Aplikimi për kandidatët mësues, deri në 27 nëntor. Ja udhëzimi për regjistrimin
Që prej ditës së djeshme dhe deri në 27 nëntor, të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të punësohen si mësues në sistemin parauniversitar mund të aplikojnë duke u regjistruar në portalin mësues.arsimi.gov.al. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ka prezantuar dje, në Shkollën e Kuqe portalin “Mësues për Shqipërinë”, nismën e re të MAS me qëllim menaxhimin e burimeve njerëzore në arsimin parauniversitar.
“Kjo nismë krijon një situatë të re që lidhet me cilësinë e burimeve njerëzore, duke mundësuar një skuadër mësuesish të dedikuar, që realisht do përcjellin cilësi. Përtej të qenit një proces transparent, është një proces që na largon nga keqmenaxhimi i burimeve njerëzore, duke mundësuar për çdo mësues, që jo vetëm të ketë mundësinë të aplikojë për punësim, por përmes testimeve në çdo qark, realizojmë procesin e rankimit të gjithë aplikantëve, duke bërë transparente cilësinë e tyre”, tha Lindita Nikolla. Ministrja inkurajoi të gjithë ata mësues, të cilët do shprehin dëshirën për të punuar në zona të largëta nga vendbanimi i tyre, ku janë identifikuar mungesa dhe tha se kjo kategori mësuesish do të mbështet nga qeveria shqiptare me një projekt të veçantë ndihme.
Kanë të drejtë të aplikojnë:
– Të gjithë ata që kanë përfunduar studimet e larta në profilet e mësuesisë në institucionet e arsimit të lartë brenda vendit ose jashtë. Për individët që kanë përfunduar studimet e tyre jashtë kërkohet ekuivalentimi i diplomës në përputhje me dispozitat ligjore.
– Të gjithë ata punëkërkues si mësues që shprehin interesin në zonën, ku banojnë ose për të kontribuar si vullnetar në zona të tjera të vendit.
– Mësuesit që aktualisht janë në marrëdhënie pune provizore si mësues me kontratë.
Datat e provimeve do të publikohen në portalin mësues.arsimi.gov.al në periudhën 27 nëntor- 1 dhjetor. Procesi i testimit të aplikantëve në sistemin arsimor parauniversitar do të drejtohet nga MAS dhe do të organizohet e administrohet nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit (IZHA) dhe DAR/ZA-të, si dhe do të monitorohet nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit. Për të gjithë kandidatët që duan të aplikojnë MAS ka zbardhur udhëzimin për procedurën e regjistrimit.
Udhëzimi për regjistrimin on-line
Portali “Mësues për Shqipërinë” do të jetë i linkuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit si dhe në faqet zyrtare të çdo DAR/ZA dhe në linkun përkatës mesues.arsimi.gov.al për të vijuar më tej me informimin dhe regjistrimin tuaj.



















