Anastas GURMA*: Përse Lukova nuk duhet t’i bashkohet Himarës

616
Sigal

Në vëmendje të Komisionit parlamentar për Reformën Territoriale Administrative

Vendosa t’i shkruaj këto mendime në gazetën “Telegraf” se pikërisht në faqet e këtij organi shtypi të përditshëm gjejmë mendimet dhe shqetësimet mbi më të përfolurën, më kontradiktoren dhe më emergjenten në reformat shtetërore të këtyre 23 vite pluralizëm. Natyrisht, është reformë shtetërore dhe komentet janë të tepërta, por mendimet duhen mos të kalojnë në abuzime. Dhe kjo ndodh me komunën më të vjetër, Lukovën. Pasi në faqet e gazetës “Telegraf”, u botua deklarata e kreut të shoqatës së Bregdetit, dega Sarandë, z.Mitro Zhupa, menjëherë të nesërmen në faqet e kësajë gazete erdhi reagimi i krerëve të Shoqatës Bregdeti në Tiranë, ku kundërshtohej mendimi i zotit Mitro për mos bashkimin e Lukovës me Himarën. Dhe kjo vjen nga logjika fikse se 80% e krerëve të kryesisë kombëtare të Shoqatës Bregdeti janë himarjotë dhe nga bashkimi me Lukovën përfitojnë jo pak nga akseset e saj. Pikërisht dua të shpreh mendimin tim intelektual në emër edhe të Shoqatës që drejtoj, Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve, dega e Sarandës. Nga artikulime që janë bërë nëpërmjet medies së shkruar dhe asaj vizive nga ministri Çuçi, i cili zhvilloi edhe një takim në Himarë pa pjesëmarrjen e Komunitetit të Lukovës, pëlqehet si zgjidhje më e përshtatshme dhe më e mirë bashkimi i Komunës së Lukovës me Bashkinë e Himarës. Kjo në kuadrin e reformës territoriale. Thuhet e shkruhet se bashkimi i njësive vendore brenda kuadrit të reformës territoriale do të çojë në një shërbim më cilësor tek qytetari si dhe në ulje të kostos së menaxhimit dhe detaje të tjera që përmbledh kjo reformë. Për banorët e komunës së Lukovës, thjeshtë nga një analizë logjike në shërbimet e qytetarit, kjo del krejt ndryshe nga bashkimi me Himarën. Le ti themi më shkoqur: vetë një banorë i komunës së Lukovës shumë shërbime nëse ndodh ky bashkim, si shërbimi shëndetësor i kualifikuar, ai hipotekor, kadastral, përmbarimor, gjyqësor e shumë të tjera që deri tani merren në qytetin e Sarandës, pas kësaj do të merren në qytetin e Vlorës. Me këtë zgjedhje banorve të Komunës së Lukovës u shumëfishohet kostoja e shërbimeve në vlerë dhe në kohë. Në qoftë se deri më sot një banor i Lukovës për të marrë një nga shërbimet e nevojshme shtetërore në qytetin e Sarandës u duhen thjeshtë gjysmë dite dhe 200-300lekë mesatarisht, me kthimin në bashkinë e Himarës këto shërbime automatikisht transferohen në qytetin e Vlorës dhe për të përfituar të njëjtin shërbim qytetarit do t’i duhen tri ditë dhe rreth 8000 lekë të reja e nëse e zgjidh. Banorët e Lukovës qendrën administrative, Sarandën e kanë rreth 35 km apo 30 minuta larg, ndërsa Vlora 130 km dhe tri ditë kohë. Po kësaj, po t’i shtosh edhe vështirësitë që sjell terreni dimëror i Qafës së Llogarasë merret me mend se, sorollatja nuk do ketë fund. Ndaj sido që ta shohësh, bashkimi i Komunës së Lukovës me Himarën nuk është funksional në shërbim të qytetarit, në mos i pamundshëm. Banorët e komunës së Lukovës do t’i lërë ky variant i reformës territoriale rrugëve të Vlorës, duke vështirësuar deri në pamundësi marrjen e shërbimeve elementare të domosdoshme nga zyrat shtetërore… Në qoftë se varianti i paraqitur miratohet pa u analizuar në komunitet se çfarë fitojmë dhe çfarë humbasim, do të bëhet një gabim i rëndë që do të paguhet shtrenjtë, sidomos nga banorët e Komunës së Lukovës dhe do të kalojnë shumë vite e përsëri nuk do riparohet. Kanë kaluar 100 vjet shtet shqiptar dhe asnjëherë fshatrat e bregut të poshtëm nuk janë administruar nga Vlora. Përse gjatë gjithë kësaj përvoje duhet të bëhet ky gabim duke e parë si të domosdoshme tek reforma territoriale? Për arsyet e mësipërme do të sugjeronim këto variante për Komunën e Lukovës: a)-Komuna e Lukovës të bashkohet me Bashkinë e Sarandës. b)-Komuna e Lukovës të bashkohet me Bashkinë e Himarës po të jetë njësi administrative e Sarandës. c)-Komuna Lukovë të qëndrojë komunë më vete.
Ish- komandant i divizionit të jugut “Labëria” sot kryetar i shoqatës Ushtarake AKUSH.