Lindita Mukaj shkatërron arsimin në Durrës

1146
Sigal

Drejtoresha e DAR ka vendosur të bëj zëvendësime të mësuesve me militantë në prag të provimeve të Maturës Shtetërore

Lindita Mukaj, drejtoresha e DAR Durrës, ka vendosur të bëj zëvendësimet dhe transferimet më të fundit të mësuesve në disa shkolla të mesme të qytetit të Durrësit. Sigurisht, që nuk mund të gjente një moment më të papërshtatshëm drejtoresha e nderuar për ta bërë këtë. Ka dy-tre ditë që në redaksinë e gazetës “Telegraf” kanë ardhur me dhjetëra ankesa dhe shqetësime, nga prindër e nxënës të revoltuar dhe të shqetësuar, sepse mësuesit që po iu zëvendësohen, dhe transferohen jashtë qendrës së Durrësit, janë pikërisht mësuesit e lëndëve kryesore që maturantët do të testohen pas dy muajsh për Maturën Shtetërore. Pra drejtoresha ka vendosur që mësuesit që do të lëvizin janë, mësuesit e letërsisë, matematikës dhe gjuhës së huaj angleze. Një profesionist i arsimit, siç vetë drejtoresha e konsideron vetën duke parë dhe kurrikulën e saj, nuk do ta bënte një lëvizje të tillë, që mbjell panik tek maturantët, sepse vetëm dy muaj larg provimeve për shkollën e lartë atyre i ndërrohet mësuesja dhe bashkë me mësuesen mënyra, stili i shpjegimit, vështirësi për t’u adaptuar me mësuesit e rinj që do të vinë, dhe sa të ndodhin të gjitha këto provimet kanë trokitur në derë. Vështirë për t’u kuptuar se ku e gjen guximin dhe të drejtën për të penguar procesin mësimor dhe të frikësojë maturantët për të ardhmen e shkollës së tyre të lartë kjo drejtoreshë!

Hetimi

Mësohet se drejtoresha Mukaj ka dërguar dje shkresën zyrtare, ku nuk është dhënë asnjë arsye, logjike ose jo, pse po ndodhin këto lëvizje për të transferuar 6 mësues profesionistë me një staf nën nivelin e duhur. Të hënën këta mësues duhet të paraqiten në vendin e ri të punës dhe të rifillojnë çdo gjë nga e para vetëm sepse drejtoresha donte kështu. Specifikisht, në shkollën e mesme “Leonik Tomeo” ka shkuar urdhri për t’u zëvendësuar drejtori i kësaj shkolle, i cili edhe për tre muaj plotëson moshën për të dalë në pension, mësuesja e matematikës, e cila është vlerësuar disa herë si mësuesja e vitit nga kjo shkollë dhe njihet gjerësisht në Durrës për profesionalitetin e saj (pas 1 viti del në pension), mësuesja e letërsisë dhe dy mësuese të gjuhëve të huaja. Pra duket qartë që një padrejtësi është duke u bërë në kurriz të këtyre mësuesve dhe sigurisht një dëm në kurriz të maturantëve, të cilët përveçse do t’ju duhet të mësohen me mësuesit e rinj do të ndeshin dhe me boshllëqet që kanë këta mësues që po vinë. Ndryshime të tilla priten të ndodhin edhe në shkolla të tjera të rëndësishme në Durrës si, “Naim Frashëri”, “Olsi Lako”, “Marie Kaçulini” etj.

Drejtoresha Mukaj

Drejtoresha e DAR Durrës duket se e ka harruar synimin e saj kur erdhi në krye të DAR-it se, “do të synoj të ndërtoj, bashkëpunimin për hir të zhvillimit të arsimit”.

Ajo ka punuar si inspektore pranë DARD për një periudhë 5 vjeçare, dhe kritikat e skandalet ndaj këtij institucioni kanë qenë të shumta, gjatë asaj kohe dhe tani. Cilësia e profesionalizmi karakterizohen si prioritet kyçe për DARD, të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e mësimdhënies e për të nxjerrë arsimin nga skutat e errëta në të cilën ndodhet aktualisht, por duket se në këtë rast po veprohet në kundërshtim të plotë me të gjitha këto. Urdhrat politikë po dalin më të fortë se vetë parimet e progresit arsimor. Ministria e Arsimit duhet të ndërhyjë urgjentisht për të vënë dorë në këto veprime monopolizuese që po kryen drejtoresha e DAR Durrës, të cilat bëhen në momentet më të papërshtatshme dhe pa arsye logjike.

box

Rilindja, apo mafia e arsimit bregdetar?!

Nuk është e thënë që qyteti bregdetar të gjejë qetësi, që nga koha kur në pushtet erdhi qeveria Rama. Një socialist tradicional në bindje shprehet se, Rilindësit na mashtruan dhe na gënjyen duke shitur edhe idealet e sa majtës shqiptare. “Ndoshta Durrësi qenka i mallkuar pasi dikur në kohën e Nanos “Klani i Zemunit”, dhe i trafikantëve e kontrabandistëve uzurpoi qytetin bregdetar. Dhe shpresa e Durrsakëve ishte Edi Rama, por mesa duket edhe ky nuk na doli gjë”, shprehen qytetarët dhe mësuesit e një nga qyteteve më të lashta, qytetar i së cilës pretendon se është edhe vetë Rama. Drejtoresha e Arsimit, e sapo emëruara Lindita Mukaj, flet nga mëngjesi në mbrëmje në emër te tij dhe të disa lidhjeve me ministrin Velia. Masakra që ajo po bën, kundrejt veprimeve dhe qëllimeve të turpshme në emërime, i ngjan veprimeve të Kryebashkiakut Vangjush Dako, i cili e ktheu Durrsin në një kopsht zoologjik, sepse që të arrish të shohësh detin duhet të paguash lekë pasi bregdetin e kanë zaptuar lokalet e dhëna nga ‘Gjushi’ kundrejt betonit të kompanisë së tij. Ky është maskaralliku më i madh i bërë ndaj Durrsakëve, ku maskaradës së arsimit dhe ‘Gjushit’ i bashkohet edhe ajo e Deputetit Koka, emërimet klienteliste të të cilit janë një turp i vërtetë për të gjithë ata votues, pësimi i të cilëve duhet të bëhet mësim. Edi Rama duhet të ndërhyjë menjëherë për zgjidhjen e situatës, thotë një mësues i gjimnazit “Leonik Tomeo”, dhe të mos merret me performancë, pasi në të kundërt do të besojmë se ai është iniciatori që hedh gurin dhe fsheh dorën, ashtu sikurse deklaron nën zë edhe drejtoresha dhe mikesha e tij, Lindita Mukaj.