Maturantët ngelës në Matematikë, Prof. Malaj: Puna e mësuesit është shëmbëlltyrë e nxënësit

690
Sigal

Sistemi arsimor parauniveristar nuk do të jetë ai 6 + 3+3, siç e parashikonte ligji i ri i arsimit parauniversitar, i cili hyn në fuqi në shtator, por do të ndiqet modeli i Kosovës dhe ai i disa vendeve europiane 5+4+3
Provimet e Maturës Shtetërore do të shërbejnë vetëm si provim dalës, që pajis nxënësit me diplomë të përfundimit të shkollës së mesme. Dhe duke respektuar autonominë e universiteteve, do të jenë vetë maturantët që do t’i drejtohen fakulteteve ku duan të ndjekin studimet. .
Do të ketë vlerësime kombëtare periodike për klasat 5 dhe 11, në disa lëndë. Rezultatet e provimeve do të përdoren për të ndërmarrë ndryshimet e nevojshme në kurrikul, në efektivitetin e mësuesve, në drejtimin e shkollës dhe për të krahasuar nxënësit dhe shkollat.
Do të krijohet Urdhri i Mësuesit. Në këtë Urdhër të regjistrohen të gjithë personat që kanë titullin “Mësues”. Vetëm mësuesit e regjistruar në këtë Urdhër të kenë të drejtë të aplikojnë për tituj të karrierës dhe për role profesionale.
E drejta për të ushtruar detyrën e drejtuesit të shkollës të sigurohet përmes një licence të njohur nga MAS-i, e vlefshme për një periudhë të caktuar kohore. Licenca të fitohet pas vlerësimit të paketës profesionale të aspiruesit për drejtues dhe të marrjes së provimit përfundimtar.
Pas vitit 2018, të gjithë punonjësit arsimorë nën moshën 55 vjet të kenë përfunduar arsimin e lartë dhe të kenë marrë licencën për ushtrimin e profesionit. Punonjësit arsimorë mbi këtë moshë, të kenë dëshmuar përmes provimit përkatës, zotërimin e kompetencave profesionale të kërkuara.

Flet prof. Petrit Malaj, Rektori i Universitetit të Arteve për provimet e maturës dhe cilësinë e mësuesve, konkurset, reforma e arsimit të lartë dhe sugjerimet e UART, si dhe provimi i gjuhës së huaj te privati

Cilësia e dobët e mësuesve, mësues të rastësishëm që nuk kanë mbaruar fakultetin për lëndën që japin, mund të jenë arsyet e rezultateve të dobëta në provimet e Maturës. Kështu e mendon Prof. Petrit Malaj, Rektori i Universitetit të Arteve, i cili jep dhe sugjerimet për të kaluar këtë krizë të arsimit parauniversitar, në një intervistë për gazetën “Telegraf”. “Çdo mësues jep Provimin e Shtetit për të ushtruar këtë profesion, ndaj mendoj se kriteret dhe tezat e këtij provimi duhet të rishikohen, po në dobi të rritjes së performancës së atij që do të paraqitet në këto provime”, sugjeron prof. Malaj. Rektori i Arteve pohon se pas plotësimit të formularit A2 nga maturantët, Ministria e Arsimit do të caktojë dhe datat e konkurseve, ndërsa rezulton të jetë çdo gjë gati nga ana e Universitetit për zhvillimin e konkurseve. Reforma në arsimin e lartë dhe sugjerimet e Universitetit të Arteve, hyrja e konkursit në programin Master si dhe njohja e provimit të gjuhës së huaj, vetëm kur jepet në institucione private dhe jo në fakultetin e Gjuhëve të Huaja, janë problematikat e parashtruara në intervistën me prof. Malaj.

Provimet e maturës kanë mbaruar dhe rezultatet lenë shumë për të dëshiruar, sidomos në provimin e Matematikës, ku 25% e maturantëve rezultuan ngelës. Ndoshta nuk është lënda që është kriter për të ardhur në universitetin tuaj, por gjithsesi është shqetësuese, sepse ka të bëjë me formimin e një nxënësi që vjen në universitet. Ju si e gjykoni dhe ku i shihni problematikat që nxënësit tanë, arrijnë në këtë nivel?
