Mjeku laborant z. Ndoj, emërohet drejtor i spitalit të Mirditës

733
Sigal

Pas 23 Qershorit  në drejtim të spitalit të Mirditës është emëruar drejtor, veterani i mjekësisë dhe mjeshtri i laboratorit  të këtij spitali z. Pjetër Ndoj, i ardhur nga kontigjenti i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim. Ky ndryshim vihet re që në hyrje të portës së spitalit, pasi ka mbetur si traditë edhe kthyer në zakon, ku çdo Drejtor i ri çdo gjë që gjen kërkon të bëjë ndryshime sipas shijes dhe estetikës së tij që dallohet mjaft lehtë që në hyrje dhe deri në ambientet e brendshme të këtij spitali. Mësohet se Drejtori është një organizator, drejtues i mirë dhe me eksperiencë, pasi ka qenë dhe herë të tjera në drejtime të tilla. Ai është jo vetëm Drejtues i mirë, mjek i mirë, por dhe një prind dhe bashkëshort po aq i mirë. Për të mësuar më mirë se çfarë ndryshimesh janë bërë nga Drejtori në muajit e tij të punës, e intervistuam z. Pjetër Ndoj, i cili u shpreh për gazetën “Telegraf” në këtë mënyrë:

 Sa kohë keni, që jeni emëruar në detyrën e drejtorit. Është  sfidë apo privilegj për ju?   Emërimin si drejtor i Shërbimit Spitalor Mirditë, e kam marrë që në tetor të vitit 2013 dhe kjo për mua është një sfide, se më presin mjaft detyra për të bërë në drejtim të përmirësimit të  shërbimit spitalor.

 A keni bërë ndryshime në administratën e lënë nga paraardhësi juaj, në numër dhe cilësi ?

Nuk ka asnjë ndryshim në administratë si nga numri dhe nga cilësia, pasi paraardhësi im ka qenë shumë i kujdesshëm në ndërtimin e kësaj administrate. Nga ana ime është parë e arsyeshme të hiqet zv/drejtori ekonomik.

Keni mjekë specialistë, sa ju mungojnë dhe cilët konkretisht, keni paraqitur kërkesë për kompletim?

 Kemi mjek specialistë dhe kemi mangësi për dy mjekë, të cilët kemi lidhur kontratë,  me mjekun e ORL-së dhe mjekun  Neuropsikiatrisë që vijnë një herë në javë.   

A jeni të kompletuar me kuadro të mesëm e të ulët, me ndihmësmjek dhe infermiere me kurs 6 dhe 9-mujor?

Jemi të kompletuar me kuadro infermiere që kanë mbaruar shkollën e lartë të Infermierisë në Tiranë, si dhe me infermiere me kurse 6 dhe 9- mujore.

Për të përmirësuar cilësinë e shërbimit a do këmbëngulni për të bërë zëvendësimin e infermierëve të kurseve?

Sigurisht që, ky është një kusht i domosdoshëm, por tani për tani është e pamundur për mungesë kontingjenti.

 A keni dorë të lirë për ndryshimin në personel dhe a  keni ndërhyrje partiake?

 Duke qenë një institucion me profesion të veçantë dhe që ka të bëjë me shërbimin e pacientëve e të popullit, asnjëherë nuk kemi pasur raste edhe më parë që të ketë ndërhyrje partiake.  

Sa është kapaciteti i shtrimeve në pavijone dhe a i mbuloni dot  plotësisht me shërbime?    Në spitalin tonë kemi 96 shtretër të shpërndarë sipas pavijoneve dhe janë  mjaftueshëm përsa i përket shërbimit shëndetësor dhe janë plotësisht të mjaftueshëm për mbulimin e shërbimeve shëndetësore.

 A keni të dhëna që mjek të veçante marrin ryshfete pacientëve?

Deri më tani nuk kemi asnjë të dhënë qe mjekët apo personeli i shërbimit të marrë ryshfet,  pasi nuk kemi asnjë lloj  denoncimi nga qytetarët. Sa mjekë keni me banim jashtë rrethit dhe si veprohet në raste të veçanta?

Në të gjithë spitalin janë tre mjek që banojnë jashtë rrethit dhe janë të pranishëm në të gjitha shërbimet që kërkon pacienti, ndërsa në raste të veçanta, janë në gatishmëri kur të jetë nevoja, pasi ata janë të pajisur me mjete lëvizëse dhe me nr. telefoni të urgjencës. Autostrada i privilegjon për të qenë në kohë rekord në raste urgjence.

A vazhdohen të blihen ilaçet nga pacientët e shtruar?

Dikur blerja e ilaçeve ka qenë problematike, ku ka pasur shumë raste që pacientët ishin të detyruar t’ i blinin  ilaçet me lekët e tyre ndërsa tani nuk kemi asnjë problem për furnizimin e farmacisë së spitalit me medikamente ilaçesh.

Si merren ilaçet në farmaci brenda spitalit  dhe a ka abuzime me to?

 Ilaçet në farmacinë e spitalit merren me urdhër të veçantë të mjekut specialist dhe sipas diagnozës së pacientit dhe dokumentohen në kartelat e veçanta, çka largon mundësinë e abuzimit, pasi çdo ilaç  që jepet dhe që merret nga infermieret shënohen e evidentohen nga farmacisti i spitalit dhe tërhiqet me firmën e infermieres së turnit.

 Si kryhet shërbimi logjistik?

  Sigurisht që në shërbimet logjistike  ka mangësi, por që janë gjithnjë në përmirësim, nuk përdoren më si dikur veshjet personale të pacienteve, marrja e pajisjeve të fjetjes apo  marrja e ushqimeve nga shtëpia, pasi çdo gjë është në përmirësim.