“Maxhoranca është pengesa e vetme në procesin integrues të vendit”

562
Sigal

INTERVISTA/ Flet anëtarja e Këshillit të Legjislacionit, Ermonela Felaj: “PS-ja e ka vullnetin politik të ndërtojmë pavarësinë e drejtësisë”

Reformat e 12 prioriteteve ndodhen në udhëkryqin e dyshimit të realizimit, derisa PD-PS nuk  tregojnë respekt reciprok ndaj njëra-tjetrës, edhe për ato reforma që kërkojnë konsensusin politik. Tregues ishte preteksti që PD-ja “argumentoi” për shtyrjen e shqyrtimit të amendamenteve të PS-së për ndryshime kushtetuese. Deputetja e PS-së, Ermonela Felaj, anëtare e Këshillit të Legjislacionit, në intervistën për “Telegraf” prek dhe trajton realitetin politik, duke nxjerrë në pah edhe politikën e PS-së për vazhdimësinë e ecurisë së reformave.  

– Zonja Felaj, mendoni se arsyeja e vërtetë e shtyrjes të amendamenteve të PS-së në Këshillin   e Legjislacionit në Kuvend, ishte ajo që tha zoti

Rusmajli: “Ne duam kohë racionale, të mund t’i lexojmë me seriozitet, t’i vlerësojmë e të japim një gjykim profesional”?

– Mbledhja e Këshillit të Legjislacionit  konfirmoi qartë se maxhoranca është pengesa e vetme në procesin integrues te vendit. Në qoftë se pardje ishe mundësia për t’i hapur rrugë  në kohë një procesi të ndryshimit kushtetues, sot kjo mundësi rezulton e rrezikuar seriozisht përballë afatit kohor, në të cilin BE-ja do të japë opinion për Shqipërinë. Kohazvarritja e marrë  është një kohë  vetëm për të shtyrë ose asgjësuar fatet e shqiptarëve, asgjë tjetër. Duke kërkuar që gjyqtarët në gjykatat më të larta të vendit të zgjidhen me shumicë të cilësuar, dhe apo ashtu dhe Prokurori i Përgjithshëm, ne synojmë ta vëmë publikun përballë zgjedhjes, një drejtësi e pavarur dhe e paanshme apo një drejtësi e bjerrur fund krye, gjyqtarë dhe prokurorë dinjitozë dhe jo zotërinj zyrash që u kanë hequr me kohë çekiçin nga dora.

– Kryetari i PS-së, Edi Rama, në intervistën te “Vizion +”, la të kuptohet se PS-ja do të votojë reformën e Imunitetit, pavarësisht nëse votohen 4 kushtet e saj për ndryshimet kushtetuese. E kemi kuptuar saktë?

– Shpresoj që po. Ne nuk e kemi kushtëzuar asnjëherë çështjen e kufizimit të imuniteteve, kemi kushtëzuar vetëm dhe  për parime jo për tekë, qëndrimin me votë në parlament, duke kërkuar që të gjitha ndryshimet e propozuara në Kushtetutë të votohen si një paketë e vetme. Kuptohet,  se ndryshimin e Kushtetutës nuk do ta lejojmë të ndodhë në varësi të oreksit të Saliut.

– Në debatin që zhvillohet për çështjen e Imunitetit, shumë  kanë  një opinion. Që të dy palët nuk kanë vullnetin politik, të luftojnë korrupsionin dhe se imuniteti nuk e ka penguar luftën kundër imunitetit. Cili është qëndrimi juaj?

– Nuk ndaj të njëjtin mendim me ju në këtë pikë, sepse nuk mendoj që shumica beson se korrupsioni është  çështje kriminalizimi e 140 vetëve në Kuvendin e Shqipërisë. Nuk besoj të ketë ndonjë vend tjetër demokratik, ku anëtarët e qeverisë të jenë përfshirë në afera korruptive, fjala vjen në çdo  privatizim të rëndësishëm të pasurive publike. Sot në drejtësi, mund të bësh shumë lehtë karrierë, kuptohet nëse hyn nga ajo derë nga fryn dhe korrupsioni. Mjafton vetëm pëlqimi delirant i 36 përfaqësuesve në Kuvend që të bëhesh pjesë e instancave më të larta të drejtësisë. Nuk e di si do ju tingëllonte juve kjo, që ndërkohë që këta njerëz hyjnë nga një derë tanimë të shqyer, vështirë se dalin ndonjëherë prej saj. Desha ta them këtë, veçanërisht   e nxitur prej cilësimit që iu bënte amendimeve tona  deputeti (Fatos Hoxha, shënimi i autorit) i PD-së, duke konsideruar se ndryshimet që ne kërkojmë janë nga ato që bëhen një herë në 100 vjet. E kuptoni absurdin që ndodh tek ne? Tanimë e qëkurse dhe Presidentin e zgjedh vetëm njëra palë,  nuk ka asnjë barrierë  që individë të korruptuar e sahanlëpirës të pushtetit të pushtojnë majat e drejtësisë.

– Si mund ta kuptojmë më qartë deklaratën e ministrit Panariti, i cili nga Brukseli, tha se reforma e Imunitetit, nuk kushtëzon statusin, por Korrupsioni është ajo i kërkohet?