Unë mendoj se arsimi përbëhet prej disa hallkave dhe në zinxhirin e vet ka dhe arsimin parauniversitar shumë të rëndësishëm. Unë e pashë me shqetësim, qoftë me shqetësimin e një drejtuesi të universiteti, por edhe me shqetësim qytetar atë se çka ndodhi me provimin e Matematikës, ku 25 % e studentëve kanë marrë notë negative. Në fakt, është shqetësuese… Dhe është shqetësuese për një pjesë të maturantëve që do të vinin të konkurronin këtu tek ne, pasi mendoj që fare mirë një pjesë e tyre mund të ishte tek ky numër. Por, nga ana tjetër, do të shtoja me vetëdije të plotë që më vjen mirë që shikoj që Ministria e Arsimit po bën atë që duhet bërë; po e bën arsimin parauniversitar, po bën dhe arsimin universitar. Ne kemi pasur kontrolle të ndryshme nga MAS, pikërisht në zbatim të ligjshmërisë dhe në mënyrën si funksionon gjithçka nga pikëpamja ligjore dhe e administrimit akademik në institucion dhe në këtë sens do t’i shikoja dhe provimet e Maturës Shtetërore. Unë do të thoja që do na duhet të bëjmë shumë, qoftë si familjarë, qoftë si qytetarë, qoftë dhe si profesionistë, në rastin konkret, të fushës sonë. Nuk kam një të dhënë konkrete sesi kanë dalë në këto provime nxënësit e Liceut, pasi me ta jemi të lidhur pazgjidhshmërisht dhe kontingjentet kryesore ne na vijnë pikërisht nga Shkolla e Mesme Artistike e Tiranës, por edhe ato të rretheve. Në pikëpamjen time, shqetësimi im i përhershëm dhe që i është paraqitur edhe kolegëve të mi, në fakt, është që ne duhet të bëjmë shumë në përmirësimin e kurrikulave dhe cilësisë së mësimdhënies në arsimin e mesëm, flas në pikëpamjen artistike më shumë, se jemi të lidhur direkt me ta. Mendoj se reforma, apo përmirësimi i kurrikulave, apo gjithçka që ka të bëjë me edukimin cilësor të nxënësve të shkollës së mesme artistike, ndikon natyrshëm te prurja që vjen në Universitetin e Arteve dhe në cilësinë e pranimeve të studentëve, këtu në universitet.
Në fakt është dhe një bumerang që bie mbi universitetet tona, sepse këta nxënës/maturantë kanë mësues që dalin nga universitete tona, që do të thotë a ka ndonjë lidhje niveli i mësuesve me rezultatet e nxënësve?
Mendoj, se një moment shumë i rëndësishëm që MAS e ka dhe duhet ta ketë fort në konsideratë është trajnimi i mësuesve. Apo për të shkuar më tej, a është çdo mësues në gjimnaz në rrugën tij, në linjën e tij, a jep mësim për atë diplomë që është diplomuar, a është në cilësinë e duhur brenda parametrave të kërkuar? Nga ana tjetër, çdo mësues jep provimin e shtetit për të ushtruar këtë profesion, ndaj mendoj se kriteret dhe tezat e këtij provimi duhet të rishikohen, po në dobi të rritjes së performancës së atij që do të paraqitet në këto provime. Kjo që më thoni ju, në fakt, është e vërtetë, sepse ka të bëjë direkt me paraqitjen e nxënësve. Ne si shkollë të paktën, e kemi në princip këtë gjë. Mund t’ju jap rastin konkret: Ne jemi në fazën e provimeve dhe nuk jep provim vetëm studenti këtu, por jep provim dhe pedagogu. Kështu është parë historikisht në Universitetin e Arteve. Gjatë sezonit të provimeve, studenti ka 6-7 ditë kohë për çdo provim dhe gjatë këtyre ditëve studenti nuk punon i vetëm, pra në atelie, në skenë, në studio apo në klasë, ai punon me pedagogun nga mëngjesi në darkë. Pedagogu është përgjegjës për paraqitjen e tij. Nuk ka sesi ta kuptojmë ndryshe, sepse në rast se studenti do paraqitet dobët, pa diskutim që puna e pedagogut, në rastin konkret, është shëmbëlltyrë e kësaj paraqitje. Pa dyshim që pedagogu nuk ndihet mirë. Pra, nuk është si në një shkollë tjetër, ku studenti ka vajtur, ka marrë leksione dhe shkon një ditë para një komisioni anëtarësh, shkruan 5 gjëra, dorëzon atë letër dhe ikën. Këtu tek ne ai ballafaqohet me një krijimtari të caktuar, ballafaqohet me një performancë të caktuar, me një punim skenik, interpretim të një vegle muzikore, apo me një tablo tek Piktura. Madje, unë mund të them me plot gojën që në Departamentet e Universitetit të Arteve analizohet puna e pedagogëve që bëhet për çdo semestër. Jo më vonë se para dy ditësh, unë i kam dërguar dekanëve të fakulteteve dhe shefave të departamenteve një shkresë, ku u kërkoj performancën e çdo pedagogu të ftuar (të jashtëm). Kjo nuk do të thotë që ne nuk marrim performancën për pedagogët e brendshëm. Pedagogët e brendshëm e kanë detyrim, edhe më tepër, se bëhet karakteristikë për gjithsecilin që futet në dosjen e tij çdo vit. Ndërsa përsa i takon pedagogut të jashtëm ne na intereson shumë kjo, se në rast se departamenti, fakulteti ka një shprehje jo të mirë profesionale për atë që ka qenë pedagog i ftuar gjatë një viti akademik këtu, normalisht, ai nuk mund të jetë pjesë e stafit pedagogjik në universitetin tonë.
