Në 1360 shkolla vijon mësimi nëpër klasa / Vetëm 400 shkolla me mësim të kombinuar

268
Sigal

Mësimi në 1760 institucionet arsimore në të gjithë Shqipërinë nuk është zhvilluar në mënyrë të njëtrajtshme.

Pas propozimit të komitetit teknik, më 1 dhjetor 400 shkolla po zhvillojnë mësimin e kombinuar, edhe në shtëpi edhe në klasë brenda një jave.

Çdo të premte Ministria e arsimit miraton formën e mësimdhënies  në varësi të numrit të nxënësve dhe situatës pandemike në shkolla dhe vendimi i përcillet drejtorive e më pas njoftohen prindërit. Deri më tani 1360 institucione arsimore vijojnë mësimin sipas skenarit të parë në mjediset fizike të shkollës duke respektuar masat anticovid, së bashku me nxënësit e arsimit fillor dhe maturantët të cilët përjashtohen nga skenari i dytë i mësimit të kombinuar.

Për shkak të tërmetit ku u dëmtuan 155 shkolla, sipas Ministrisë së arsimit 60 mijë nxënës zhvillojnë mësim me 4 turne deri në orët e vona 19:45 edhe në shkollë edhe online, por ky numër do të ulet pasi 28 shkolla pritet të përfundojnë deri në fund të dhjetorit.

Më tej ministria e arsimit pohon se 10 mijë nxënës nuk kanë qasje në mësimin online, por thekson se shumica e tyre po e zhvillojnë mësimin fizikisht në ambjentet e klasës. Nga ana tjetër Ministria deklaroi se janë shpërndarë 16 mijë tableta dhe smartphone me internet falas për një vit për fëmijët, duke kundërshtuar në këtë mënyrë shifrën e dhënë më parë kur nevoja ishte vetëm për 10 mijë nxënës.