MASH: Ja dokumentet dhe afatet për aplikim në programet e Doktoraturës

4778

Zyrtare/Dokumentet dhe procedurat që duhen ndjekur për të aplikuar për ciklin e Doktoraturës

Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në një njoftim për mediat ka bërë të ditur procedurat që duhen ndjekur për aplikimet për shkollën e Doktoraturës. Aplikimet për programet e Doktoraturës, nga data 21.02.2013 deri në datën 15.03.2013. do të pranohen kërkesat për aplikim në Programet e studimit të Doktoraturës për vitin akademik 2012-2013, në fakultetet si me poshtë vijon:

1.Fakulteti i Ekonomisë

2.Fakulteti i Gjuhëve të Huaja

3.Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë

4.Fakulteti i Drejtësisë

5.Fakulteti i Shkencave Sociale

6.Fakulteti i Shkencave Natyrore

7.Instituti i Studimeve Evropiane

Dorëzimi i dosjes së aplikimit dhe regjistrimi do të zhvillohen pranë sekretarive të Departamenteve përkatëse të strukturave të UT-së nga ora 08:00 – 16:00 (përjashtuar ditën e shtunë dhe të diel).

Kriteret për programet e Doktoraturës

Për t’u pranuar në një program studimi të doktoraturës, kandidati duhet të përmbushë një sërë detyrimesh ku ndër më të rëndësishmet është zotërimi i një diplome të fituar nga ndjekja e studimeve të ciklit të dytë, si dhe të çdo diplome tjetër, e vlerësuar, e barasvlershme me të, në fushën e programit të doktoratës apo në një fushë të përafërt të përcaktuar më parë në rregulloren e programit përkatës të doktoratës.

Në këtë program studimi kanë  të drejtë të aplikojnë edhe kandidatët që  kanë mbaruar studimet e larta sipas sistemit të vjetër 4-vjeçar. “Kandidatët duhet të kenë së paku një diplomë të fituar në institucione universitare brenda ose jashtë vendit në nivel ose “Master Shkencor” apo të ekuivalentuara me to nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, të specifikuar nominalisht në fushën ku studentët dëshirojnë të aplikojnë”, detajohet nga ekspertët e Ministrisë së Arsimit lidhur me kategoritë e aplikantëve që duan të konkurrojnë në këto programe studimi. Njëkohësisht, një tjetër kriter i rëndësishëm është edhe nota mesatare. Kështu për të mos rrezikuar përjashtimin nga gara e konkurrimit aplikuesit duhet të kenë një mesatare note prej jo më pak se 8 në kuadrin e studimeve të nivelit “Master Shkencor” ose 4-vjeçar të dikurshëm (pa përfshirë notën e diplomës). “Preferohen kandidatët me vlerësim maksimal në diplomë. Nga ana tjetër, ata duhet të plotësojnë të gjitha kërkesat administrative që parashikon rregullorja e shkollës doktorale në fuqi”, detajohet në rregulloren e konkurrimit për shkollën doktorale. Në tabelën bashkangjitur shkrimit do të gjeni të detajuar listën e plotë të dosjes me dokumentet që duhen dorëzuar nga aplikantët për të ndjekur studimet e larta në programet e doktoraturës. Shkencat gjuhësore, Kërkimet gjuhësore, si dhe Gjeografia raportohet të kenë numrin më të lartë të kuotave të pranimit që janë miratuar nga Këshilli i Ministrave për pranimet e reja në programet e doktoraturës gjatë këtij viti. Sa i takon tarifës së studimeve, vendimi i Qeverisë përcakton se: “Tarifa e shkollimit për programet e studimeve të ciklit të tretë të doktoratës, është 216 320 lekë. Tarifa e shkollimit paguhet në këste, të përcaktuara nga institucioni publik i arsimit të lartë”

Box

Dokumentet që duhen për aplikim

Kandidatët aplikojnë për t’u regjistruar në një program studimi doktorate me dosje individuale, e cila duhet të përmbajë dokumentet e mëposhtme:

a. Kërkesë për aplikim në programin e doktoraturës;

b. Fotokopje e kartës së identitetit ose pasaportës;

c.CV personale e kandidatit;

d. Kopje e noterizuar e një Diplome të ciklit të dytë të studimeve “Master i Shkencave”, apo çdo diplomë tjetër të barazvlefshme me të,  ose një diplomë të huaj të barazvlefshme të shoqëruar me vërtetimin e njohjes nga MASH dhe listën e notave përkatëse;

e. Kopje e noterizuar e dëshmisë së zotërimit të gjuhës angleze me test të njohur ndërkombëtarisht (nëse nuk zotërohet në aplikimin fillestar kërkohet pas përfundimit të studimeve të organizuara teorike);

f. Listë botimesh e shoqëruar me fotokopje të kopertinave të botimeve dhe të abstrakteve të tyre, (nëse ka të tilla);

g. Listë e pjesëmarrjeve në konferenca e shoqëruar me programin, dëshminë e konferencës dhe botimin në proceedings, (nëse ka të tilla);

h. Platforma e kërkimit shkencor të propozuar;

i. Plan i punës për kërkimin shkencor i ndarë në vite;

j. Deklaratë e gatishmërisë së udhëheqësit shkencor për të udhëhequr kandidatin;

k. Dy rekomandime nga persona që gëzojnë titull shkencor ( Profesor, Profesor i asociuar);

l. Vërtetim i qendrës së banimit;

m. Vërtetim nga qendra e punës/ deklaratë vetjake për statusin i/e papunë

n. Dy fotografi me format 4×6;

o. Deklaratë vetjake e kandidatit për përballimin e shpenzimeve të programit të studimeve të  dokoratës;

p. Fletëpagesa e tarifës se regjistrimit për konkurrim.

Datat e provimeve për Maturën Shtetërore

Provimet e Maturës Shtetërore 2013, të detyruara dhe me zgjedhje, të fillojnë në orën 10:00. Testi për secilin nga provimet e detyruara të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 kërkesa të jenë me përgjigje alternative, që vlerësohen me një pikë secila (13 pikë gjithsej) dhe 12 pyetje me zhvillim, të cilat vlerësohen me 37 pikë. Testi vlerësohet maksimalisht me 50 pikë. Testi për secilin nga provimet me zgjedhje të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje të jenë me përgjigje alternative, që vlerësohen me një pikë secila (10 pikë gjithsej) dhe 10 pyetje me zhvillim, të cilat vlerësohen me 30 pikë. Testi vlerësohet maksimalisht me 40 pikë. Provimet e detyruara të zgjasin 2 orë 30 minuta secila. Provimet me zgjedhje të zgjasin 3 orë.

Lëndët dhe datat e provimeve të Maturës Shtetërore të jenë:

a)Gjuhë shqipe dhe letërsi             31 maj 2013

b)Matematikë                          14 qershor 2013

c)Provime me zgjedhje           29 qershor 2013

Datat dhe orari për provimet e shkollave 9- vjeçare

Provimet e Lirimit 2013 të fillojnë në orën 10:00 dhe zgjasin 2 orë e 30 minuta.

Lëndët dhe datat e provimeve Maturës Shtetërore janë:

a)Gjuhë Amtare 12 qershor 2013

b)Matematikë     19 qershor 2013