Protesta në Bjellorusi, gratë sfidojnë policët e maskuar

260
Sigal

Një tjetër ditë protestash po mbahet në Minsk, kundër fitores së diskutueshme të presidentit Aleksandër Lukashenko në zgjedhjet e fundjavës së kaluar.

I ashtuquajturi “Marshi i Lirisë’’, vjen mes zemërimit në rritje lidhur me manipulimin e pretenduar të rezultateve zgjedhore dhe dhunës policore gjatë protestave që pasuan.

Qindra mbështetës të Lukashenkos kanë zhvilluar kundër-protesta në kryeqytet.
Të shumtë kanë qenë protestuesit e arrestuar ndërsa është raportuar edhe për tortura në burgjet bjelloruse.

Në këtë përballje për të rrëzuar diktatorin e fundit të Europës, qytetarët bjellorusë kanë sjellë shembuj qytetarie në protesta por edhe solidarizim mes tyre.

Siç shihet dhe në këto pamje, gratë dhe vajzat bjelloruse kanë formuar një gardh mbrojtës për djemtë të cilët protestojnë, duke mos lejuar policinë ti shoqërojë me dhunë.

Ato përpiqen deri në fund për të penguar policinë të cilët kanë mundur të shoqërojnë dy-tre prej tyre.

Manifestimet zhvillohen pasi Lukashenko tha se Rusia kishte shprehur gatishmërinë të ofronte asistencë të sigurisë, në rastin e kërcënimeve të jashtme ushtarake.

Moska pretendon se forca te huaja po përpiqen të destabilizojnë vendin.
Bashkimi Europian ka kërcënuar të sanksionojë vendin pas shtypjes së egër të protestave, ku dy persona u vranë dhe mijëra të tjerë janë arrestuar.