Mësuesit e Shkollës së Bashkuar Ksamil: A do të zgjidhet Resmi Saliu, drejtor i shkollës sonë?

452
Sigal

Konkurset fiktive të MAS

 Konkurset fiktive për mësues, apo drejtues të shkollave, tashmë janë kryefjala e ditës në sistemin tonë arsimor. Kështu, të gjithë mësuesit e Shkollës së Bashkuar Ksamil denoncojnë për “Telegraf” një konkurs fiktiv, në kundërshtim me udhëzimin e MAS, që pritet të bëhet këto dy ditë, për emërimin e drejtorit në shkollën e tyre. Ata, me denoncimin e tyre duan t’i paraprijnë falsitetit dhe paligjshmërisë së këtij akti, duke sjellë paraprakisht edhe fakte të pamohueshme në lidhje me fiktivitetin e këtij procesi. Njëri prej mësuesve, i cili foli në emër të kolegëve të vet, njoftoi se konkursi për drejtor në Shkollën e Bashkuar Ksamil do të bëhet për 2-3 ditë, gjë të cilën ua bënë të ditur vetëm dje. Por, ajo çka i revoltoi mësuesit e kësaj shkolle, është fakti se 2 mësuesit që do të jenë pjesë e komisionit të vlerësimit janë zgjedhur tashmë në kundërshtim me udhëzimin e MAS, i cili thotë se “Këshilli i mësuesve të institucionit arsimor zgjedh si anëtarë të këtij komisioni dy mësues me shumicë të thjeshtë votash të fshehta.

Njëri prej dy mësuesve, me përvojën më të gjatë në atë institucion arsimor,

drejton komisionin e vlerësimit”. Mësuesit e kësaj shkolle pohojnë se nuk janë mbledhur dhe as nuk kanë votuar ndonjëherë për të zgjedhur 2 mësuesit që do të jenë pjesë e komisionit. Gjithashtu, sipas udhëzimit, “anëtarët e komisionit nuk duhet të jenë në konflikt interesi me aplikantin, në kuptim të legjislacionit në fuqi për parandalimin e konfliktit te interesit”. Porse, sipas mësuesve të shkollës, me njërën prej 2 mësuesve drejtori aktual i komanduar z. Resmi Saliu ka lidhje farefisnore, kurse tjetri është z. Pëllumb Dyrmishi, i cili është dhe personi që ka dhënë rekomandimin për z. Saliu, për aplikimin e tij si drejtor, njëkohësisht dhe kryetari i komisionit të vlerësimit. Ndërsa “kundërshtari”, apo kandidati tjetër për drejtor shkolle, i z. Saliu, drejtor i komanduar, është znj. Ilda Mitro, nëndrejtorja e Shkollës së Bashkuar Ksamil.

Pra, drejtori i komanduar do të sfidohet prej nëndrejtores së komanduar prej tij!?

Porse nuk mbaron këtu, pasi në kriteret e aplikimit për drejtor, sipas udhëzimit të MAS, “Kandidati për drejtor i institucionit publik të arsimit parauniversitar duhet:

a) të ketë fituar diplomë të ciklit të dytë në fushën e edukimit ose diplomë të njëvlershme me të, sipas përcaktimeve të ligjit nr. 9741, datë 21. 5. 2007 “Për

arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; b) të ketë të paktën kategorinë “Mësues i kualifikuar”; c) të mos ketë masa disiplinore në fuqi ndaj tij”. sipas mësuesve të shkollës z. Resmi Saliu (pa paragjykuar për aftësinë e tij) nuk plotëson kriteret e udhëzimit të MAS, pasi në edukimin e tij, ka vetëm diplomën Bachelor të Institutit të Gjirokastrës.

Duke i shtuar të gjitha këtyre shkeljeve, edhe faktin se z. Saliu ka lidhje shoqërore me përgjegjësin e Zyrës Arsimore (fëmijët e tyre janë miq të ngushtë), sipas mësuesve të shkollës, fituesi është i paracaktuar dhe gjithë ky proces nuk është gjë tjetër veçse një shou në sy të popullit. “Edhe pse detyra jonë qytetare është të denoncojmë këtë absurditet (me kosto të madhe në gjithë sistemin arsimor), sërish ne do të jemi të detyruar të pranojmë rezultatin, sido të jetë ai, sepse fëmijët tanë duan ta kenë tryezën plot. Gjithsesi, do të dëgjohemi…”, përfundon rrëfimin e tij mësuesi i Shkollës së Bashkuar Ksamil.

Ledjana Saliu