Universiteti i Durrësit, me 15 mijë studentë. Mungojnë ambientet për leksione

636
Sigal

INTERVISTA/Flet Rektori i Universitetit të Durrësit Prof. Mit’hat Mema për risitë e vitit të ri akademik

  Ky vit i ri akademik e gjen Universitetin e Durrësit me 15 mijë studentë. Ndërsa edhe për semestrin e parë studentët do të vijojnë sërish të marrin leksione në shkollat e mesme të qytetit të Durrësit. Godina e parë e kampusit universitar pritet të përfundojë në fund të vitit, dhe ajo do të bëjë të mundur që aty të zhvendosen studentët e Fakultetit të Ekonomisë. Në një intervistë të dhënë për “Telegraf”, rektori i Universitetit të Durrësit Mit’hat Mema ka theksuar se: “Rritja e vazhdueshme e numrit të studentëve nga viti në vit, nuk është pasqyruar në shtimin dhe zgjerimin e  ambienteve  edhe këtë semestër të parë, studentët do të marrin leksione në 4 shkolla të mesme të qytetit gjatë orëve të pasdites”. Sallat në godinën universitare nuk i përgjigjen numrit të madh të studentëve, të cilët për këtë vit arrijnë numrin dhe kapacitet maksimale. “Në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore Rajnale, 3 shkolla të mesme, 2 pranë stadiumit dhe një në Shkozet do të jenë në shërbim të 3 fakulteteve, pasi të ketë përfunduar mësimi në gjimnaze. Kërkesa për studime në Durrës është e lartë dhe ne do tu përgjigjemi studentëve tanë, pavarësisht se mungojnë hapësirat e nevojshme dhe një godinë e re vihet në funksion në fund të këtij viti”, pohoi Mema. Ai ka shtuar më tej në intervistën e dhënë për “Telegraf “ se problemet e infrastrukturës fizike të ambienteve  do të zgjidhen vetëm pasi të ndërtohet kampusi universitar, ndërsa godina e re pritet të zgjidhë problemin emergjent që kemi me mungesën e ambienteve.

 -Zoti Mema, jemi në prag të nisjes së vitit të Ri akademik.  Sa arrin numri i studentëve në Universitetin e Durrësit?

 –Po, tashmë jemi në prag të fillimit të vitit të ri akademik dhe jemi në përgatitjet e fundit për ta filluar atë sa më mirë. Ky fillim viti, që përkon dhe me 100 -vjetorin e Pavarësisë, e gjen universitetin “Aleksandër Moisiu” të kompletuar nga pikëpamja e cikleve të studimit. Tashmë në universitet funksionojnë me shume se 45 programe studimi të ciklit të parë, 32 programe studimi të ciklit të dytë (Master Profesional dhe Master Shkencor) dhe studimet e doktoraturës. Numri i studentëve qe do të studiojnë  në  bankat e Universitetit i kalon të  15.000 (së bashku me Filialin e Peshkopisë.

 -Cilat janë degët e reja për këtë vit në sistemin full-time dhe në sistemin part-time?

 -Nisur nga ky fakt do të përmendja dy degët e të cilat marrin studentët e parë këtë vit, në fushën e IT Multimedias dhe Televizionit Dixhital. Një risi këtë vit akademik është hapja e programeve të studimit Master Profesional dhe Master Shkencor në fushën e sigurimeve, në fushat e mësuesisë në gjuhët shqipe dhe angleze, në fushën e drejtësisë, në fushën e shkencave politike, në fushën e shkencave kompjuterike dhe në Infermieri.

Ndërsa në sistemin me kohë të pjesshme nuk do të ketë ndonjë ndryshim këtë vit akademik.

 -Universiteti i Durrësit ka patur që prej themelimit të tij problem me akomodimin e studentëve dhe për këtë çështje studentët vijojnë leksione në shkolla të mesme? Si do të organizohet këtë vit të ri akademik studimi i tyre sipas fakulteteve?

-Pa dyshim që ky është problemi më i madh që ne kemi pasur dhe kemi. Edhe semestrin e parë të këtij viti akademik ne do të vazhdojmë të përdorim ambientet e shkollave të mesme. Pra në semestrin e dytë infrastruktura e universitetit dyfishohet, duke përmirësuar ndjeshëm situatën. Gjithashtu  ju vë  në dijeni se Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve ka miratuar ndërtimin e godinës së dytë në Kampusin e ri Universitar.

 -Për çdo vit Universiteti i Durrësit hap konkursin për pedagogë të rinj. Pjesa më e madhe e pedagogëve  janë me kontrata një vjeçare. Pse ndodh kjo? A nuk është më e domosdoshme që pedagogët që hyjnë të kenë jetëgjatësi në mësimdhënie, në universitet?

Unë do të  thoja se nuk është e vërtetë se shumica e pedagogëve janë me kontratë një vjeçare, ato përbëjnë më pak se 25 % të numrit të përgjithshëm të stafit akademik. Është plotësisht e vërtetë që për çdo vit akademik ne hapim konkurs për pranimin e stafit akademik me kohë të plotë apo të pjesshme, nisur nga fakti i rritjes së numrit të stafit akademik të ndodhur vit pas viti. Llojet dhe afatet e kontratave janë të përcaktuara në bazën ligjore dhe nënligjore në fuqi e cila përcakton dhe afatet e kontratave sipas kualifikimit të pedagogëve. Në universitet ne jemi përpjekur të tërheqim kandidatët me të mirë të cilët janë paraqitur, duke ju dhënë përparësi studimeve dhe eksperiencave jashtë vendit. 

 -Mbi çfarë kriteresh bazohet konkursi për pranimin e pedagogëve të rinj?

-Kriteret mbi të cilat bazohen konkurset e pranimit të stafit akademik janë të përcaktuara në statutin dhe rregulloren të universitetit. Para se gjithash garantohet transparencë dhe barazi për të gjithë konkurruesit. Vlerësimi i kandidaturave bazohet në dy komponentë, vlerësimi i dokumentacionit të paraqitur si dhe intervista. Në të gjitha rastet konkurrentëve u garantohet transparenca dhe e drejta për të ankimuar vlerësimin.

Studentët zhvillojnë mësim në ambientet e shkollave të mesme

Në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore Rajnale, 3 shkolla të mesme,  2 pranë stadiumit dhe një në Shkozet do të jenë në shërbim të 3 fakulteteve, pasi të ketë përfunduar mësimi në gjimnaze. Kërkesa për studime në Durrës është e lartë dhe universiteti ka marrë përsipër që tu  përgjigjet studentëve pavarësisht se mungojnë hapësirat e nevojshme dhe një godinë e re vihet në funksion në fund të këtij viti. Problemet e infrastrukturës fizike të ambienteve  do të zgjidhen vetëm pasi të ndërtohet kampusi universitar, ndërsa godina e re pritet të zgjidhë problemin emergjent që kemi me mungesën e ambienteve.