Të kthehemi të konkurset. Ju keni nxjerrë rregulloret për konkurset përkatëse që do të zhvillohen në Universitetin e Arteve…
Ne i kemi marrë masat tona, ne i kemi përcaktuar kriteret, rregulloret, i kemi dërguar në ministri, i kemi shfaqur dhe në vveb-in tonë dhe mendoj se tashmë ne kemi plotësuar ato elementë të domosdoshëm për përgatitjen e konkursit. Tashmë ngelet që Ministria e Arsimit, shumë shpejt, pas plotësimit të formularëve A2 nga nxënësit e sistemit parauniversitar, të përcaktojë edhe datat e konkursit. Në praktikën tonë datat e konkursit kanë qenë nga fillimi i shtatorit dhe më pas bëhej organizimi i gjithçkaje tjetër nga Ministria e Arsimit për sistemin universitar në Shqipëri për studentët, pra për pranimet e reja. Di të them që nga informacionet verbale që unë kam nga stafi, nga fakultetet, paraqesin interes nxënës nga licetë apo shkolla të ndryshme, i cili mendoj se do të shpërfaqet shumë mirë në konkurs.
Ka ndonjë ndryshim në konkurset e këtij viti?
Ndryshimet nuk janë thelbësore, kanë të bëjnë kryesisht me elementë teknikë. Te Fakulteti i Muzikës mund të kemi nja dy gjëra, por në tërësinë e vet ndryshimet në kritere janë të pakta, krahasuar me vitet e kaluara.

Kalojmë pak te reforma e arsimit të lartë. Në këtë draft, me gjithë kundërshtimet që ka pasur, duket se universiteti juaj ishte paksa më i favorizuar, apo ju kanë parë më ndryshe se të tjerët. Por, a ka ndonjë gjë, që ju do të donit të ishte bërë ndryshe në këtë draft?
Më vjen mirë të them që është hera e parë që në një draft propozim për reformën në arsimin e lartë, Universiteti i Arteve është parë brenda specifikës së tij. Pra, është hera e parë që në një kapitull të veçantë ne gjendemi përballë një fakti dhe është e zeza mbi të bardhë që Universiteti i arteve do të trajtohet ndryshe nga universitetet e tjera, përsa i përket mënyrës së administrimit të procesit akademik. Për gjithçka tjetër që ka të bëjë me momentin e organizimit, me procesin administrativ apo zgjedhor, apo nga pikëpamja e organizimit, ne do të jemi njësoj me universitetet e tjera. Por, më vjen mirë dhe dua ta shpreh këtë, që është parë me vëmendje, me dëshirë dhe me argumente përkatës, janë vendosur disa pika, ku na veçojnë përsa i takon organizimit të procesit mësimor dhe krijues dhe kjo duket pikërisht në autonominë që i lihet universitetit për të vendosur për mënyrën se si do të funmksionojnë planet mësimore, programet mësimore dhe gjithçka tjetër që do të vendoset në departamente dhe fakultetet tona. Apo duke shkuar dhe më tej, për të vazhduar brenda logjikës së përhershme që konkursi do të jetë në themel të pranimit të studentëve, nota mesatare nuk do të jetë kushti themelor që një student të hyjë në Universitetin e Arteve. Apo duke përcaktuar dhe disa norma sesi shteti duhet të jetë një përkrahës i Universitetit të Arteve. Dhe kjo për disa arsye; për numrin e pakët të studentëve, për atë se çfarë paraqet në vetvete Universiteti i Arteve në një vend si Shqipëria, sepse është një shkollë, pothuaj, unike përsa i takon formimit artistik në Shqipëri. Pra, janë disa argumente që e shohin ndryshe. Duke pasur një numër shumë të vogël studentësh, nuk mund të shkohet vetëm me mendimin që ne duhet të risim tarifat e studimit, edhe pse në fakt është propozuar që tarifat e studimit të rriten. Por tek ne, për