Nesër maturantët testojnë njohuritë e tyre në Gjuhë-Letërsi

693
Sigal

Matura 2014/ Provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë: Rregullat, struktura e testit, përzgjedhja e pyetjeve, kategoritë dhe lista e veprave

Nesër, rreth 45 mijë maturantë do të zhvillojnë provimin e dytë të detyruar të Maturës Shtetërore 2014, atë të Gjuhë-Letërsisë. Sipas udhëzimit të MAS, provimet e detyruara fillojnë në orën 10.00 dhe zgjasin 2 orë e gjysmë, ndërsa nxënësi duhet të paraqitet në shkollë, 1 orë e gjysmë përpara fillimit të provimit. Testi për secilin nga provimet e detyruara përmban 25 pyetje, nga të cilat 13 kërkesa janë me përgjigje alternative, që vlerësohen me 1 pikë secila ( 13 pikë gjithsej) dhe 12 pyetje me zhvillim, të cilat vlerësohen me 37 pikë. Testi vlerësohet maksimalisht me 50 pikë.

Maturanti apo kandidati që merr pjesë në këto provime nuk quhet kalues nëse ka marre më pak se sa 20 për qind të pikëve të testit. Maturantët/kandidatët mbetës në provimet e Maturës Shtetërore kanë të drejtën e riprovimit në sesionin e dytë.

 Kategoritë që duhet të japin provimet e maturës

Provimet e maturës i jep maturanti ose kandidati që ka përfunduar me sukses vitin e fundit të shkollës së mesme dhe është pajisur me “Dëftesë Pjekurie”, si dhe ka plotësuar formularin A1 dhe A1Z. Provimet e maturës mund t’i japë edhe çdo kandidat që ka fituar në vitet e shkuara një apo disa nga provimet qofshin këto me zgjedhje apo të detyruara. Në provime kanë të drejtë të hyjnë edhe  maturantët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2014, por që nuk janë pajisur me Dëftesë Pjekurie, apo Diplomë Mature. Të gjithë këta kandidatë nuk e japin gjuhën e huaj si provim të maturës. Pasi kanë fituar provimet e maturës marrin Diplomën dhe Certifikatën e Maturës Shtetërore, modeli i vitit 2011. Diploma për të gjithë këta kandidatë lëshohet vetëm një herë. “Kandidati, i cili është pajisur me Dëftesë Pjekurie në vitet e mëparshme, shtetas shqiptar ose i huaj që vjen nga jashtë shtetit dhe jep provimet me zgjedhje të maturë nuk merr Diplomë, por pajiset me vërtetim për provimet e maturës. Në rast të mosmarrjes së provimeve që në sezonin e parë maturanti mund t’i japë ato gjatë sezonit të vjeshtës dhe vetëm pasi të ketë marrë rezultate kaluese në to mund të aplikojë për të vijuar studimet e larta në një nga universitetet publike të vendit.

 Maturantët e para 2006-s duhet t’i japin të gjitha provimet 

Kandidati që ka kryer provimet para vitit shkollor 2005-2006 për të garuar për pranimet në shkollat e larta publike të vendit gjatë vitit të ri akademik duhet që t’u nënshtrohet provimeve të maturës nën me të njëjtat rregulla sikundër është përcaktuar hyrja e maturantëve të 2014-ës në këto provime. Ndërsa për shkollat profesionale dhe shkollat e orientuara, rregullorja përcakton se : “Në rastet kur kandidati ka fituar Dëftesën e Pjekurisë, si provime të detyruara njihen: Letërsia dhe matematika, nëse janë dhënë e fituar. Në mungesë të letërsisë dhe matematikës, një ose dy nga provimet, sipas planit mësimor të shkollës së tyre. Kandidatët që kanë kryer shkollat e mesme para vitit shkollor 2010-2011, dhe nuk kanë dhënë provimet me zgjedhje ose kane rezultuar jokalues, por dëshirojnë të aplikojnë për studime në institucionet e arsimit të lartë publik duhet që t’i japin ato”.

  Pyetjet e testit do zgjidhen nëpërmjet teknologjisë digjitale

Agjencia Kombëtare e Provimeve së bashku me Drejtorinë e Arsimit Parauniversitar  janë dy institucionet përgjegjëse e ngritjes së grupeve lëndore të mësuesve që do të merren me hartimin e fondit të pyetjeve të provimeve, nga ku do të zgjidhen dhe pyetjet finale të testit që do të plotësojnë maturantët për secilën lëndë. Ndryshe nga sa ka ndodhur në vitet e shkuara përzgjedhja e pyetjeve që do të jenë në testet finale të secilës lëndë nuk do t’i besohet mësuesve, por do të realizohet nëpërmjet teknologjisë digjitale.

