Bajram Hysa: Drejtësia nëpërkëmbet nga paligjshmëria. Të hetohet Rektorati për shpërdorim detyre

465
Sigal

Intervistë/ Bajram Hysa, Dekan i Mjekësisë: Ku i ka çuar Rektorati të ardhurat tona, pëveçse ka fryrë organikën me militantë?

Situata financiare e Fakultetit të Mjekësisë është tepër e vështirë në fillim të vitit të ri akademik. Jo vetëm që nuk po flitet për investime, por shumica e pedagogëve vazhdojnë të mos paguhen për muaj të tërë. Këto janë problematikat që shtrohen në një intervistë për “Telegraf” nga dekani i Fakultetit të Mjekësisë Bajram Hysa, i cili akuzon Rektoratin e Universitetit të Mjekësisë për shpërdorim të fondeve, në shkelje të Ligjit për Arsimin e Lartë. “Të ardhurat e Fakultetit të Mjekësisë që vijnë nga tarifat e regjistrimit të studentëve, specializantëve apo doktorantëve janë përvetësuar në mënyrë të paligjshme nga Rektorati pa mendim të dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë dhe të Këshillit të Fakultetit, duke cenuar në këtë mënyrë autonominë e Fakultetit të Mjekësisë” shprehet Hysa.

Sot fillon viti i ri akademik. Si e ka gjetur ky vit akademik fakultetin e Mjekësisë?

Është viti i dytë që unë përshëndes studentët e vitit të parë duke u thënë: “Mirë se erdhët në Fakultetin e Mjekësisë!”. Ky vit, natyrisht në raport me vitin e kaluar, është në një stad më të përparuar përsa i përket procesit të kurrikulave, sepse stafi akademik i ngritur nga Fakulteti i Mjekësisë, nga Dekanati ka punuar seriozisht dhe ky brez që vjen sot në Fakultetin e Mjekësisë është me kurrikula bashkëkohore të nivelit europian. Ne kemi ngritur edhe një grup për kurrikulat e ciklit të dytë dhe të specializimit pasuniversitar, çfarë do të thotë që potenciali akademik është vënë në dispozicion dhe në shërbim të studentëve për të pasqyruar prirjet bashkëkohore edhe në Fakultetin e Mjekësisë. Por mund të them, që në një mënyrë të sforcuar me një vullnet goxha të dekanatit, ne mundëm që dy vitet e fundit, ndryshe nga vitet përpara, t’u vëmë në dispozicion studentëve një infrastrukturë që lidhet me shërbimin ndaj tyre. Pra, kemi bërë dixhitalizimin e informacionit që një vit e ca përpara dhe ky është brezi i dytë që e përfiton këtë dixhitalizim për t’u regjistruar në provime, për t’u njohur me detyrimet, mbartjet dhe kjo u shërben dhe pedagogëve për të nxjerrë online rezultatet e tyre. Kështu studentët e kanë më kollaj, nëpërmjet hyrjes on-line me x apo y pedagog, për të ditur rezultatet apo detyrimet që kanë ndaj asaj lënde.

Por, çfarë nuk shkon?

Por, ky vit na gjen me vështirësi të tjera të infrastrukturës dhe personelit akademik. Sikurse jam shprehur edhe në një deklaratë për shtyp, krijimi i Universitetit Mjekësor në vend që të çonte përpara objektivat strategjike që unë si Dekan kisha marrë në fushatë elektorale dhe që jam munduar të realizoj një pjesë të mirë të tyre, 30-40% të objektivave, në mënyrë të menjëhershme u ndërpre realizimi i këtyre objektivave, sepse Rektorati i Universitetit Mjekësor jo vetëm që nuk ka përkrahur këto prirje pozitive, por është bërë pengesa më e madhe në tërë historinë e Fakultetit të Mjekësisë, pasi ka futur duart në të ardhurat e fakultetit, çka ka bërë të mos motivohet dhe të paguhet ne minimum puna e 180 pedagogëve të jashtëm që kanë dhënë mësim vitin e kaluar akademik 2012-2013. Janë po këta që ne do të angazhojmë për punë akademike për vitin 2013-2014, edhe pse nuk kemi ndeshur në rezistencën e tyre, por na kanë mirëkuptuar, ata do të vazhdojnë normalisht zhvillimin e mësimit, por ka prej tyre që kanë hezituar, kërkojnë të paguhen një herë, pastaj të futen në proces mësimor.

Po përsa i përket investimeve që fakultetit i duhej të bënte për këtë vit akademik?

