Procedurat për provimin e shtetit për mësuesit dhe mjekët, pikat ku do të bazohen

858
Sigal

INTERVISTA/Flet Drejtori i Drejtorisë së Provimit të Shtetit pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Niko Terezi për procedurat

Drejtori i Drejtorisë së Provimit të Shtetit pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Niko Terezi, duke folur në një intervistë për “Telegraf”, ka dhënë detaje rreth zhvillimit të provimit të shtetit për profesionin e mësuesisë. Zoti Terezi, e cilëson si mjaft të rëndësishëm provimin e shtetit që do të mbahet në fillimin e muajit tetor për profesionin e mësuesisë. Sipas tij, Ministria e Arsimit është e përgatitur për mbarëvajtjen e këtij provimi dhe ka publikuar edhe programin e saj para afatit të mbajtjes së provimit. Ajo që ka më shumë rëndësi është që nëse mësuesi nuk arrin t’i marrë pikët për të kaluar këtë provim, ai mund t’i nënshtrohet përsëri këtij provimi dhe provimi mund të jepet deri në pesë herë. Po ashtu zoti Terezi, ka shtuar se, shumë shpejt do të ketë dhe profesione të tjera që do t’i nënshtrohen këtij provimi shteti, ku provimit të radhës do t’i shtohet profesioni i inxhinierisë.

-Zoti Terezi, kur do të zhvillohet ky provim për profesionin e mësuesisë?

-Provimi ishte planifikuar për t’u zhvilluar në mesin e tetorit, por mund të shtyhet pak për shkak se në këtë periudhë do të bëhet kontrolli i aftësive profesionale. Në bazë të udhëzimit të Ministrisë së Arsimit nga e cila varet edhe Drejtoria që zhvillon provimin e shtetit, janë shpallur të gjitha programet për lëndët si Kimi, Matematikë, Gjuhë, Biologji etj.. Do të jeni 15 provime dhe programet janë shpallur katër muaj përpara. Ndërkohë që, për gjuhën angleze 40 % do ta ketë ana pedagogjike, ku këtu 6% do e ketë drejtshkrimi, ndërsa pjesa e gjuhës angleze do ta ketë 60%.

-Lidhur me programin orientues, ku do të bazohen pjesëmarrësit?

Së pari, personat e interesuar kanë rregulloren e praktikës profesionale dhe kanë që në 15 qershor programin e publikuar programin për çdo profil, janë të ndara si p.sh, për Histori është e ndarë, Gjeografia etj..   Ata po ashtu kanë edhe pyetjet për secilën nga këto profile.

Por për personat që kanë mbaruar sistemin 4-vjeçar, do t’i nënshtrohen këtij lloj testimi, apo do të ketë udhëzime të tjera?

Do të jenë të përfshirë të gjithë ata që kanë marrë një diplomë të nivelit të dytë në mësuesi. Në diplomë duhet të jetë e shkruar p.sh. “Mësues për letërsi”.

Më konkretisht, për personat me sistemin 4-vjeçar do t’i nënshtrohen këtij lloj provimi? 

Do t’i nënshtrohen këtij provimi të gjithë ata persona që kanë mbaruar pas 15 Janarit 2011.

 -Si do të bëhet vlerësimi dhe çfarë masash që do merren për mësuesit nëse nuk do i marrin pikët e duhura në këtë provim?

-Sikurse edhe në provime të tjera në fushën e mësuesisë edhe ky provim do të ketë 50 pyetje, ku 20 pyetje do të jenë të pjesës së përbashkët dhe 30 pyetje do të jenë të pjesës profesionale. Këto 50 pyetje kanë në total 100 pikë dhe që një mësues të kalojë provimin duhet të ketë marrë në provim 50 pikë. Ndërkohë që, nëse nuk i plotëson pikët për ta kaluar në provim, ministria ka përgatitur një rregullore dhe si e tillë një mësues ka të drejtë që ta japë një provim deri në pesë herë. Provimi do të bëhet njëherë në vit, por mund të bëhet edhe dy herë në vit. Por nuk besoj që një mësues do të shkojë deri në pesë herë, pasi ata që kanë mësuar e kanë marrë që herën e parë, dhe e shumta kanë shkuar deri herën e dytë. Tarifa për këtë provim është 10000 lekë të reja dhe tarifa paguhet sa herë që mësuesi e jep provimin.

-Përkrah këtyre profesioneve si mësuesi dhe mjekësi, a do të ketë profesione të tjera që do të përfshihen në këtë provim?