  Nuk do ketë rikorrigjim testesh për të pakënaqurit

Maturanti mund të shoh fotokopjen e testit të vlerësuar, por nuk ka të drejtë të kërkojë rivlerësim nëse mbetet i pakënaqur me pikët e marra.  Sipas rregullores thuhet se maturanti apo kandidati i përfshirë në provimet e maturës do të gëzojë të drejtën e shikimit të testit të korrigjuar. Konkretisht kandidati ka të drejtë të kërkojë fotokopjen e testit të tij pas përfundimit të të gjitha provimeve, me një kërkesë drejtuar Komisionit shkollor të maturës shtetëror përcaktohen me udhëzim të veçantë të ministrit. Proces të rivlerësimit të testit nuk do ketë.

Testi i Gjuhë-Letërsisë dhe struktura e tij

 Në 30 maj do të zhvillohet provimi i radhës, ai i Gjuhës Shqipe dhe i Letërsisë, që është provim i detyruar i Maturës Shtetërore për të gjithë nxënësit që mbarojnë shkollën e mesme. Për këtë, ata do t’i nënshtrohen një testi, në përbërje të të cilit do të jenë njohuritë dhe aftësitë e fituara në këtë lëndë gjatë viteve të shkollës së mesme. Ky test do të zhvillohet mbi bazën e Programit orientues.

Testi

Testi i Maturës Shtetërore Gjuhe Shqipe dhe Letërsi bërthamë për gjimnazin dhe gjimnazin gjuhësor, do të ketë në përbërje fragmente nga tekste të ndryshme (tekst tregimtar, tekst poetik, tekst dramatik, tekst bindës/argumentues, tekst përshkrues, tekst shpjegues, tekst informativ, tekst eseistik, tekst kulturologjik), jo domosdoshmërisht të punuara në klasë. Maturanti testohet për aftësitë intelektuale të vëzhgueshme dhe të matshme, të synuara nga programi dhe të zhvilluara në lëndën e gjuhës shqipe dhe të letërsisë, të tilla si:

– aftësia për të identifikuar dhe për të kuptuar (nivel bazë i aftësive intelektuale);

– aftësia për të analizuar dhe zbatuar (nivel mesatar i aftësive intelektuale);

– aftësia për të vlerësuar, për të gjykuar, për të marrë dhe për të mbrojtur qëndrime të caktuara (nivel i lartë i aftësive intelektuale).

Përqindja e pikëve në test për secilin nivel do të jetë:

Nivelet e aftësive intelektuale
Niveli bazë Niveli mesatar Niveli i lartë
40% 40% 20%

Struktura e testit do të jetë:

Pjesa e parë: tekst letrar (45%)

Pjesa e dytë: tekst joletrar (55%)

Lista e veprave nga do të përzgjidhet fragmenti i tekstit letrar

Poezi

Homeri “Iliada”; Populli “Këngë të epikës legjendare shqiptare”; N. Frashëri “Lulet e verës’; De Rada “Këngët e Milosaos”; Bajron “Çajld Harold”‘; Fishta “Mrizi i zanave” Poradeci “Lirika”; Migjeni “Vargjet e lira”*; Kadare “Ca pika shiu ranë mbi

qelq”.

Prozë

Servantes “Don Kishoti”; Hygo “Katedralja e Parisit”; Pashko Vasa “Bardha e Temalit”; Balzak “Evgjeni Grande”; “Xha Gorio”: P. Marko “Qyteti i fundit”: Kadare “Kështjella”; Kamy “I huaji”; Markes “100 vjet vetmi”; Koliqi “Tregtar flamujsh”; Kasem Trebeshina “Odin Mondvalsen”.

Dramë

Eskili “Prometeu”; Shekspir “Romeo dhe Zhuljeta”, “Mbreti Lir”, “Makbeth”; “Hamleti”; Molier “Mizantropi”; Ibsen “Shtëpi kukulle”, “Armiku i popullit”; Çajupi “14 vjeç dhëndër”; Miler “Pamje nga lira “; Noli “Izraelitë dhe filistinë”.