Pëllumb Seferi: “Fëmijët dhe komoditeti i tyre në çerdhe, prioritet i Kryetarit të Bashkisë, Lulzim Basha”

900
Sigal

Intervistë/ Flet Pëllumb Seferi, drejtori i Qendrës së Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve, Bashkia Tiranë

Një dyndje të madhe ka pasur regjistrimi i fëmijëve në çerdhet shtetërore. Edhe pse regjistrimi ka përfunduar, ende prindërit shpresojnë se mos lirohet një vend në këto çerdhe, për të regjistruar femijët e tyre. Në një intervistë për “Telegraf” drejtori i Qendrës së Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve, z. Pëllumb Seferi, tregon se kërkesa është e madhe për shkak edhe të mbipopullimit të Tiranës, sidomos në zona të caktuara. Sipas tij, ky problem do reduktohet, me ndërtimin e 4 çerdheve të reja të parashikuara për vitin tjetër. Z. Seferi tregon për punën e madhe që është bërë nga Bashkia Tiranë që ambientet e çerdheve të jenë në standardet e duhura dhe sa më komodë për fëmijët tanë.

Mesa vura re, vazhdon regjistrimi i fëmijëve për të hyrë në çerdhet e kryeqytetit. Kur ka filluar regjistrimi dhe sa vazhdon ky proces?

Në fakt, afat të fillimit të regjistrimit ka, kurse afati i përfundimit është i kushtëzuar nga mbushja e kapaciteteve të çerdheve. Sepse regjistrimet në çdo çerdhe bëhen sipas kapaciteteve mbajtëse të tyre dhe nuk mund të vendosim fëmijë mbi kapacitetet e tyre. Ne si qendër, në fund të korrikut kemi nxjerrë një urdhër ku kemi njoftuar të gjithë të interesuarit që regjistrimi i fëmijëve fillon në 1 gusht. Normalisht që regjistrimi ka filluar që në 1 gusht dhe rreth datës 15 gusht kapacitetet e çerdheve janë realizuar. Tani vijohet në listimin e personave të interesuar në listën e pritjeve, sepse jo të gjithë fëmijët që regjistrohen, vijojnë në frekuentimin e tyre për arsye nga më të ndryshmet, nga mospërshtatja, për arsye që i dinë vetë prindërit, pra krijohen vakanca gjatë rrugës. Për këtë arsye bëhet dhe një listë pritje dhe me krijimin e vakancës ai që është më afër në listë ngjitet lart dhe futet në çerdhe. Prandaj nëse shikoni njerëz këtu, janë pikërisht këta që janë në listat e pritjeve. Thashë dhe një herë, që kapacitetet janë të llogaritura sipas njësive bashkiake. Kuptohet që ne kemi trashëguar një gjendje jo optimale, pra nuk themi që çerdhet e Tiranës i kanë plotësuar nevojat e qytetarëve, kjo për shkak të fluksit të madh të ardhjeve dhe të shtimit të popullsisë në Tiranë. Numri i çerdheve nuk ka ndryshuar. Vitin që vjen parashikohet që të ndërtohen 4 çerdhe të reja, që besoj do ndikojë në zbutjen e situatës, përndryshe në momentin që ndodhemi ka dhe një listë njerëzish në pritje që presin të regjistrojnë fëmijët e tyre.

A është një numër i konsiderueshëm ky?

Sigurisht që pjesa më e madhe është realizuar. Ka një 20 % të tyre që presin në radhë. Sigurisht që këtu bëhet fjalë vetëm për çerdhet në zonat e dendura. Më tepër janë çerdhet e njësive ku ka dhe një numër më të madh të popullatës. Çerdhet e Njësisë 7, 10, 9 të Njësisë 8, 3. Këto kanë kërkesë më të lartë, për shkak të përqendrimit të popullatës në këtë zonë.

Sa është tarifa që paguajnë prindërit për të çuar fëmijët e tyre në çerdhe?

