Trafiku i drogës, PD depoziton kërkesën për seancë të jashtëzakonshme. Paloka: Çdo refuzim është i papranueshëm

418
Sigal

Opozita nis bojkotimin e komisioneve parlamentare dhe kushtëzim të marrëdhënieve me mazhorancën qeveritare duke kërkuar njëherësh një seancë të jashtëzakonshme të Parlamentit, në kushtet kur sipas tyre avionë të vegjël përdoren për trafik droge. Kryetari i grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, dy ditë para protestës që lideri i opozitës Basha ka paralajmëruar të zhvillohet pasnesër para Parlamentit për dorëheqjen e kryeministrit Rama, kërkoi me ngulm që Kuvendi të mbajë të enjten një sancë të jashtëzakonshme  dhe të shtyjë rendin e ditës të palnifikuar për një tjetër datë. Çdo tentativë për të mos e pranuar këtë kërkesë nga ana e kryeparlamentarit Meta, sipas Palokës është e papranueshme

K Ë R K E S Ë

DREJTUAR:                                    ZOTIT ILIR META

                                    KRYETAR I KUVENDIT TË SHQIPËRISË

KËRKUES:                                      GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË DEMOKRATIKE

OBJEKTI:                                        NDRYSHIMI I RENDIT TË DITËS DHE ZHVILLIMI I NJË SEANCE TË JASHTËZAKONSHME PARLAMENTARE MË DATË 15.05.2014

BAZA LIGJORE:                           Neni 7 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe neni 31 e vijues i Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

 

I nderuar z. Kryetar i Kuvendit,

Prej disa kohësh opozita parlamentare paraqiti në Kuvendit e Shqipërisë një shqetësim publik, sipas të cilit avionë të vegjël po përdoreshin nga narkotrafikantët për trafik të paligjshëm të lëndëve narkotike, në hapësirën ajrore shqiptare. Nga informacionet e disponuara nga opozita, avionë të tillë ishin parë nga banorët dhe organet e specializuara, në zona të tilla si Gjadër, Divjakë, Kardhiq, etj.. Menjëherë, me ndjenjë të lartë përgjegjshmërie, kërkuam nga Qeveria që të bënte transparencë nëse kishte të dhëna mbi këtë fakt, si dhe të informonte opinionin pubik për marrjen e masave për verifikimin e këtyre informacioneve dhe frenimin/parandalimin/goditjen e këtij fenomeni të kundërligjshëm.

Në mungesë totale përgjegjshmërie, Qeveria, jo vetëm mohoi dijeninë mbi këtë fakt, por u zotua se një gjë e tillë ishte e pamundur të ndodhte në Shqipëri. Në këtë rast, në mënyrë të koordinuar, drejtuesit më të lartë të Qeverisë dhe mazhorancës parlamentare, garantuan se trafikimi i lëndëve narkotike nëpërmjet rrugëve ajrore, jo vetëm nuk ka ndodhur, por nuk ishte e mundur të ndodhte. Gjithashtu, në mënyrë të koordinuar, drejtuesit më të lartë të Qeverisë dhe mazhorancës parlamentare, në vend që të merrnin masa për të verifikuar informacionet, nxituan të ngrinin një alibi shtetërore, se avionët e vegjël që uleshin e ngriheshin anë e mbanë vendit, ishin “mushkonja”, apo avionë që shkonin pas mushkonjave! Madje, për të realizuar një veprimtari propagandistike kundër zërit dhe shqetësimit të opozitës dhe opinionit publik, nxituan të kërkonit ngritjen e një Komisioni Hetimor, i cili në mënyrë të paprecedentë nuk duhet të hetonte fenomenin dhe të dhënat për trafik të mundshëm droge nëpërmjet avionëve të vegjël, por do të “përgënjeshtronin” akuzat e opozitës dhe banorëve, duke u përpjekur seriozisht të pengonin zbardhjen e të vërtetës.

Ngritja e një alibie shtetërore nëpërmjet teorisë se avionët janë “mushkonja”, dhe se banorëve të zonave dhe opozitës “mushkonjat” i duken avionë, jo vetëm nuk ndihmoi në frenimin dhe parandalimin e këtij fenomeni, por i dha hov narkotrafikantëve që të vijonin të qetë veprimtarinë e tyre kriminale. Pas ngjarjes së bërë publike më 10.05.2014, ku një avion i vogël u ulë në Divjakë, me qëllim transportim të lëndëve narkotike, si dhe fakteve që po bëhen publike orë pas ore nga media, vlerësojmë se ngritja e alibisë shtetërore me ndihmën e “mushkonjave”, tregon se ka patur më së pakti qëllim të fsheh të vërtetën, dhe më së shumti, përfshirjen e drejtpërdrejt të atyre që ngritën alibinë në një aksion shtetëror për përkrahjen e narkotrafikantëve dhe bërjes palë me to.

Në këtë drejtim, Kuvendi i Shqipërisë, si organ që përfaqëson vullnetin e sovranit, nuk mund të ketë axhendë tjetër vec diskutimit mbi ngjarjen e Divjakës dhe trafikun e drogës në rrugë ajrore, me ndihmën e alibisë shtetërore të mushkonjave. Në këtë rast, llogaridhënia e Qeverisë mbi këtë cështje është axhendë e cdo shqiptari dhe duhet të jetë edhe axhendë e vetme e Kuvendit të Shqipërisë. Cdo shqiptar kërkon sot përgjigje për pyetjet e mëposhtme:

1-     Pse u ngrit alibia shtetërore e mushkonjave për të mbuluar këtë formë të trafikut të drogës?

2-     Pse Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit, folën për “mushkonja” dhe insekte të tjera, të cilën fluturonin në hapësirën ajrore shqiptare, duke mohuar kategorikisht mundësinë e përdorimit nga narkotrafikantët të hapësirës ajërore për trafik të paligjshëm droge?

3-     Cila ishte arsye e këtij qëndrimi të nxituar dhe të papërgjegjshëm?

4-     Pse nuk u morë asnjë masë për të verifikuar informacionet mbi përdorimin e avionëve të vegjël për trafik droge?

5-     Cili është roli i organeve shtetërore në këtë cështje dhe cfarë masash kanë marrë ato për parandalimin dhe goditjen e këtij fenomeni.

Përsa më lart, në funksion të mbrojtjes së Kushtetutës, parimeve të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe interesit publik, në përputhje me nenin 7 të Kushtetutës, si dhe nenit 31 e vijues të  Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë:

KËRKOJMË:

 

1- Thirrjen e Kuvendit në një seancë të jashtëzakonshme parlamentare, ku të diskutohet mbi ngjarjen e Divjakës dhe trafikun e drogës në rrugë ajrore, me ndihmën e alibisë shtetërore “të mushkonjave”.

2- Përfshirjen e kësaj cështje në rend dite, duke qenë e vetmja cështje që diskutohet/shqyrtohet në seancë plenare.

3- Cështjet e përfshira në rendin e ditës të seancës plenare të datës 15.04.2014 të shtyhen dhe të shqyrtohen në një seancë tjetër të Kuvendit, për datën dhe orën e të cilës të bihet dakord në Konferencën e Kryetarëve.

Në fund ju bëjmë me dije se cdo tentativë për të bllokua këtë seancë plenare të jashtëzakonshme, apo për të mospranuar këtë kërkesë legjitime të opozitës, si zëri i vetëm i mbrojtjes së interesit publik, është e papranueshme për opozitën dhe vetë opinionin publik.

Duke ju falenderuar për mirëkuptimin,

KRYETARI

 

EDI PALOKA