BE:Fatin e integrimit e ka në dorë politika

442
Sigal

Sot në Bruksel mbahet takimi i gjashtë i Këshillit të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri. Në qëndrimin e përbashkët të 28 vendeve anëtare, pasi përmendet vendimi i Këshillit të Dhjetorit për dhënien e statusit kandidat në Qershor, bazuar në vlerësimin e Komisionit për gjyqësorin, korrupsionin dhe krimin e organizuar, dokumenti konfidencial prej 24 faqesh nis si zakonisht me kriterin politik. “BE mbetet tërësisht e angazhuar ndaj integrimit të Shqipërisë në BE dhe do të vazhdojë të mbështesë dhe të ndihmojë vendin në këtë proces. Sidoqoftë, kujton se, është përgjegjësi e të gjithë udhëheqësve politik shqiptarë që të fokusohen në agjendën e BE-së dhe të punojnë në mënyrë konstruktive, duke dhënë rezultate konkrete të mëtejshme në reforma. BE nënvizon rëndësinë e integrimit europian si element kyç për konsensus kombëtar, i cili duhet të qëndrojë lart mbi agjendën politike”. Dokumenti konfidencial i BE-së kujton rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve të ODIHR,pas zgjedhjeve parlamentare të 2013-ës, për forcimin e pavarësisë së administratës zgjedhore të të gjitha niveleve si dhe bën thirrje për mosndërhyrje në punët e institucioneve, ku kërkohet profesionalizëm. Në këtë kuadër, një proces i besueshëm gjyqësor për zhvillimet e 21 Janarit merr rëndësi madhore për BE-në. “BE nënvizon rëndësinë e garantimit të profesionalizmit të institucioneve shtetërore, përfshirë gjyqësorin, autoritetet rregullatore dhe agjencitë e pavarura, dhe respektimin e mosndërhyrjes në punën e tyre si një element kyç për funksionimin e institucioneve demokratike të vendit.”. “BE vëren se prokuroria sfidoi para Gjykatës së Lartë dënimet e vendosura nga Gjykata e Apelit në Tiranë për dy të pandehurit mbi zhvillimet e 21 Janarit 2011 dhe thekson se plotësimi I masave për këtë rast, përmes një procesi të besueshëm gjyqësor në përputhje me praktikat më të mira, është I një rëndësie madhore për besueshmërinë e të gjitha institucioneve shtetërore dhe për rritjen e besimit publik në sistemin gjyqësor.”. “BE nënvizon se pavarësia, paanshmëria, transparenca, efiçensa dhe përgjegjshmëria e gjyqësorit janë elementë qendror në vlerësimin e kriterit politik për anëtarësimin në BE, dhe janë kyçe për të siguruar respektimin e sundimit të ligjit.”. Vendi inkurajohet të bëjë sa më shpejtë strategjinë e re për gjyqësorin 2014-2020 me përfshirjen e KLD-së, Gjykatës së Lartë e Kushtetuese, Prokurorisë e Avokatit të Popullit, duke marrë parasysh rekomandimet e Komisionit të Venecias. Në këtë kuadër, vlerësohet angazhimi I qeverisë me këtë organ të Këshillit të Europës për sistemin e drejtësisë, zbatimi I ligjit për gjykatën e Lartë dhe gjykatat administrative, ndryshimet ligjore në Kodin Penal dhe Ndihmën legale për kufizimin e imunitetit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, publikimi I listës së gjykatësve sipas rangut dhe vlerësimi I tyre për vitet 2005-2006, por kjo kërkohet dhe për vitet pasuese, sikundër zbatimi I masave disiplinore ndaj tyre. “BE nënvizon rëndësinë për forcimin e sistemit disiplinor për gjyqtarët e prokurorët dhe krijimin e një gjurme provash për dënimet në vijim të masave disiplinore”. “BE inkurajon Shqipërinë të miratojë ndryshimet përkatëse në kodin civil e penal për të vazhduar reformën e Gjykatës së Lartë dhe të përfundojë, duke e bërë efektiv, sistemin disiplinor kundër avokatëve për abuzim të