Që një prind të realizojë regjistrimin dhe frekuentimin e çerdhes nga fëmija e tij, fillimisht duhet të paguajë një shumë parapagim që shërben dhe si garanci prej 5 mijë lekësh, e kthyeshme dhe më pas, për çdo ditë-ngrënieje një prind për fëmijën e tij paguan 130 lekë në ditë dhe maksimumi që duhet të paguajë një prind, nëse i shfrytëzon të gjitha ditët në muaj, është 2 600 lekë në muaj.

Po për sa i përket ambienteve, çfarë masash keni marrë ju si drejtori, që fëmijët të jenë sa më komodë në çerdhe? Më detajisht ku është vënë dorë në këto çerdhe?

Sigurisht që për këtë vit janë marrë të gjitha masat për ta pritur fëmijët sa më mirë, në mënyrën më optimale, në përputhje me të gjitha normat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe normativave që përcakton UNICEF-i. Duhet thënë, për hir të së vërtetës dhe ta them shumë sinqerisht këtë, që disa nga çerdhet i kemi gjetur në gjendje të mjerueshme. Me ardhjen në krye të Bashkisë së Tiranës, të z. Lulzim Basha i cili e ka pasur në fokus që ditën e parë, gjendja filloi të ndryshojë. Ne të gjithë këtu e njohim nga afër shqetësimin e Kryetarit që “me fëmijët nuk luhet në asnjë lloj aspekti: Qoftë në aspektin ushqimor që është shumë e rëndësishme, qoftë në higjienën në çerdhe, qoftë në ngrohje dhe në ambientet e akomodimit të tyre”. Personeli sigurisht ka një rol tepër të rëndësishëm, jemi kujdesur që rekrutimet që kemi bërë, t’i bëjmë në përputhje me kriteret arsimore dhe të formimit profesional. Janë bërë përpjekje dhe për trajnimin e punonjësve. Bëhet një punë shumë e mirë për rritjen e shkallës së disiplinës dhe korrektesës në punë, përkushtimit të tyre, gjë që nuk ka munguar si nga ana e stafit që kemi gjetur, si nga ana e të rinjve që kemi rekrutuar, domethënë të gjitha parametrat janë optimalë. Unë e them shpesh që nuk ka dallim në çerdhe, kjo është shumë e rëndësishme, s’ka çerdhe të mira, çerdhe të këqija. Kur bëhet një shërbim, bëhet në të gjitha njësoj. Në muajt e verës  ne i kemi mbyllur me faza të gjitha çerdhet, janë mbyllur nga një javë, është bërë dezinfektimi, lyerja, pastrimi, higjinezimi i të gjitha çerdheve. Përsa i përket ngrohjes të gjitha janë të garantuara.

Çfarë sistemi ngrohjesh ka nëpër çerdhe?

Sistemet e ngrohjes janë me kaldajë. Kemi 2 lloj kaldajash. Në çerdhet e reja që kanë dalë nga rikonstruksioni, të cilat janë përzgjedhur sipas gjendjes së tyre kemi bërë ndryshime dhe në sistemin e ngrohjes. Kështu pas rikonstruksionit të Çerdhes nr. 30 në Laprakë, nga ngrohje me dru zjarri është bërë me kaldajë me peleta, që është një investim fillestar kostoz, por më tutje kostoja e shfrytëzimit është më e lirë dhe është e garantuar për sa i përket mbrojtjes së mjedisit. Në të gjitha çerdhet e reja është praktikuar kjo lloj ngrohje. Pra në Çerdhen nr.30, por dhe në atë me nr.50, përballë Kryegjyshatës. Janë në rikonstruksion dhe dy çerdhe të tjera; 47 dhe 15, është vonuar përfundimi i punimeve për shkak se ka ndryshuar projekti me qëllim rritjen e kapacitetit mbajtës. Edhe te çerdhja nr.47 që është prapa Ekspozitës, por dhe te 15-ta që është përballë Xhamllëkut është bërë i njëti investim. Çerdhja nr.35 që është te Njësia 7 është rikonstruktuar dhe është ruajtur kaldaja e vjetër, pasi kishte një kaldajë në gjendje optimale dhe ngrohja bëhet si më parë. Kati i parë kishte shumë lagështirë dhe ishte merak për fëmijët të rrinin aty, është shembur suvaja, është shtruar me të gjitha shtresat e izolimit dhe tani është bërë një çerdhe që ke qejf të shkosh. Edhe kati i dytë i saj është rikonstruktuar totalisht. Të gjitha këto punime janë bërë nga Bashkia Tiranë në bashkëpunim me Drejtorinë nr. 3, pasi ne si qendër nuk disponojmë skuadër teknike.