Përveç kësaj, Rektorati Mjekësor na ka penguar, se ne kishim ndërmend që këtë vit të fillonim investimet në sektorin eksperimental, kaq i domosdoshëm për studentët e Fakultetit të Mjekësisë për ciklin e dytë, për specializantët, sepse nuk mund të eksperimentosh direkt mbi trupin e  njeriut, mbi syrin e tij, pa eksperimentuar në kavie, në kafshë, minj, lepuj, etj. Ky sektor eksperimental i mungon fakultetit të Mjekësisë dhe për fat të keq nuk është bërë asnjë tenderim deri tani nga ana e Rektoratit, në objektivat që ne kishim si fakultet për përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të studentëve. Dimri po troket në derë, ne nuk kemi ngrohje, kemi instalimet e ngrohjes, por ende nuk është bërë një tenderim për të marrë naftë, lëndën djegëse. Imagjinoni auditore të larta, të mëdha e të zbrazëta sesa të ftohta janë për zhvillimin normal të procesit mësimor! Edhe pse ne i kemi pasur të kompletuara kompjuterat me videoprojektor, shumë prej tyre janë amortizuar dhe ne kishim parashikuar me shpenzimet tona që i tenderon Rektorati edhe ripërtëritjen e këtyre pajisjeve kaq të domosdoshme të procesit mësimor. Pra, do të jenë të detyruar pedagogët që me mjete të tyre, apo me mjete rrethanore të zhvillojnë procesin mësimor duke marrë laptop-ët e tyre, ndonjë videoprojektor borxh, etj etj. Pra, këto janë për shkak se Rektorati jo vetëm që nuk është angazhuar në nevojat tona, por nuk dimë përse i ka përdorur këto të ardhura, dimë vetëm që ka fryrë organikën me militantë në një periudhë shumë të shkurtër, kryesisht në periudhën e zgjedhjeve. Kjo natyrisht do të tërheqë vëmendjen e Qeverisë, sepse është një gropë e zezë jo vetëm në Fakultetin e Mjekësisë, por dhe në arsimin shqiptar.

A nuk është e drejta e fakulteti që ti vetëmenaxhojë të ardhurat që vijnë nga regjistrimet e studentëve?

Të ardhurat dytësore të fakultetit vijnë kryesisht nga tarifat e regjistrimit të studentëve, specializantëve, doktorantëve dhe këto, natyrisht, nuk duhet të preken pa një vendim të Dekanatit apo Këshillit të Fakultetit, prandaj thashë unë, se është vënë dorë në mënyrë të padrejtë. Pra, është prekur autonomia e Fakultetit të Mjekësisë.

Si do ia bëni për t’i përballuar gjithë këto vështirësi për këtë vit akademik?

 Një gjë është e qartë, se pavarësisht nga vështirësitë, unë them që do gjej konsensus me profesoratin, me të gjithë punonjësit e administratës, me studentët për të na mirëkuptuar dhe për të mos ndërprerë për asnjë çast procesin mësimor. Me gjithë vështirësitë që studenti do të ketë, me gjithë mungesën e standardeve në kushtet e mungesës së një infrastrukture, ne do të përpiqemi të bëjmë maksimumin duke shfrytëzuar edhe ambiente shtesë brenda Qendrës Spitalore Universitare, ku Fakulteti i Mjekësisë ka pedagogë të gjithë shefat e shërbimeve atje dhe do të shfrytëzojmë edhe  Telemedicinën, ambientet e saj, bibliotekën, veç bibliotekës sonë që edhe ne e kemi, por edhe kjo ka kaluar në vartësi të Rektoratit.

A keni marrë ndonjë reagim nga Qeveria e re?

Akoma s’kemi marrë reagim, por në fakt, në një kontakt që kemi pasur me ministren e re të Arsimit znj. Lindita Nikolla, pamë një mbështetje dhe një opinion pozitiv për t’i qëndruar afër Fakultetit të Mjekësisë dhe për të diskutuar opsionet e mundshme për perspektivën, jo vetëm të fakultetit, por edhe të Universitetit Mjekësor.

Militantët dhe mbrojtësit e katastrofës financiare të Fakultetit të Mjekësisë

Ne kemi kohë që kundërshtojmë, që nga muaji qershor, madje që më përpara kur flitej për ndryshimin e strukturës të Fakultetit të Mjekësisë dhe një Këshill Administrimi me strukturë politike, fantazëm mund të them, sepse nuk ka një strukturë të tillë në universitetet e tjera. Kjo është një strukturë e emëruar, sepse sipas Ligjit të Arsimit të Lartë, Këshilli i Administrimit përbëhet nga gjithë profesorati me tituj; doktorë shkencash, profesorë të asociuar, profesorë, deri sa të bëhen zgjedhjet. Kurse ata kanë emëruar një strukturë politike, këshilltarin e Kryeministrit, zv/ministrin e Financave, persona që u komanduan nga ish/ministri i Arsimit dhe që nga momenti që ata morën një vendim për prishjen e strukturës dhe ndryshimin e buxhetit, ne kemi reaguar. Unë jam ballafaquar me Këshillin e Administrimit dhe hapat e mia nuk kanë qenë kur unë bëra deklaratën për shtyp, kemi disa seanca gjyqësore që luftojmë njëra pas tjetrës për të fituar gjyqin mbi një padrejtësi që i është bërë Fakultetit të Mjekësisë dhe Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike që quhet ndryshe fakulteti i Infermierisë. Por më e keqja është se, drejtësia është bërë me të keqen jo me këtë proces dhe madje aty ka të dhëna që interesimi nga pala tjetër ka qenë i tillë për ta mbyllur fare këtë çështje dhe për ta pezulluar. Kështu që, në këto kushte kur edhe Drejtësia ende nuk ka dhënë një verdikt pozitiv, unë u detyrova që të bëja një sensibilizim mediatik. Nga ana tjetër, i kemi shkruar edhe qeverisë së parë edhe ministrit të Arsimit dhe ministrit aktual të Financave për këtë gjendje katastrofike financiare dhe për veprimet antiligjore të ndërmarra nga Universiteti Mjekësor i Tiranës, veprime që mund të konsiderohen si shpërdorim i mirëfilltë detyre dhe që mund të përbëjnë objekt për t’u investiguar nga organet e drejtësisë.