të mbushur xhepat?  Në këtë mënyrë po hapen dyert drejt privatit dhe mbyllen tek publiku.