Po përsa i përket ushqimit, si përzgjidhet si llogaritet dieta për fëmijët. Sa të kujdesshëm jeni ju për të përzgjedhur ushqimin e duhur, cilësinë e duhur?

Qendra Ekonomike për Zhvillimin dhe Edukimin e Fëmijëve i ka të gjitha kapacitetet për të realizuar furnizimin me ushqim sipas standardeve të OBSH-së, kjo është e garantuar. Ne këtu punojmë në bazë të akteve ligjore që sjell Ministria e Shëndetësisë sipas rekomandimeve të OBSH-së, ne vetëm zbatojmë rekomandimet me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe menyja vjen nga MSH, e cila përmban të gjitha vlerat ushqimore, kalorinë dhe gjithçka tjetër që i nevojiten fëmijëve për mirërritje. Sigurisht që gatimi bëhet i freskët, ushqimi është çdo ditë i freskët, çerdhet furnizohen çdo ditë. Kontratat janë konform ligjeve të shtetit shqiptar të furnizimit, gatuhet në çerdhe nga kuzhinierë dhe ndihmës-kuzhinierë. Kemi 2 merceologë që kontrollojnë ushqimin në hyrje dhe kontrolle ushtrohen edhe në zbatimin e menysë. Kuptohet që  jemi në monitorim nga të gjitha institucionet monitoruese të vendit, nga Instituti i Higjienës, nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, etj. Nuk mund të ketë më transparencë se kaq përsa i përket problemit të ushqimit.

Si vepruat ju për dietën e fëmijëve, kur qumështi kishte nivel të lartë të aflatoksinës?

Në rastin kur niveli i aflatoksinës në qumësht doli i lartë, Kryetari i Bashkisë, z.Lulzim Basha, më merrte çdo moment në telefon, dhe ndoqi hap pas hapi të gjitha masat që ne morëm për të parandaluar ndonjë problem të mundshëm shëndetësor te fëmijët.  Ne si qendër, në momentin që morëm sinjalin për aflatoksinën, gjëja e parë që bëmë ishte ndërprerja e furnizimit me qumësht. Ju do të thoni që i paskeni lënë fëmijët pa qumësht? Çfarë bëmë ne? Mblodhëm mjekët tanë dhe u kërkuam që të na rekomandonin ushqime të cilat ekuivalentojnë  vlerat e qumështit. Mjekët na rekomanduan lëng portokalli të shtrydhur dhe lëng karrote, sigurisht shtuam dhe sasinë e frutave dhe sipas llogarive që mjekët kishin bërë, të gjitha këto ekuivalentonin vlerat e qumështit.

Kequshqyerja e fëmijëve, problem që gjen zgjidhje në çerdhet tona

Gjëja e parë që bëjmë ne tani në çerdhet tona është përshtatja e fëmijës me kopshtin, pastaj bëhet testi i distrofisë, shikohen fëmijët distrofikë (kequshqyer). Këta evidentohen nga mjekët dhe për ta caktohet meny e veçantë ushqimore. Ne kemi arritur ta shkurtojmë kohën e daljes nga distrofia, nga 6 muaj që ishte më parë, ne e kemi reduktuar në dy muaj. Fëmijët distrofikë nuk i zë Janari dhe ata kalojnë nga gjendja e distrofisë për shkak të menysë së veçantë që ne e zbatojmë me rigorozitet.

A ka numër të madh të fëmijëve distrofikë në çerdhet tona?

Vitin që shkoi u evidentuan rreth 40 fëmijë. Më shumë i përkasin zonave rurale: Bregu i Lumit, Kamëz, Shkozë dhe Kombinat.

