Punësimi në Gjermani, Kea Decker: Kuotat që ka Shqipëria dhe profesionet e lira

479
Sigal

Zonja Decker, përhapja e lajmit se Gjermania kërkon 46.000
forca punëtore nga Shqipëria shkaktoi bujë. Çfarë qëndron konkretisht pas tij?

Kea Decker: Baza e këtij lajmi është faqja e internetit “Make
it in Germany” – portali zyrtar disagjuhësh për forca të kualifikuara
ndërkombëtare i Ministrisë Federale të Ekonomisë e Energjisë, Ministrisë Punës
e Çështjeve Sociale dhe Agjencisë Federale të Punësimit. Por shifra e përmendur
aty përfshin të gjitha ofertat e publikuara për punë në portalin “Make it in
Germany”, të cilat kanë qenë kërkesa të regjistruara të sipërmarrjeve gjermane
tek Agjencia Federale e Punësimit. “Make it in Germany” i drejtohet forcave të
kualifikuara, apo të interesuarve për shkollim profesional nga të gjitha
vendet, si edhe personave që hulumtojnë në Gjermani. Kështu njoftimi me shifrën
që përmendët ju ka një keqkuptim: Oferta përqendrohet tek të interesuarit e
kualifikuar që kërkojnë punë, dhe nuk u drejtohet vetëm qytetareve dhe
qytetarëve shqiptarë.

Pra nuk ka 46.000 vende pune vetëm për qytetarë nga
Shqipëria?

Ofertat e punësimit në “Make it in Germany” parimisht janë të
hapura për të gjitha kandidatet e kandidatët, si gjermanë edhe të huaj. E
veҫanta është që këto vende pune lidhen me sektorë, ku ka mungesë të fuqisë
punëtore të kualifikuar. Për këto profesione ekziston fillimisht baza ligjore
për forcat e huaja punëtore që kërkojnë akses në tregun gjerman të punës. Për
forcat e kualifikuara ekzistojnë kritere të ndryshme, varësisht nga vendi
origjinë. Kështu pra, vendet e punës të ofruara aty, si nga ana e kualifikimit
ashtu edhe e kritereve të pranimit në tregun gjerman nuk janë automatikisht të
hapura për të gjithë kandidatët.

Por për cilat profesione bëhet fjalë konkretisht?

Në fushën akademike kërkohen forca pune nga të ashtuquajtura
profesionet e shkencave natyrore (MINT), mjekë, inxhinierë, studiues të
shkencave ekzakte apo specialistë të informatikës. Tregu gjerman i punës ka
nevojë për forca të mirëkualifikuara. Por nga ana tjetër për të punuar si fuqi
punëtore e kualifikuar në Gjermani nuk nevojitet patjetër përfundimi i
universitetit. Nga 1 korriku 2013 qytetarët nga vendet jashtë BE kanë mundësi
të fillojnë punë në Gjermani edhe me diplomën e një shkolle profesionale, nëse
profesioni i tyre qëndron në listën e ashtuquajtur “lista pozitive”. Tjetra,
nëse ju keni një ofertë konkrete vendi pune të një punëdhënësi gjerman dhe
diploma juaj profesionale është ekuivalente me një diplomë gjermane.

Si duhet të veprojë dikush për njohjen e diplomës?

Duhet theksuar se njohja e diplomës duhet të aplikohet që në
vendin origjinë. Të interesuarit për këtë duhet të informohen më mirë në faqen
e internetit:www.anerkennung-in-deutschland.de.

Le të themi se një i ri shqiptar kërkon punë, kudo edhe në
Gjermani. Çfarë hapash duhet të ndjekë ai që ta gjejë një vend pune fillimisht?

Punëkërkuesit kanë mundësinë që në faqen online “Make it in
Germany” të verifikojnë së pari vetë nëse i plotësojnë kushtet e kërkuara.
Krahas kualifikimeve të caktuara, këtu luajnë rol edhe diplomat profesionale e
njohuritë e gjuhëve të huaja. Por kriteret variojnë në varësi të vendit të
punës, kjo duhet parë konkretisht. Krahas kësaj nga 28 tetori 2015 në bazë të
ligjit për rregullimin e punësimit (§26 Paragrafi. 2) ekziston edhe mundësia e
punësimit pa kualifikim të caktuar profesional, por kjo është me afat të
kufizuar e për punë që ndodhen jashtë „listës pozitive”, e për sa kohë që
plotësohen kriteret e caktuara.

Ka institucione në vend, pra në Kosovë e Shqipëri që
informojnë personat e interesuar?

Qendra për Ndërmjetësimin Profesional me Jashtë (ZAV) në
bashkëpunim me GIZ, Shoqatën për Bashkëpunimin Ndërkombëtar ndodhet në dialog
të vazhdueshëm me autoritetet përgjegjëse për punësimin në Shqipëri e Kosovë,
ato informojnë e këshillojnë për alternativat e migracionit legal në Gjermani,
kushtet e caktuara dhe procedurën. Kështu për shembull, më 6 tetor është
planifikuar një aktivitet informimi e rekrutimi që ZAV bashkë me GIZ kryejnë në
Tiranë për qytetaret e qytetarët e interesuar të emigrojnë për punë.