shembull, ka një pikë të veçantë, ku drafti sugjeron që studenti të paguajë një tarifë që është normale për shoqërinë shqiptare dhe gjithë pjesën tjetër ta mbulojë shteti (sepse tarifa e studimit tek ne, po ta bësh me koston reale që ka këtu studenti në Universitetin e Arteve, është një kosto shumë e lartë). Nuk e di, duhet të presim edhe draftin e dytë që parashikohet të dalë kato ditë. Për draftin e parë, u konsultuam shumë hollësisht në Departamente, në Këshilla Fakultetesh, në Senatin e Universitetit dhe shkuan me propozime dhe sugjerime konkrete pranë Komisionit të Arsimit të Lartë. Të shikojmë draftin e dytë, për të parë më pas sesi ka proceduar gjithçka në lidhje me ato të veçanta që ka Universiteti i Arteve.
Ku ngulmuat ju, cilat ishin sugjerimet tuaja?
Janë të ndryshme, sugjerimet janë të karakterit të organizativ të procesit akademik. Ne kemi sugjeruar që MAS të sigurojë mbulim të plotë financiar për paga, sigurime, shpenzime operative si dhe të subvencionojë tarifat për shtresat në nevojë. Kjo për kushtet e një numri të vogël studentësh dhe kosto shumëfish më të lartë për student se universitetet e tjera. Gjithashtu ne kërkojmë që të mos kemi një reduktim të normës vjetore të stafit akademik, duke nënvizuar këtu dhe orët individuale të pedagogëve, pasi kjo do të çonte në shtimin e menjëhershëm të numrit të stafit akademik të ftuar. Ky shtim do të rriste në shumëfish buxhetin e pagesave për këtë personel dhe Universiteti ynë nuk do ta përballonte dot, duke ditur që kjo pagesë vjen nga të ardhurat e UART. Një ngërç për Universitetin e Arteve, që shpresoj të rishihet është kapitulli 7 pika 7.6.4. ku shkruhet “Pedagogët, që japin leksione në çdo cikël duhet të kenë të paktën një diplomë të ciklit pasardhës”. Për Universitetin e Arteve duhet të ketë një ndarje nga IAL-ët e tjera, pasi disa programe studimi është e pamundur të mbulohen me staf akademik të një diplome më të lartë se cikli pasardhës. Gjithashtu ne mendojmë që Universiteti i Arteve, për specifikën që ka duhet të ketë të drejtën të ofrojë si pedagogë personalitete të shquar të fushave të artit dhe duhet të jetë Senati i Universitetit, struktura që duhet të miratojë këto personalitete të shquara deri në përcaktimin e pagesës për ta. Është konstatuar, gjithashtu, gjatë punës sonë, një deficit kohor në shtrirjen e programeve për studentët e ciklit të parë dhe kjo formë studimi në një profesion të specializuar siç është fusha e artit nuk u jep mundësinë e integrimit në tregun e punës atyre studentëve që nuk mund të vazhdojnë më pas ciklin e dytë të studimeve Master. Pra, ne kemi disa programe studimi që do të kërkonin të jenë në shtrirjen kohore 4 +1 apo 4 + 2. Do të jepet mundësia e ligjore për përcaktimin shtrirjes së kohëzgjatjes së cikleve të studimit? Po, nëse do të kalonim në një shtrirje tjetër kohore, a do mbështetet financiarisht ky vit i katërt që shtohet në Bachelor?

Gjuha e huaj të mbrohet në Fakultetin e Gjuhëve të Huaj
Një problematikë tjetër që po diskutohet nëpër qarqet arsimore. Provimi i gjuhës së huaj nuk ka më vlerë po të jepet në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, të njihet vetëm nëse e jep provimin në institucione private. A ju duket normale, sepse edhe vetë studentët e gjuhëve të huaja duhet ta japin këtë provim, pikërisht, në këto institucione?