Pedagogë e studentë të Ekonomikut në protestë për godinën pranë fakultetit

Studentë dhe pedagogë të Fakultetit të Ekonomisë në Tiranë kanë protestuar kundër një objekti i cili është ndërtuar fare pranë godinës ekzistuese ku studentët prej vitesh studiojnë. Ata kanë bojkotuar vetëm për ditën e sotme dhënien e provimeve por edhe mbrojtjet e diplomave.Pankarta të varura në pjesën e përparme të fakultetit i bëjnë thirrje qeverisë, bashkisë por edhe Inspektoratit Ndërtimor të ndërhyje për të mbrojtur studentët e këtij fakulteti si dhe të zhbëjë këtë padrejtësi. Ata deklarojnë se ky objekt ka cënuar hapësirat publike por edhe ndërtuar edhe pa një leje përkatëse. Por pas protestës i menjëhershëm ka qenë reagimi i administratorit të objektit që është ngritur fare pranë godinës së fakultetit të ekonomisë. Ai deklaron se ka marrë leje për zhvillimin e pronës së tij dhe me vendimin e ndërmjetëm që gjykatat ka dhënë ai e ka ndërtuar pronën. Por sërish gjyqi vijon me Rektoratin e Tiranës për lejen e ndërtimit që ky objekt ka marrë dhe që mban vitin 2004. Pavarësisht fakteve drejtues të Fakultetit të Ekonomisë deklaruan se nëse nuk ka një zgjidhje për këtë situatë do të bojkotojnë mësimin në muajin tetor.

Maliqari: Sot, me seancën e vizatimit në natyrë, mbyllet konkursi në Arkitekturë

Vijojnë konkurset për të gjithë kandidatët që dëshirojnë të ndjekin studimet në Universitetin e Arteve, Universitetin e Sporteve, Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin Politeknik, si dhe programet e studimit FASTIP në Universitetin e Durrësit. Konkurset e pranimit, për të gjitha këto universitete, kanë filluar në datën 2 shtator  dhe sot është dita e tretë e tyre. Universiteti Politeknik i Tiranës i mbyll sot konkurset, ndërsa për universitetet e tjera konkursi mbyllet në 6 shtator.  Në një prononcim për gazetën “Telegraf”, prof. Anrdea Maliqari, dekan i fakultetit të Inxhinjerisë së Ndërtimit në Universitetin Politeknik të TIranës, shprehet se “kanë marrë pjesë në konkurs 314 të regjistruar, ku 294 i takon shkollave brenda kufirit të Shqipërisë, 16 kandidatë trojesh, 2 kandidatë për degë të dytë si dhe 2 të tjerë për transferim studimesh”. Prof.Maliqari tregon më tej se dje janë zhvilluar  2 seancat e para që i takojnë, vizatimit teknik dhe kompozimit arkitektonik, nga 2 orë të dyja. “Konkurrimi filloi në orën 10.00 dhe mbaroi në orën 14.00, ndërkohë që sot është parashikuar seanca e tretë që i takon vizatimit në natyrë”. Sipas Maliqarit, sot në mëngjes përzgjidhet teza nga komisioni qendror dhe pas përzgjedhjes do të shkohet te objekti që do të vizatohet, “sigurisht që është një objekt i pavizatuar më parë në konkurset e zhvilluara” shpjegon Maliqari. Këtu përmbyllet konkursi, ndërsa nesër fillon procedura e vlerësimit dhe deri në datën 6 shtator duhet të jepen rezultatet e konkursit. “Ndërkohë që dihet që konkursi ka 2 komponentë, komponenti që vlerësohet  nga ne, që ka 60% të pikëve dhe tjetri është Matura Shtetërore që ka 40 % të pikëve. Pra, këto pikë që dalin nga konkursi, i bashkëngjiten pikëve të Maturaës dhe pastaj MASH bën zyrtare emrat e fituesve në të gjithë universitetet e Shqipërisë”, përfundon dekani i Inxhinjerisë së Ndërtimit, Prof. Maliqari.