Rektori Malaj: Aplikantët, jo më pak se 48 kredite. Afati i aplikimeve deri në 30 shtator

470
Sigal

URDHRI/ Nisin pranimet për transferimin e studimeve në Ciklin e Parë të Studimeve me kohë të plotë në Universitetin e Arteve

 Universiteti i Arteve shpall të hapur procedurën për aplikim për transferim studimesh në këtë universitet për vitin akademik 2014-2015. Në urdhrin e firmosur nga Rektori i UART, prof. Petrit Malaj njoftohet fillimi i procedurave për pranimin e transferimeve të studentëve në vite të ndërmjetme nga Akademi, Universitete, Konservatore dhe Shkolla të tjera arti, brenda ose jashtë vendit. Për të pasur mundësinë e transferimit të studimeve në Universitetin e Arteve, aplikanti duhet të ketë jo më pak se 48 kredite. Ndërsa aplikimi për transferim studimesh bëhet individualisht, pranë Degës Mësimore dhe Zhvillimit të Kurrikulave në Universitetin e Arteve. Në urdhër thuhet se data përfundimtare e pranimit të dokumentacionit për aplikim për transferim studimesh është 30.09.2014.

 Dokumentet që duhet të paraqesë aplikuesi

Aplikuesi duhet të paraqesë një kërkesë në Universitetin e Arteve së bashku me dokumentacionin e nevojshëm, i cili duhet të përfshijë:

a) Formularin e Aplikimit për Transferim Studimesh (Formulari gjendet në Zyrën e Degës Mësimore dhe Zhvillimit të Kurrikulave);

b) Kërkesë me shkrim, ku të specifikohet Programi i Studimit që kërkon të

ndjekë në Universitetin e Arteve;

c) Kartën e studentit ose çdo dokument tjetër, ku të vërtetohet që ka statusin e studentit nga Institucioni Arsimor nga vjen;

d) Kontratën e lidhur në momentin e regjistrimit në institucionin arsimor nga

vjen si dhe çregjistrimin e tij nga ky Universitet;

e) Vërtetim në lidhje me programin e studimit dhe kursin ku ka qenë i regjistruar;

f) Vitin Akademik në të cilin bën shkëputjen;

g) Listën e lëndëve, krediteve dhe notave të fituara (Në formë zyrtare, me firmë dhe vulë nga Institucioni arsimor që i ka lëshuar);

h) Programet e lëndëve të zhvilluara sipas planeve mësimore, në formë zyrtare, me firmë dhe vulë nga Institucioni nga vjen;

i) Kopje e noterizuar e Diplomës së shkollës së mesme;

j) Dokument identifikimi ( kartë identiteti, pasaportë);

k) Për aplikantët, jo shtetas shqiptarë dëshmia e gjuhës shqipe. Kjo pikë nuk vlen për Shqiptarët e Trojeve;

I) Për institucionet e arsimit të lartë jashtë vendit, dokumentacioni i dorëzuar duhet të jetë i përkthyer në shqip dhe i noterizuar në Shqipëri;

m) Të gjitha dokumentet duhet të jenë origjinale, ose të noterizuara;

Komisioni i vlerësimeve

Dekani i fakultetit ngre komisionin e njohjes dhe ekuivalentimit të lëndëve, në të cilën duhet të marrin pjesë përfaqësues të grup lëndëve, që do të ekuivalentohen.

Numri i anëtarëve të komisionit të jetë nga 3 deri më 5 veta. Komisioni të bëjë ekuivalentimin e disiplinave që ka dhënë studenti me disiplinat përkatëse në Universitetin e Arteve, duke pasur parasysh kreditet e lëndës, programin e lëndës dhe notën e marrë. Krahas njohjes së plotë të lëndës, komisioni të bëjë ekuivalentimin e notës së fituar, sipas sistemit tonë të vlerësimit me 10 nota.

Në rastet e njohjes së pjesshme të lëndës, studentit i caktohet pjesa e programit që do të shlyhet, për të cilën mund të mos jetë domosdoshmëri frekuentimi i leksioneve dhe ushtrimeve, por frekuentimi i orëve speciale dhe praktikave është i detyrueshëm. Shlyerja mund të realizohet nëpërmjet provimit, bashkëbisedimit, projektit, ose forma të tjera që përcaktohen nga komisioni në funksion të natyrës së lëndës. Në vlerësimin përfundimtar merret parasysh edhe vlerësimi që ka marrë paraprakisht studenti për një pjesë të lëndës.

Në rastet kur komisioni bën njohje të plotë të programit të lëndës, por nuk bën dot ekuivalentimin e notës, sipas sistemit tonë të vlerësimit, komisioni mund të marrë një vendim në lidhje me rivlerësimin e njohurive që ka fituar studenti në lëndën përkatëse. Forma e rivlerësimit përcaktohet nga komisioni në funksion të natyrës së lëndës.

 

Përcaktimi i vitit akademik për aplikantin

Për të gjitha vlerësimet e bëra Komisioni i Vlerësimeve, të hartojë raportin përfundimtar të vlerësimit dhe me anë të një shkrese, të firmosur nga të gjithë anëtarët, ia dërgon Dekanit të fakultetit me të gjithë procedurën e kryer, kreditet, pikët e vendosura dhe çdo dokument tjetër të nevojshëm për këtë proces.

Dekani i Fakultetit, në funksion të numrit të krediteve të njohura përcakton vitin e ndërmjetëm, ku do të regjistrohet studenti në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi dhe përcakton gjithashtu edhe kreditet debite (nëse janë të nevojshme) që duhet të plotësojë studenti në përputhje me programin e studimit, ku është pranuar nga Komisioni i Vlerësimit.

Ledjana Saliu