Spitali psikiatrik i Vlorës, në kushte skandaloze, s’ka mjekë, ilaçe dhe ujë

1041
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, Zamira Sina drejtoresha e spitalit psikiatrik “Ali Mihali”: “Do të ndryshojmë situatën!”

Drejtoresha e re e spitalit psikiatrik “Ali Mihali” dhe Qendra Komunitare e Shëndetit Mendor, Zamira Sina u emërua në këtë post të rëndësishëm, pas masave të marra për shkarkimin e drejtoreshës dhe dy mjekëve psikiatër, që janë proceduar në gjykatë për shpërdorim detyre. E vlerësuar si një organizatore e mirë edhe pse në moshë të re, Zamira ka marrë situatën në dorë për të përmirësuar gjendjen në këtë spital, ku janë ndeshur probleme të mëdha. Zonja Sina dha këtë intervistë ekskluzive për gazetën “Telegraf”.

Zonja Sina, cili është objektivi juaj pas emërimit në këtë post të rëndësishëm?

Puna ime dhe e stafit që drejtoj synon të realizojë qëllimin kryesor që ka vetë institucioni shtetëror, duke përcaktuar disa objektiva emergjente për të përmirësuar situatën në të cilën ishte ky spital. Konkretisht mund të specifikoj punën e thelluar që duhet të bëjmë për promovimin, parandalimin, diagnostikimin, trajtimin dhe rehabilitimin në fushën e shëndetit mendor. Sigurisht që të realizohen ato, kërkohet përgjegjshmëri e lartë dhe përkushtim maksimal. Paralelisht me këtë punë do të organizohen dhe përkrahen aktivitetet dhe nismat kundër diskriminimit, stigmatizimin dhe të përjashtimit të personave me sëmundje apo paaftësi mendore si dhe të kujdesemi me seriozitetin e duhur për respektimin e plotë të kësaj kategorie shoqërore.

Cila është situata në këtë institucion, cilat janë problemet më aktuale?

Për hir të së vërtetës duhet të them se institucioni është në një situatë të vështirë, pasi ka mungesë mjekësh psikiatër, çka ka krijuar një ngarkesë të madhe tek ata që janë në punë, të cilët janë të detyruar  të përballojnë dyfishin e normës së lejuar. Nga ana tjetër kemi mungesë medikamentesh, mungon uji i pijshëm. Kushdo që hyn në këtë institucion do të vërë re se ka një mungesë totale të investimeve, nuk është vënë dorë prej vitesh.

Çfarë keni mundur të bëni për të përmirësuar gjendjen?

I jemi vënë punës për të përmirësuar sadopak situatën, duke arritur të bëjmë edhe disa përmirësime, ku do të përmendja: Uljen e ditë qëndrimit në spital, zbatimin me përpikmëri i ligjit për shëndetin mendor, i fokusuar në respektimin e të drejtave të të sëmurit dhe mosdiskretitimi i tyre në ambiente të jashtme. Mendoj se kemi mundur ta organizojmë mirë punën, bashkëpunimin me familjarët e këtyre të të sëmurëve. Ky bashkëpunim konsiston në atë që personeli u jep atyre informacionin e nevojshëm, duke synuar bashkërisht lehtësimin në maksimum të problemeve psiko-sociale të të sëmurëve. Një problem tjetër që po merr rrugë është edhe procesi deinstitucionalizimit për të sëmurët kronikë, të cilët kanë qëndruar për arsye të ndryshme, veç asaj mjekësore.

Si keni mundur të nxirrni problemet që ka ky institucion?

Gjatë kësaj periudhe tremujore, që unë drejtoj këtë institucion multidisiplinare, në përbërje të të cilave kanë qenë mjekë, infermierë, psikologë, terapistë okupacional, punonjës socialë si dhe specialistë të tjerë, që veprojnë në mënyrë të koordinuar, sipas protokolleve përkatëse për ruajtjen dhe përmirësimin e shëndetit mendor, duke u mbështetur tek diagnoza specifike të secilit pacient, që është i shtruar në këtë institucion. Me një fjalë, të metat i konstatojmë në ekip dhe punën për përmirësimin e tyre, gjithashtu i bëjmë në ekip.

Nuk mund të konceptohet zonja drejtore, që këtij spitali, t’i mungojnë medikamentet.?

Ishte një situatë në ditët e para të ardhjes sime në këtë institucion. Për hir të së vërtetës theksoj se, ka pasur një mungesë të plotë të ilaçeve në periudhën e mëparshme dhe gjithçka është e bazuar në dokumente. Ka ardhur një kontroll i auditimit nga Ministria e Shëndetësisë dhe ne jemi në pritje të konkluzioneve të tij, njëherësh edhe për të nxjerrë përgjegjësinë e atyre që e çuan në këtë ditë spitalin psikiatrik, çka do të shoqërohet edhe me masa të menjëhershme për të përmirësuar gjendjen.

Zonja Sina, është e vërtetë se ka abuzim me ushqimin e të sëmurëve. Ju keni ndonjë informacion për këtë problem?

Ajo që kemi ndërmarrë tani, është ngritja e komisioneve të nevojshme me punonjës profesionistë për të ndjekur çdo ditë cilësinë e gatimit të ushqimit të sëmurëve, asortimentet që marrin, sasinë dhe cilësinë. Do të jemi të rreptë, nëse do të konstatohen abuzime, qoftë edhe në një ditë të vetme, do të përballen me ligjin që nga magazinieri deri tek kuzhinieri. Është e vetmja kënaqësi që provon kjo kategori të sëmurësh, shumëllojshmërinë dhe cilësinë e ushqimit, marrjen e vitaminave, çka ndikon edhe në përmirësimin e shëndetit të tyre.

Masat që do të ndryshojnë situatën

Aty ka aq shumë probleme, sa do të duhet shumë kohë për ta sjellë institucionin në parametrat që duhet. Nga ana e drejtorisë së spitalit po merren masa për të bërë transparente menaxhimin e pensioneve, që përfitojnë disa pacientë të shtruar në këtë spital. Njëkohësisht jemi duke punuar lidhur me hartimin e një projekti, për t’u ardhur në ndihmë familjeve, të cilat kanë pjesëtarë, që vuajnë nga sindroma e autizmit. Ky projekt bëhet për herë të parë dhe do të ketë një kosto të konsiderueshëm. Kemi filluar nga puna duke negociuar me biznese të ndryshme, për t’ju ardhur në ndihmë këtyre familjeve. Gjithashtu, shpresojmë se ministria do të dërgojë mjekë specialistë për të plotësuar vendet vakante.

Thyerjet disiplinore të personelit

Jemi hasur jo vetëm me thyerje disiplinore, por me mungesa me ditë të tëra, kjo për shkak të nepotizmit që ka pasur në këtë spital, familjarë, që kanë punuar në të njëjtin sektor. Përsëri dua të besoj se shkeljet, abuzimet, të metat serioze që e kanë katandisur spitalin në një situatë, që vetëm spital nuk mund të quhej, do të shkruhen e zeza mbi të bardhë në akt-kontrollin që presim ta marrim. Kjo, do të ndikonte shumë në nxjerrjen e përgjegjësisë, por edhe në përmirësimin rrënjësisht të punës. Ne kemi ngritur kontrolle, që ndjekin që nga disiplina e ardhjes në punë, shfrytëzimin e kohës së punës në interes të të sëmurit deri në largimin në orar nga spitali. Thyerjet disiplinore do të shoqërohen me masa, si prerje page.

 Ju faleminderit!