– Kam përshtypjen se ministri Panariti e sheh korrupsionin si fenomen abstrakt, apo më saktë se njerëzve të zakonshëm u duket i tillë… Korrupsioni gëlon në radhët e kësaj maxhorance të ngjizur keqazi, prandaj kërkon një kirurgji të thellë për ta shkulur. Pikërisht kësaj i trembet  Saliu, pikërisht për këtë vjedh kohen e shqiptarëve,

 – Në projektligjin për Gjykatën e Lartë, opozita kërkoi shtyrjen e shqyrtimit të këtij, pasi të shqyrtohen amendamentet e saj për ndryshimet kushtetuese. Në qoftë se maxhoranca nuk i miraton amendamentet tuaja, cili do të jetë qëndrimi i PS për p/ligjin e Gjykatës së Lartë?

– Ne kemi propozuar ndryshime në Kushtetutë në lidhje me mënyrën e përzgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, dhe këtë propozim nuk ia kemi shtruar për diskutim thjesht dhe vetëm maxhorancës, por mbi të gjitha publikut, përfaqësuesve të institucioneve të pavarura, ekspertëve konstitucionalistë dhe shoqërisë civile. Pra, është një përgjigje, e cila do të mësohet në kohë dhe jo më parë.

– Derisa PS-ja është për heqjen e imunitetit juridik, përse nuk është për heqjen e imunitetit politik? P.sh, përse hartimi i listave të kandidatëve për deputetë, të jetë e drejtë e përzgjedhjes të një kryesie të ngushtë ne PS dhe jo e strukturave të PS?

– Nuk shoh asnjë paralele në këtë mes. Imuniteti është privilegj i njohur dhe  i dhënë për shkak të detyrës, ndërsa përzgjedhja e kandidatëve për deputetë është çështje e rregullave të funksionimit të një partie politike. Përfaqësuesit në Kuvend të PS-së dhe ata që do të jenë me vonë, të jenë të bindur se janë nga njerëzit më të devotshëm të mbështetur gjerësisht nga radhët e anëtarësisë së PS-së dhe po aq të ethshëm që së bashku  ta sjellin në pushtet të majtën.

– Koha e shqyrtimit të realizimit të  12 prioriteteve po afron, kur ndërkohë, shumë reforma akoma nuk janë konkretizuar. Jeni optimiste?

– Nuk ka vend për optimizëm dhe as për t’iu bashkuar entuziazmit të qeverisë. Këtë gjë besoj kanë kuptuar dhe shqiptarët teksa shohin Saliun t’ju rrënojë ekonominë, t’i shndërrojë në qiramarrës në shtëpinë e vet, përmes privatizimit të çdo pasurie publike, sikurse së fundi “Albpetrol”-i, një kompani shtetërore, që nevojitej të shndërrohej në një amortizator të fuqishëm social, krahas një kompanie fitimprurëse. Përkundrazi, me qindra janë hedhur në rruge dhe me qindra pritet të hidhen.

–  Faleminderit!

 Somario

Kryeprokurori i ri

Kjo zgjedhje duhet të jetë fryt i bashkëpunimit i të gjithëve në Parlament. Kjo do të ishte e vetmja mënyrë, ndoshta për të evituar zgjedhje prokurorësh që nuk kanë mundur t’i japin këtij organi autoritetin që meriton.

Pushteti absolut dhe heqja e imunitetit

Heqja do të ishte keqpërdorur pa asnjë dyshim, prandaj ne kemi shprehur dakortësi vetëm për kufizim dhe jo heqje të imunitetit. Kënaqësia më e madhe e Saliut do të ishte të zhdukte opozitën apo çdo zë imunitar dhe sigurisht që heqja e imunitetit do t’ia mundësonte një gjë të tillë, sapo të zbardhej në Kushtetutë. Ky njeri ka ndërmarrë një gjueti të tërë gjobash kundër të gjithë atyre që guxuan dhe guxojnë të flasin për punët e errëta të këtij pushteti.

Kapitali politik i statusit kandidat

– PD-ja e ka përdorur dhe do ta përdorë si lajtmotiv duke harruar se rezultati është vlerësim i aftësive (paaftësisë) më saktë të saj. Në 2011  e larguam Saliun nga drejtimi i shumicës së qyteteve dhe fshatrave të Shqipërisë, në 2013 do ta largojmë përfundimisht nga të eksperimentuarit mbi Shqipërinë.

PS-ja, përse nuk kërkon ndryshimin kushtetues të zgjedhjes të Presidentit me 84 vota?

– E drejta për të zgjedhur gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese nuk është një e drejtë ekskluzive e Presidentit, kjo e drejtë për vetë rëndësinë e  saj është e ndërthurur me të drejtën e Parlamentit për të dhënë pëlqimin e tij ose jo. Për më tepër, kjo nuk është një praktikë shqiptarë, por e kanë shumë kushtetuta në botë. Përsa i takon zgjedhjes së Presidentit është vetë fryma e Kushtetutës që ta imponon një zgjedhje me konsensus, nëse nuk mjafton as fryma, këtë se bën dot as germa dhe as neni.