Kryeministri Rama: Nuk ka më ndarje mes qendrës e periferisë në arsim

441
Sigal

Një marrëdhënie e re do të vendoset mes shkollës dhe familjes, dhe do të hiqet muri ndarës mes qendrës me periferisë kur vjen puna te edukimi, u shpreh gjatë një vizite në shkollën “Andon Z.Çajupi”, Kryeministri Edi Rama. “Dallëndyshja e parë që lajmëron një stinë të re për shkollën shqiptare, konkretisht për arsimin parauniversitar. Është dita për të qenë së bashku dëshmitarë të çeljes së një epoke të re për shkollën dhe të një rruge transformimi rrënjësor të marrëdhënieve mes shkollës dhe familjes, mes çdo nxënësi dhe botës së dijes”, tha Kryeministri Rama. Ne, tha Rama, jemi shumë krenarë që sot i hapim rrugë jetësimit të një tjetër zotimi të rëndësishëm, atë të kapërcimit të gjithë hendeqeve e mureve që ndajnë qendrën me periferinë kur vjen puna te edukimi, që ndanë fëmijët e familjeve të mirëqena me fëmijën e familjeve të varfra, që ndajnë rrugën e të ardhmes për shkak të varfërisë, apo pamundësive që ka shteti ynë për të krijuar kushte dhe infrastrukturë tradicionale të barabartë kudo në të gjithë territorin e Shqipërisë”. Kryeministri shtoi se informacioni në procesin e dhënies dhe marrjes së mësimit, është arma jonë për të zmbrapsur gjithë këtë prapambetje që vjen pikërisht sepse ne nuk i kemi mundësitë që me mjete tradicionale të përballojmë sfidat që na vë përpara varfëria e shumë familjeve, izolimi i shumë komuniteteve, apo dallimi i madh mes qendrës dhe periferisë, në kuptimin e qytetit dhe fshatit. “Kur ne thamë se do të transformojmë sistemin arsimor parauniversitar dhe brenda katër viteve të kemi një tjetër nxënës në kuptimin e mjeteve në dispozicion për t’i hapur të gjitha rrugët e njohjes, falë një tableti, shumë kush qeshi dhe jo pak kush u ngut të bënte komente cinike dhe ironike, mirëpo faktikisht jo vetëm që kjo është e vetmja rrugë për ne por kjo është rruga përmes së cilës, vende më pak të zhvilluara kanë sot mundësi të shkojnë aty ku edhe vende të zhvilluara nuk kanë shkuar apo janë duke shkuar njëkohësisht”, theksoi Kryeministri. Kreu i qeverisë u shpreh se do të krijojmë kushtet që marrëdhënia e shkatërruar për vite të tëra mes shkollës dhe familjes të rindërtohet dhe prindi e mësuesi të ribëhen aleat dhe partner për të mirën e çdo nxënësi.