procedurave. BE vëren se legjislacioni që rregullon nevojat e gjykatave administrative duhet miratuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ta quajtur antikushtetues ligjin e 2013 për administratën gjyqësore”. Vendi vlerësohet për përmbushjen e rekomandimeve të organeve të Këshillit të Europës mbi korrupsionin dhe pastrimin e parave si dhe për angazhimin e qeverisë në këtë drejtim, por kërkohen përpjekje për hetimet proaktive dhe korrupsionin në nivel të lartë. “BE mban shënim për tendencat pozitive sa i takon rritjes së dënimeve në gjykatat e rrethit dhe apelit dhe I bën thirrje autoriteteve shqiptare për të rritur efektshmërinë dhe efiçencën e hetimeve për korrupsion me qëllimin për të zhvilluar një gjurmë provash të besueshme për hetimin, ndjekjen dhe dënimin në të gjitha nivelet. BE thekson se përpjekje të veçanta nevojiten për rritjen e hetimeve proaktive, përfshirë hetimet financiare, hetimet e korrupsionit në nivel të lartë, të rasteve të konfliktit të interesit e deklaratave të pasurisë, si dhe në sistemin gjyqësor”. “Sa I përket korrupsionit në gjyqësor, BE thekson se rreziku i korrupsionit dhe ndikimi I paduhur për transferimet dhe promovimet e gjyqtarëve nuk janë trajtuar mjaftueshëm dhe korrupsioni në gjyqësor mbetet një problem veçanërisht serioz”. “ BE shënon se kultivimi dhe trafiku i kanabisit mbetet një shqetësim serioz dhe bën thirrje për më shumë përpjekje për arritjen e rezultateve të qëndrueshme në këtë fushë”. Zbatim i duhur kërkohet për ligjin mbi gjykatat administrative dhe për organizimin e funksionimin e administratës publike, ndërsa përsëritet nevoja për depolitizim dhe meritokraci në këtë shërbim. “BE nënvizon se reforma e administratës publike është prioritet kyç për Shqipërinë dhe bën thirrje për përpjekje të mëtejshme për forcimin e profesionalizmit, depolitizimit, meritokracisë, transparencës dhe luftës ndaj korrupsionit në administratën publike. Transparenca dhe konstruktiviteti i angazhimit ndërmjet qeverisë dhe opozitës në procesin e reformës është kyçe për ngritjen e një shërbimi civil të qëndrueshëm… BE thekson nevojën për respektim të plotë të legjislacionit të zbatueshëm, përfshirë për çështjet e shkarkimeve, uljes në detyrë dhe rekrutimeve, si dhe nënvizon se Departamenti i Administratës Publike duhet të ketë kapacitetin dhe mbështetjen politike për të përmbushur rolin koordinues dhe që të sigurojë efektshmërinë dhe respektimin e legjislacionit”. Ndërsa vërehet progres për antidiskriminimin, kërkohet forcim I përfshirjes së minoriteteve, sidomos për komunitetetRomedhe Egjiptiane, draftimi i një ligji me parashikime financiare për personat me aftësi të kufizuara, si dhe qartësimi I rrethanave fiskale për organizatat e shoqërisë civile.

Ndërkohë që vlerësimi për median dhe pronat mbeten pothuajse të pandryshuara. “BE do të vëren se pavarësia editoriale vijon të pengohet nga interesat e politikës dhe të biznesit. BE inkurajon Shqipërinë të sigurojë që rregullat mbi reklamat nga institucionet publike garantojnë transparencën e plotë dhe mosdiskriminimin për dhënien e fondeve. Për më shumë, BE inkurajon Shqipërinë të trajnojë gjyqtarët mbi ndryshimet në kodin civil dhe atë penal për shpifjen dhe për dënimet financiare , në përputhje me rastin e shqyrtuar nga Gjykata Europiane për të drejtat e njeriut”. Në përfundim të kriterit politik, qëndrimi i 28 vedneve anëtare të BE-së lavdëron rolin tradicionalisht konstruktiv të Shqipërisë në rajon.