-Po do të ketë dhe një sërë profesionesh të tjera që do t’i nënshtrohen provimit të shtetit. Më konkretisht do të përfshihen profesionet e inxhinierisë. Ku më konkretisht do të përfshihen inxhinieria e ndërtimit, inxhinieria elektrike, arkitektura, inxhinieria mekanike, inxhinieria e ambientit.

-Krahas këtyre që përmendët ju theksuat që do ketë dhe profesione të tjera që do të përfshihen në provimin e shtetit, kur do të fillojë aplikimi i provimeve për këto profesione?

-Ne si Ministri e Arsimit dhe Shkencës jemi gati për të bërë pjesën tonë, për mbajtjen e këtyre provimeve edhe për profesione të tjera përkrah mësuesisë dhe mjekësisë. Pjesa tjetër i përket ministrive të tjera, por më lejoni që të theksoj që edhe nga zoti Olldashi kemi marrë shkresë zyrtare që janë të përgatitur. Por vitin tjetër besoj që do të fillojë të aplikohet edhe për profesione të tjera provimi i shtetit. Janë 35 profesione, deri më tani janë 6 profesione nga mjekësia, janë dhe tre të tjera nga infermieria, që përfshin logopedi, imazheri dhe teknik laboratori, është mësuesia me tre profesione dhe bëhen 12 profesione deri më tani. Pjesa tjetër nuk janë zhvilluar, por ne si ministri po përgatisim programet dhe në vitet në vazhdim do të shtohet edhe pjesa tjetër e profesioneve që do t’i shtohen provimit të shtetit.

-A mos jemi pak me vonesë për aplikimin e provimit të shtetit për profesionet të ndryshme?

-Europa i ka aplikuar në vitin 2007, po e rëndësishme është që ka filluar që të aplikohet dhe kjo ka më shumë rëndësi. Por ashtu siç është shkruar edhe në udhëzimit e ministrisë janë marrë profesionet më të rëndësishme. Ku mjeku ka rol të madh në shëndetin e njeriut, po ashtu edhe arsimi ka një rol të rëndësishëm, pastaj vjen dhe inxhinieria e cila po ashtu është mjaft e rëndësishme. Ky provim ka të bëjë më faktin që ata që japin provimin janë kandidatët që do të licencohen dhe që janë të aftë për ushtrimin profesionit të tyre.

Nuk shmanget mbingarkesa, 45 nxënës në një klasë në Tiranë

Sërish edhe këtë vit klasat në shkollat e mesme, do të kenë 40- 45 nxënës. Ky mbipopullim do të jetë  më i dukshëm në shkollat  e Tiranës, në veçanti në gjimnazet, si “Petro Nini”, “Sami Frashëri”, e “Qemal Stafa”. Autoritetet në ministrinë e Arsimit bëjnë me dije se është i pashmangshëm ky fluks, pasi numri i të ardhurve në Tiranë  nga viti në vit rritet. Kjo situatë  e numrit të lartë të nxënësve në klasa është dhe në shkollat 9-vjeçare të Tiranës, por edhe në kopshte e çerdhe. “Ka një rregull që e zbaton drejtoria arsimore e Tiranës, që të gjithë nxënësit duhet të jenë në vendbanimin e tyre. Por duhet të keni parasysh që nëse ai vjen nga një vend tjetër dhe bën vendbanimin te blloku, për shembull, është e drejta e tij të kërkoj shkollën “11 janari”, pranë vendbanimit që kërkon. Ka një shpërndarje të tillë, ka dhe një shpërndarje sipas gjuhës së huaj që bëjnë. Por pavarësisht kësaj nuk mund të themi që kapacitetet janë të mjaftueshme”, thotë Ndriçim Mehmeti, përgjegjës i sektorit të arsimit parauniversitar. Ky mbipopullim nuk është komod  as për nxënësit, të cilët jo vetëm që duhet të ndjekin mësim me turne por të rrinë dhe nga tre  veta në bankë, ndërkohë që problem është edhe për arsimtarët të cilët duhet të përballen me një ngarkesë mësimore tej normës. “Ne jemi të pakënaqur po themi në thonjëza, sepse kërkojmë gjithnjë që të ketë sa më pak nxënës që ti japim mundësi mësuesve të punojnë me një cilësi shumë më të lartë se sa mund të punohet me 40-45 nxënës”, thotë Mehmeti. Autoritetet e arsimit shprehen se po bëhet një planifikim se sa shkolla i duhen qyteteve që e kanë këtë problematikë të theksuar, si Tirana apo Durrësi. Ndërkohë që vetëm  pak ditë na ndajnë nga startimi i vit të ri shkollor.