Tregu i krediteve, një biznes fitimprurës për trafikantët e arsimit 

571
Sigal

Ndërsa  testet e realizuara në sektorin e arsimit duket haptazi se kanë rezultuar një mashtrim i hapur për mësuesit pjesëmarrës, trafikantët e arsimit kanë çelur një rrugë  tjetër përfitimi: tregun e krediteve. Ndërsa vendet e lira për mësues në rajonin verilindor sipas Ministrisë së Arsimit arrijnë në 236, asnjë prej 29 mësuesve fitues të testit të 6 dhjetorit nuk është punësuar, pavarësisht kërkesave të përditshme të tyre. Situata është kthyer në qesharake, kur drejtoresha rajonale e arsimit u përsërit fituesve se, “vendosjen e tyre në punë e ka ministrja Lindita Nikolla. Vetëm me firmën e saj mund të filloni punën”. Ndërsa hesht për faktin se nuk mund t’i largojë mësuesit pa arsimin përkatës nga vendet e punës që kanë zënë kushedi se me ç’mënyrë. Kjo histori mashtrimi tashmë ka marrë fund. Ndërsa nga specialistët që  ia kanë marrë dorën të nxjerrin përfitime nga mësuesit hallexhinj tashmë kanë çelur tregun e krediteve. Ky treg është bërë mjaft fitim prurës, aq sa tashmë edhe çmimi ka një rritje. Kështu një kredit ka kapur çmimin 2000 lekë, nga 1000 lekë që ishte më parë. Aq më tepër që këtë vit kërkesa për to është rritur ndjeshëm nga gjithë armata e mësuesve që do të kryejë edhe testin në muajin prill e maj. Kreditet  jepen  nga agjencia e krediteve, një subjekt privat, i licencuar nga Ministria e Arsimit. Duket e çuditshme një ecuri e tillë e punës me mësuesit. Janë vetë mësuesit që tregojnë si është ecuria e një biznesi të tillë, krejt i çuditshëm, që kryhet nën hundën e ministrisë së arsimit. Bile është kjo e fundit që blerjen e krediteve e konsideron si përgatitje profesionale. Mjaft qesharake një ecuri e tillë e përgatitjes së mësuesit. Po në sektorin e arsimit duket se gjithçka ka marrë rrugën e paradoksit. Jo vetëm tregu i krediteve, por edhe i testeve që po kryhen këtë vit. Tregojnë mësuesit: Na është rritur numri i krediteve që duhet të përfitojmë brenda një viti: nga 3 na janë bërë 6 – 7. Këto na duhen për të siguruar vendin e punës. Ndaj jemi të detyruar t’i blejmë. Harxhojmë paratë, por nuk lodhemi. Vazhdon tregimi i mësuesve si i sigurojnë kreditet: Në shkollë, vetë mësuesit shënojnë numrin e krediteve që duan të blejnë. Pasi bëjnë listën me telefon, lajmërojnë agjencinë private të krediteve, e cila sjell në shkollë një përfaqësues të saj me një çantë të mbushur plot me kredite, të cilat i shet kundrejt kërkesës së mësuesve. Paradoksalisht, kësisoj mësuesit marrin çdo vit certifikatën e përgatitjes profesionale. Vetë mësuesit thonë se, “na ka ardhur në majë të hundës blerja e përvitshme e krediteve dhe shpenzimi çdo vit deri në 14 mijë lekë për kreditë e blera, që askujt nuk i shërbejnë”. “Dhe këto kredite ua blejmë tregtarëve pa asnjë shkollë, që as nuk ia kanë idenë e arsimit. Të paktën të na dërgojnë tregtarë me arsimit të lartë”,- thonë  me të qeshur mësuesit. Ashtu si kryerjen e testit, në heshtje, armata e mësuesve, ka pranuar edhe tregun e krediteve. Askush nuk kundërshton. Edhe pse haptazi duket një idiotizëm me brirë. Pasi kështu nuk ka ndonjë lidhje me përgatitjen profesionale. Ka lidhje vetëm me  mafien që po instalohet dalëngadalë në sektorin e arsimit. Në të vërtetë, kreditet duhet t’u jepen mësuesve pas kryerjes së veprimtarive mësimore, shkencore nga persona të përgatitur dhe jo nga agjenci private. Nëse është kështu pse mësuesit duhet të paguajnë nga paga e tyre për veprimtaritë shkencore që organizohen. Pastaj i kontrollon kush të tilla veprimtari, që kanë tagrin e dhënies së krediteve. Vetë mësuesit tregojnë se “kreditet i blejmë, bile në këtë lloj biznesi janë të përfshirë edhe drejtorët e shkollave që u kërkojnë mësuesve medoemos kreditet. Dhe për të mbajtur vendin e punës detyrohemi t’i blejmë”. Të paktën deri tani nga Ministria e Arsimit është heshtur për mashtrimin e kryer përmes testit, po heshtet edhe për tregun e krediteve. Dhe heshtet se nuk mund t’i largojnë nga puna mësuesit pa  arsimin përkatës që janë të afërm të “rilindësve”, apo nuk dinë çfarë të thonë për tregun e  ri të shitjes së krediteve. Vetë mësuesit pyesin: Kush është  pronari i këtij tregu? Pasi për ta përbën shqetësim tendenca e rritjes së  çmimit. Testet, ministria i justifikoi përmes programit “mësues  për  Shqipërinë”. Tregun e krediteve i mbetet ta justifikojë përmes programit “të  fitoj për xhepin tim”. Sepse në realitet janë paradoksale përpjekjet e Ministrisë së Arsimit për të na mbushur mendjen se  reforma që po kryhet shumë shpejt do të ndikojë në rritjen e cilësisë së mësimdhënies. Tashmë me çfarë kemi parë deri tani, askush nuk i beson reformës arsimore që ka nisur nga muaji tetor i vitit 2013, e vazhdon sot e kësaj dite, duke shtuar edhe më shumë problemet me të cilat përballet arsimi, probleme që kanë mbetur pa zgjidhje.

 Artur Zeneli