Unë mendoj, se ne nuk duhet kurrsesi ta nënvleftësojmë një institucion publik. Unë mendoj, se Fakulteti i Gjuhëve të Huaja ka një traditë shumë të mirë dhe ka një mundësi për ta bërë realisht këtë gjë. Dhe fare mirë Fakulteti i Gjuhëve të Huaja mund ta marrë këtë licencë dhe këto provime mund të bëhen atje. Ka ndodhur që në universitete shkojnë të gjithë këto institucione, që janë të licencuara dhe mundësojnë provimin e gjuhëve të huaja për studentët Master, dhe kërkojnë që të bëjnë një kontratë, që studentët të shkojnë atje. Personalisht, nuk e kam pranuar këtë logjikë dhe nuk kam si ta pranoj, se do të thoshte që unë të bëja një akt antiligjor, se në rastin konkret ka dhe përfitime ekonomike dhe financiare. Studenti aty duhet të paguajë një tarifë dhe unë s’mund ta çoj me detyrim që të paguajë një tarifë atje, ku mendoj unë. Jo, studenti do të shkojë ta mbrojë atje ku dëshiron ai. Por, nuk ka asnjë arsye, nëse flasim dhe për një vetëmenaxhim sa më të mirë të institucioneve publike, se pse jo shumë studentë të institucioneve publike ta mbrojnë gjuhën e huaj në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, dhe pse jo, ato të ardhura t’i marrë ky fakultet. Në fund të fundit, kemi të bëjmë me një institucion publik. Po flasim për disa nisma konkrete, disa elementë që ta fuqizojmë universitetin publik dhe pse jo mos ta ndihmojmë edhe me këtë gjë.
Pra jeni kundër kësaj politike të deritanishme?
Unë jam i mendimit që Fakulteti i Gjuhëve të Huaja i plotëson më së miri të gjitha kriteret profesionale që studentët të mbrojnë gjuhën e huaj atje, gjithmonë brenda klauzolave ligjore që janë, ku fakulteti duhet të marrë një licencë, por kjo nuk besoj se përbën problem për fakultetin.

Konkurs për të hyrë në Master
Po, mund t’ju them që në programin e studimit të ciklit e dytë, pra për Master, në të gjithë programet e studimit në Universitetin e Arteve do të ketë konkurs të mirëfilltë. Edhe vjet ka pasur konkurs, por ka qenë vetëm në një fazë, me paraqitjen e dosjes, ku kandidati argumentonte, paraqiste të gjithë materialet e kërkuara dhe më pas gjykohej nga një komision i përcaktuar nga fakultetet. Problemi është ndryshe sivjet. Kemi vënë re që vitin e kaluar ka pasur disa studentë/ kandidatë që erdhën nga universitete të tjera apo nga fakultet të tjera, qoftë publike apo private, qoftë nga jashtë vendit. Duhet thënë që na kanë ardhur nga një fakultet privat studentë, të cilët kishin mesatare shumë të lartë dhe si rezultat i kësaj, ishin ata që fituan të drejtën për të hyrë në Master, se kuptohet që mesatarja është një kriter bazë. Kështu na ngelën disa studentë të universitetit tonë pa hyrë në Master, të cilët, absolutisht, me bindjen e profesionistëve të fakultetit, plotësonin kushtin nga pikëpamja praktike, pra, për instrumentin, shumë herë më mirë sesa personi që vinte nga një shkollë tjerë dhe që kishte mesataren më të lartë. Të ndodhur përpara një fakti të tillë, propozimet nga fakultetet kanë qenë që edhe në programet e studimit në ciklin e dytë, në Master, të ketë paraqitje direkte me një punë praktike të studentit, ku kandidati do t’i bjerë instrumentit vetë, apo diçka tjetër brenda një programi që ka përcaktuar departamenti përkatës, apo dhe studentët te Piktura dhe te Artet Skenike do të kenë të njëjtën paraqitje. Pra, do të performojnë, do të ketë paraqitje direkte të kandidatit, nuk do të konkurrohet vetëm me dosje. Kjo mund të ndodhë në universitetet e tjera, por ne vendosëm që në Universitin e Arteve të jetë kështu.