Skandali, universitetet publike kthehen në piramida si privati

514
Sigal

Universitetet publike rrezikojnë të japin diploma fiktive, njësoj si institucionet private të arsimit të lartë, të mbyllura nga MAS. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla deklaroi dje, në një konferencë të përbashkët për shtyp me tre rektorët e universiteteve më të mëdha në vend, Universitetin e Tiranës, Universitetin e Mjekësisë dhe Universitetin Politeknik, se është arritur një zgjidhje shumë e mirë për studentët që ndërpresin studimet e tyre në 18-të Institucionet e Arsimit të Lartë privat, që iu hoq licenca. Tashmë, për studentët e universiteteve të mbyllura nga MAS, janë të hapura dyert e universitetit publik. Pra, të gjithë ata studentë që vite më parë, dikur maturantë, nuk kanë arritur dot të fitojnë të drejtën e studimit në universitetet publike, tani do të diplomohen njësoj si ata maturantë, që nëpërmjet sistemit meritë-preferencë kanë sot statusin e studentit në një nga universitetet shtetërore. “Në ditët në vijim do të detajojmë programin e ndihmës, duke ngritur pranë universiteteve publike komisionet e pritjes, të cilët me përgjegjësi të plotë do trajtojnë rast pas rasti, duke shqyrtuar cilësinë e dosjeve të studentëve”, tha Nikolla. Trajtimi rast pas rasti, sipas ministres, nuk do të thotë se studentët jo cilësorë nuk do të jenë pjesë e universiteteve shtetërore. Nëse MAS dëshiron t’u japë një shans të dytë këtyre studentëve, duke i barazuar me ata studentë që kanë derdhur mund e djersë për të qenë pjesë e universiteteve shtetërore, atëherë, patjetër që këta studentë të universiteteve jocilësore private, duhet t’i nënshtrohen një provimi paraprak. Në të kundërt, arsimi i lartë shtetëror rrezikon cilësinë e tij, për më tepër tani në prag të akreditimit të tyre. Gjatë konferencës për shtyp, ministrja Nikolla tha se pas diskutimeve të gjata me rektorët është gjetur një zgjidhje për këta studentë, duke mundësuar atë që u premtua, se do t’i jepet studentëve një shans i dytë për vijimin e studimeve të tyre, duke shtuar se “Ajo për të cilën ne ramë dakord me universitetet është zgjidhja e duhur dhe më e mira për këta studentë, që jo vetëm u ofrohet një shans i dytë, por një program specifik që nuk cenon cilësinë e universiteteve, nuk cenon cilësinë e formimit të studentëve që tashmë janë në këto IAL publike si dhe nuk cenon asgjë nga buxheti i universiteteve”, tha Lindita Nikolla. Ministrja shtoi se “nga programi i ndihmës për studentët e IAL që iu është hequr licenca, përfitojmë jo vetëm ata të cilët kanë një shans të dytë për të ndjekur studimet e tyre, por edhe studentët që janë tashmë në universitete publike, sepse nuk do të konkurrohen më nesër në tregun e punës nga diploma pa vlerë, si dhe përfiton e gjithë shoqëria duke investuar cilësi për kapitalin e saj”. Ministrja, patjetër, kur është shprehur për përfituesit nga kjo marrëveshje, nuk ka pasur parasysh studentët aktualë të universiteteve shtetërore. Kjo, sepse studentët aktualë në universitetet shtetërore, ndërsa dje fituan përkundrejt këtyre studentëve të universitetve private të mbyllura nga MAS, në sajë të meritës dhe rezultateve të tyre në maturën shtetërore, nesër në tregun e punës do ti shtohet konkurrenca nga persona të cilët tashmë gëzojnë të njëjtat të drejta si ata, duke qenë se kanë në xhep një diplomë të universitetit shtetëror. Kjo është e padrejtë për të gjithë studentët që vijojnë studimet në universitet publike, por edhe për gjeneratat e tjera, sepse krijohet bindja se në kaosin që shoqëron arsimin në Shqipëri nuk ka vend për meritokraci. Ndërsa rektorët e universiteteve më të mëdha në vend, përpara cilësisë së universiteteve që drejtojnë dhe interesave të studentëve të vet, vunë postin e tyre (nuk duan të kenë fatin e prof. Bajram Hysa, dekanit të Fakultetit të Mjekësisë, ku politika veproi arbitrarisht). Rektori i UT-së Dhori Kule, në emër edhe të rektorëve Kaçani dhe Refatllari, shprehu gatishmërinë maksimale të strukturave drejtuese të universiteteve, duke siguruar vazhdimin e studimeve për studentët e IAL-ve qe iu hoq licenca, sipas udhëzimeve të MAS, në të dy ciklet e studimit.