Bashkia Tiranë:Ja lista e firmave, personave që pajisen me leje për përdorimin e ndërtesave që kanë qenë me shkelje ndërtimi

954
Sigal

Në këtë fazë, strukturat e paraqitura, që përfitojnë nga ky akt normativ janë rreth 260, kryesisht objekte mbi 3 kate, me sipërfaqe totale rreth 930.000 m2, ku janë rreth 11.000 apartamente

 Në mbështetje të neneve për “Organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”; për “Pajisjen me leje përdorimi të strukturave të ndërtuara me shkelje të kushteve të lejes së ndërtimit përpara fillimit me efekte të plota të ligjit nr.10119, datë 23.4.2009, dhe për “Për planifikimin e territorit”, të ndryshuar” me propozim të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Këshilli Bashkiak dhe kryetari i saj Niazi Kosovrasti, vendosi miratimin e listës së strukturave që pajisen me leje përdorimi sipas Aktit  Normativ dt.06.02.2013 për  “Pajisjen me leje përdorimi të strukturave të ndërtuara me shkelje të kushteve të lejes së ndërtimit përpara fillimit me efekte të plota të ligjit nr.10119, datë 23.4.2009, “Për planifikimin e territorit”, të ndryshuar, sipas Aneksit 1, bashkëlidhur dhe pjesë e këtij vendimi.

Më 6 shkurt të këtij viti, Këshilli i Ministrave, miratoi Aktin normativ me fuqinë e ligjit për  “Pajisjen me leje përdorimi të strukturave të ndërtuara me shkelje të kushteve të lejes së ndërtimit përpara fillimit me efekte të plota të ligjit nr.10119, datë 23.4.2009, “Për planifikimin e territorit”, të ndryshuar” me anë të të cilit i hapet rruga procesit të pajisjes me leje përdorimi, të objekteve të ndërtuara përpara fillimit me efekte të plota të Ligjit nr.10119 dt.23.09.2009 “Për planifikimin e territorit” i ndryshuar, të cilat janë konstatuar me shkelje të kondicioneve të lejes së ndërtimit dhe projekteve të miratuar. Më konkretisht akti, parashikon pajisjen me leje përdorimi të strukturave që kanë përfunduar ndërtimin në datën e fillimit me efekte të plota të ligjit nr.10119, datë 23.4.2009, “Për planifikimin e territorit”, të ndryshuar, pasi të kenë plotësuar dokumentacionin e përcaktuar nga ligji nr.8402, datë 10.9.1998, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar, edhe në rastet kur:  a) aktkontrollet përfundimtare, të kryera nga autoritetet vendore të planifikimit dhe kontrollit të zhvillimit të territorit, vërtetojnë se strukturat janë ndërtuar në shkelje të kushteve të lejeve të ndërtimit të miratuara, por nuk ndryshojnë sipërfaqet dhe volumin e miratuar në leje; b) aktkontrollet përfundimtare, të kryera nga autoritetet vendore të planifikimit dhe kontrollit të zhvillimit të territorit, vërtetojnë se strukturat janë ndërtuar në shkelje të kushteve të lejeve të ndërtimit të miratuara, të shoqëruara me shtesë të sipërfaqes dhe/ose volumit të miratuar në leje të strukturës. Këto struktura, pajisen me leje përdorimi vetëm për sipërfaqen dhe volumin e përcaktuar në lejen e ndërtimit. Në nenin 4 të këtij akti parashikohet se: Miratimi i listës së strukturave që pajisen me leje përdorimi sipas këtij akti normativ bëhet me vendim të këshillit vendor të njësisë përkatëse të pushtetit vendor. Në këtë fazë, mbështetur në akt kontrollet e ushtruara, strukturat e paraqitura për miratimin tuaj, që përfitojnë nga ky akt normativ janë rreth 260, kryesisht objekte mbi 3 kate, me një sipërfaqe totale rreth 930.000 m2, ku janë rreth 11.000 apartamente. Bashkia do të vijojë ushtrimin e akt kontrolleve për konstatimin e shkeljeve, edhe në rastet e objekteve të tjera, nën 3 kat, të cilat do t’ju paraqiten për miratim në një fazë të dytë, brenda afatit ligjor të përcaktuar nga ky akt normativ. Ky akt normativ trajton vetëm ato struktura/objekte, për të cilat janë konstatuar shkeljet nga Zyra e Urbanistikës në periudhën pas vitit 2006, pasi kishte përfunduar afati për vetëdeklarim për legalizim që përcaktonte ligji nr.9482, datë 03.04.2006 për “Legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” (i ndryshuar) i cili ka qenë deri në 4 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji (pika 2, neni 7). Rrjedhimisht ndërtimet me shkelje të kondicioneve të lejeve, subjektet e të cilëve kanë aplikuar pranë ALUIZNI-it, dhe janë në proces trajtimi nga ana e tyre, përjashtohen nga fusha e veprimit të këtij akti. Ky akt normativ do të ndihmojë në zgjidhjen e situatës së krijuar që po passjell një bllokim të procedurave të regjistrimit në ZRPP për një numër të madh qytetarësh që tashmë i kanë në përdorim këto objekte, tek të cilat janë kryer shtesa pa leje (anësore apo në lartësi, tej lejes së ndërtimit, shkelje të kondicioneve teknike të lejes, ndryshim të projektit te miratuar, etj), dhe të marrin një zgjidhje përfundimtare të problemit që ka ardhur jo për faj të tyre. Sa më sipër, i propozojmë në mbështetje të nenit 7, pika 2, neni 32 germa “n”, të ligjit nr.8652, datë 31.07.2000 për “Organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”; neni 4 i Aktit Normativ datë 06.02.2013 për “Pajisjen me leje përdorimi të strukturave të ndërtuara me shkelje të kushteve të lejes së ndërtimit përpara fillimit me efekte të plota të ligjit nr.10119, datë 23.4.2009, “Për planifikimin e territorit”, të ndryshuar” miratimin e listës së strukturave sipas projekt vendimit të përgatitur.Duke shpresuar në miratimin e këtij propozimi.